SEGMENTI I VDEKJEVE nga Mihallaq Qilleri

Mihallaq Qilleri

SEGMENTI I VDEKJEVE
-T R E G I M-

– pjesa e parë –

Në Milano ajo mbërriti me ekspresin që vinte nga Parisi por stacioni kaba, me shumë shina e hapësira bosh, si të një hauri, ishte trishtimi i parë që ndjeu sapo vuri këmbën në tokë. Jashtë vërejti se ballina e stacionit hekurudhor kishte një lloj arkitekture interesante, ndonëse e pluhurosur deri në detaje. Mbeti e dyzuar duke vështruar rreth-e-qark turmën e njerëzve që ngjante aq e hutuar sikur nuk dinte prej ku qe nisur e ku kishte mbërritur. Të njëjtën gjë mendoi edhe zonja Klea. Në këtë qytet nuk kishte ardhur kurrë. Dinte vetëm se duhej të arrinte diku në qendër. Qendra sigurisht konsiderohej Katedralja Duomo, ndonëse në hartën e qytetit të madh mund të kishte dhjetëra qendra të tjera. Por jo, i duhej pikërisht Duomo. Aty pastaj..
E para gjë që duhej të bënte duhet të ndalte një taksi, ose të gjente stacionin e metrosë. Ishte e pamundur që gjithë kjo turmë njerëzish që vinin e iknin nga e gjithë Europa të mund të transportoheshin me taksi. Po, stacionin e metrosë! Ishte koha tani të përdorte italishten e saj të mësuar qysh në shkollën e mesme në Tiranë. Sigurisht që dinte të shkruante e të lexonte por, ky çast gjithë siklet, e vinte para një sprove. Fundja edhe frëngjishtja e saj duhej të ishte një gjuhë e kuptueshme këtu..
– Metro…? – pyeti ajo të parën zonjë mënga e pardesysë të së cilës i preku lehtë kurrizin e dorës.
– Si, ejani pas meje, – ia ktheu duke buzëqeshur gruaja e re.
Klea mendoi me një farë gëzimi sesa shpejt mund të mirëbesohen gratë me njëra-tjetrën. Dhe e ndoqi pas. Tani gjithçka i ngjante pak më e lehtë.
Hyrja për në thellësi të metros. Duke zbritur shkallëve befas ndjeu një ndjesi të çuditshme, kapitëse. Sikur po hynte në një varr. Te gjitha mjediset këtu çuditërisht ishin lyer me bojë të zezë dhe ndriçimi i pakët e bënte këtë grua të pushtohej prej drithërimash. Ndali një sekondë, u mbështet pas dorezës tërheqëse të valixhes dhe me dorën tjetër pickoi veteveten. Ç’marrëzi ishte kjo që po bënte? Ku shkonte? Sapo kishte nisur ta fashiste nga shpirti ngjyrën e së zezës, interierin e një varri, përfytyrimet makabre sesi mund ta ndjente veten njeriu atje i mbuluar nga ca pllaka betoni e një ton dheu përsipër, kur ja..Ajo sikur po hynte vet në një varr. Vetëm se aty nuk të merrej fryma. Një rrymë ajëri e freskët vinte nga thellësia..
– Sinjora…- dëgjoi ta tërhiqte dikush nga mënga..
Erdhi në vete. Mirëpo kjo do të ishte fjala e fundit që do të dëgjonte nga kjo grua e panjohur. Në platformë, tek prisnin trenin elektrik, ajo se ku u ngatërrua dhe me gjithë shqetësimet për këtë humbje, Kleas i duhej të priste tani atë gjë gulçitëse, të errët, ndoshta si një krimb gjigand që tërhiqte në nëntokën e vet jo një, por qindra njerëz të cilët, sigurisht i përgatiste për një udhëtim të përjetshëm. U drodh. Ç’po mendoj kështu!, – i tha pastaj vetes.
Ishte aq e shpejt rruga sa ajo nuk pati të kohë të mendonte shumë. Tani duhet të përballonte disa vështirësi të vogla. Të zbriste në qendër, dhe siç kishte parë me shumë vëmendje, për disa ditë më parë në Google Earth, të gjente hotel “Manin”, ose hotelin “Lloyd”. I kishte zgjedhur për dy arsye; së pari se gjendeshin pikërisht afër kësaj qendre dhe se ishin me tri yje. Tri yje do të thoshte se nuk qenë të shtrenjta. Pastaj, të nesërmen në mëngjes, – sepse po errej, – duhet të niste menjëherë kërkimet.. Zbriti, porositi një taksi dhe pas një rruge jo shumë të gjatë, zbriti para Hotel “Lloyd”. Pagoi shoferin, pastaj e pa të ikte me shpejtësi sikur të kishte vjedhur diçka dhe, nënvetëdijen e saj të mpirë mendoi se përse kërkoi ta kishte sillnin aty e jo në “Manin”..
Pas dhjetë minutash një lake do ta shoqëronte deri në dhomën e saj..
1.
Një javë pasi kishte përkujtuar tri vjetorin e vdekjes së të shoq një telefonatë e beftë e bëri të dridhej. Mikja e saj më ngushtë, Eva Kozeli, e ftonte të pinin një kafe kur e ku të mundej ajo. Kur të mundej? Tashmë gjithmonë ajo mundej. Sapo kishte shkundur jo vetëm barrën e përkujtimoreve, vizitat pa fund të njerëzve nga Shqipëria e Parisi, sapo mendoi se ndoshta në punë mund të endej e lehtësuar, sapo ndjente se vajza e saj e madhe mund të mos dëneste më në mesnatë prej kujtimit të të et, sapo ndjeu se të gjitha vuajtjet e atyre pesë viteve të fundit, së fundi, e kishin lënë trupin e saj të drobitur të binte në një qetësi mpirëse, sapo..
– Kur të duash, zemer, – i tha ajo çiltërsisht.- Mund të vish edhe këtu tek unë.
Tjetra sepse kundërshtoi. Kur të uleshin te kafja Eva Kozeli do të përdorte një frazë thuajse pa mend. Në shtëpi i kishte ardhur aq shpesh ato tri vite, sa ngjante sikur tejzgjatte imazhin e zisë. Kjo qe një grua me tipare të prera, të holla, të mprehta. Gjithçka shihej kështu. Mjekra, bishtat e syve, hunda e hollë, madje edhe zëri sikur dilte prej buzëve prej fëmije si fërshëllimë.
– Vite me parë, – tundi dorën në ajër zonja Kozeli, – më pate folur për një piktor të jashtëzakonshëm, me të cilin sikur u dashurove, apo u dashurua ai pas teje, nuk e di, nuk e di.. pastaj e hodhe tej në gropën e heshtjes. Ke pasur rastin të shkëmbesh më e-maile me të?
Klea e pa aq e habitur sa afroi fytyrën e saj të mjaltë përmbi tavolinën e vogël deri te sytë e mikes së saj. Ç’farë po i kujtonte kjo tani?!! Dhe përse tani?
– Ka vite, – tha ajo e trishtuar. – ishte një histori e bukur..
– Ma ke rrëfyer me pasion, – nguli këmbë zonja Kozeli. – Më kujtohen sytë e tu të asaj dite se si shkëlqenin. Dhe u emocionova. Pastaj erdhën ato që erdhën dhe..Më duhet të të them atë që kam menduar gjithë këto kohë. Ti je grua e re dhe ndoshta të duhet një marrëdhënie. Nuk flas aspak për martesë. Nuk ka gjë më të pastër se sa të rilidhesh me dikë që të ka dashur. Ndoshta duhet ta provosh nëse vazhdon të të dojë pas heshtjes tënde të gjatë..
– Ndoshta ke të drejt, – ia ktheu ajo pa u menduar. – Por vitet, jeta bën të sajën dhe unë mendoj se ai njeri tashmë duhet të ketë krijuar familjen e vet, ndoshta ka një dashurinë tjetër, ndoshta. Nuk ia vlen,- shtoi pas pak..
Kjo kafene qe një mjedis parisien nga ato më klasikët dhe Klea mendoi edhe një herë se porosia që sillte me vete kjo grua tipike shqiptare ishte po aq klasike. Tri vjet pas vdekjes së të shoq ajo nuk kishte menduar kurrë se mund të rimartohej, ndonëse ishte shumë e re. Lidhja me Klement Zoton i pat ngjarë një stuhie që përmbyt gjithçka e, fill pas saj del dielli. Ata ishin njohur në një ekspozitë pikturash pikërisht aty në Paris, ku ai kishte tri punë të veta, mes dhjetë artistësh shqiptarë. Ajo kishte shkuar aty më shumë për të nxjerrë mallin me vendin e saj, sesa të shijonte vet ekspozitën. Ky burrë, rreth të dyzetave atëherë, e kishte kapur lehtësisht për dore, e kishte shpënë para tri tablove të veta, ishte munduar të tregonte se ndrojtja që e mundonte ishte në se Parisi mund të pranonte ca mediokritete të tilla si të tijat, pastaj dhe i tha nëse ishte e mundur ta fotografonte zonjën para njërës prej pikturave të tij. Ajo pranoi gëzueshëm, ky tip i ngjau disi fëmijëror, – apo ndoshta kështu janë të gjithë artistët (?!) – llomotiti se ndoshta përmes facebookut do t’ja dërgonte këtë foto.. Kjo e ndjeu se fjalët e fundit u ngjanin një klithme flirti dhe këtë ajo e ndjeu menjëherë.
Kaluan disa muaj. Në vizitën e saj të parë në Tiranë ajo ndjeu nevojën ta takonte edhe një herë këtë njeri. Sigurisht ai i kishte dërguar fotografinë, – një krijim artistik, madje edhe me ndonjë retushim , sidomos te sytë, – prandaj i pat kërkuar numrin e telefonit. Por nuk pati rast t’i telefononte deri ditën kur Tiranën e gjeti të mbytur në diell. Te “Taiwani”, një lokal jo vetëm në qendër, ku u takuan, ai e përqafoi lehtë, Klea u ndje disi e nemitur me kokën te supi i tij, pastaj bisedat u ngatërruan nga pikturat e tij e deri te punët e saj. Për herë të parë ai i tha se ishte krejtësisht singëll, – një fjalë që gruaja e përtypi si një lajthi të pathyer. Buzëqeshi lehtë. Sigurisht që ia kishte thënë këtë gjendje se, përkundër tij, ajo ishte e martuar. Pastaj ai nisi të tregonte se do kishte pasur shumë dëshirë që ta hanin drekën bashkë. Por te Klea ky propozim sikur theu për herë të parë mirësinë e atij njeriu. Gruaja u përpëlit, tha se vononte për te prindërit dhe nëse do kishte ndonjë mundësi tjetër në ditët e ardhshme, do të kishte kënaqësi të pinin një gotë verë së toku. Çuditërisht ai nuk nguli këmbë aspak. Përkundrazi u ngrit në këmbë dhe e përcolli deri te makina e saj e marrë me qira. Atje nuk u përqafoj. Klea këtë e mbante mend mirë. Thjesht ai mbylli me kujdes derën e makinës pasi ajo u vendos lehtë para timonit. E përshëndeti i buzëqeshur. Befas, sapo u nis, ajo ndjeu se paskëtaj, për shumë kohë, diçka do t’i mungonte gjithmonë.
Disa minuta më vonë e harroi. Një trafik Tirane, nga ato që të nervozojnë e nuk di se nga duhet t’ia mbash, e detyroi të përqendrohej e gjitha në rrugën që kishte përpara.
Në të vërtetë ata u gjendën për drekë tri ditë më pas. Qenë takuar përsëri te trotuari i “Taiwanit” dhe po aty ai i tha se dinte një restorant të mirë. Hipi në makinën e saj. Kleas i bëri përshtypje kur ai preferoi të qëndronte në sediljen e pasme e jo pranë saj. Mos ndruhej se e shihnin me një grua? Ky mendim i vetëtiu për një sekondë aq sa rruga iu shua. Pastaj mori vetën. Nuk pyeti. Megjithëse vërtet restoranti ishte një nga lokalet më të bukura të Tiranës Kleas nuk i pëlqeu asgjë. Kishte porositur karkaleca, ai po hante kokëulur një pjatë me zarzavate të pjekura dhe gjerbte lehtë herë pas herë pak verë, kurse ajo ishte gati të lëshonte pirunin dhe thikën mbi pjatancë e të thoshte se ndoshta mund të porosite diçka tjetër. Por ai ishte aq i pavëmendshëm gjatë të ngrënit sa thuajse ajo ndjeu ndrojtje të kërkonte diçka. Kur u duk se tashmë ishte ngopur, ai fshiu lehtë buzët me pecetë dhe tha befas.
– Nuk të pëlqen?
– Jo, – tha ajo thjesht. – sikur të porositja diçka tjetër, sepse do të më marr uria sa të mbërrij në shtëpi.
Piktori thirri menjëherë kamerierin, i tha t’i sillte zonjës çfarë dëshironte, ajo porositi si ai zarzavate të pjekura me peshk salmon, piu pak verë deri sa të mbërrinte porosia dhe, për herë të parë atë çast, ai e vështroi me këmbëngulje drejt në sy.
– Je shumë e bukur, e di? – tha pastaj me po ato buzë gjysmë të hapura.
– Oh, faleminderit! – u përskuq ajo.- Komplimentet u pëlqejnë grave..
– Nuk dihet se çfarë u pëlqejnë burrave, – qeshi ai lirshëm.- Komplimentet jo.. Burrave si unë, për shembull, do t’u pëlqente të përkëdheleshin nga pak, sa të kuptonin se kishin tërhequr vëmendjen e një gruaje. Pastaj do të donin të zhyteshin në atë që quhet e panjohura e shpirtit që kanë përballë. Sepse unë do të doja të zbuloja se çfarë mendon ti në këto çaste kur je duke drekuar me një burrë si unë.
– Asgjë, nuk mendoj, të siguroj..Ah, po, pak më parë nuk dija se si të të thoshja se këtu gatuajnë jo aq mirë, se doja ta ktheja pjatën me karkaleca, por pastaj..
– Kjo tregon se ne jemi ende të panjohur, – tha ai duke vështruar pjatën e tij të boshatisur.- Sigurisht e ndjeva këtë që po thua. Shihja se si vërtitej piruni e thika kot nëpër pjatë.
– Ne nuk po flasim fare për pikturën tënde, – tha ajo duke dashur t’i tërhiqte vëmendjen nga ky fill bisede pak bezdisës.
– Po, vërtet, – ai bëri disi ironikun.-Nuk po flasim për shkakun e njohjes sonë të vockël..
– Jo, pse, – kundërshtoi faqeskuqur ajo, – ne mund të na njihte edhe një shkak tjetër. Në jetë ka plotë rastësi..
Heshti ca, as ai nuk donte të fliste më. Mori në dorë gotën e verës, shtiu nga broka edhe pak dhe i tha se dëshironte ta pinte me të duke përmendur një emër.
Klea e vështroi e habitur. Një emër? Një shëndet, donte të thoshte ai..
– Shëndetin tënd, – ia ktheu ajo e çliruar.
– Jo, shëndetin tonë..Unë e ti duhet të jemi plot shëndet që të kemi rastin të takohemi edhe herë tjetër. Shumë herë të tjera..
– Jemi larg, për fat të keq.. Por, nuk i dihet…
Befas ai zgjati drejt dorën e zbrazur mbi tavolinë të kthyer nga pëllëmba. Ishte aq i pakuptueshëm ky gjest sa ajo u hutua. E vështroi drejt në sy. Kishte një përpëlitje ankthi atje dhe kjo dukej qartë.
– Më jep pak dorën tënde, – tha ai këmbëngulës.
Klea ia zgjati me ndrojtje. Ai ia mbështolli lehtë. Ishte një dorë e bardhë, e vogël, e brishtë e ngrohtë. Ia mbajti disa sekonda kështu. Pastaj u ngrit, u përkul drejt saj dhe bëri një gjest kalorësiak. Ia puthi lehtë.
– Faleminderit! – tha jo me aq afsh.
Pas kësaj gjithçka ndryshoi. Ishte njëlloj sikur koha të ishte kthyer përmbys, sikur globi të mërmëriste se po i afroheshin meteorë të rrezikshëm, sikur ajo sallë restoranti të mos kishte më dimensione, ose të mos ishte aspak e tillë.. Më shumë heshtën. Ai ndodhej ato çaste mes dilemës në se ky gjest duhej bërë apo jo. Ndoshta ishte nxituar. Ndoshta i kishte dhënë të drejtën kësaj gruaje të mendonte se ai qe një mashkull krejt i rëndomtë. Po në të vërtetë përse e bëri? Kush ia kërkoi? Çfarë shkaku i kishte dhënë ajo? Nuk mund të përgjigjej. Qe një klithmë e brendshme e cila kishte kapërcyer të gjitha pengesat e frymës, të gjakut, të moralit, të shpirtit të pagjendur të kohës, dhe kishte mbërritur te buzët e tij.
– Nëse gabova ma thuaj, – tha ai duke mos iu drejtuar aspak asaj. Fliste me vete. Dhe nuk ngriti sytë ta shikonte.
– Nuk bëre asgjë që të quhet gabim, – ia ktheu Klea po aq mërmëritëse.- Gëzuar!, – tha befas ajo duke afruar gotën e saj me të tijën
Pasoi një tingëllimë e qelqtë që mbeti në ajër disa sekonda. Pastaj ai e ktheu verën me fund dhe ajo sepse mendoi se duhej ta bënte edhe vet..
Dy orë më pas ai do ta puthte te ashensori. E përsëriti edhe një herë para se të hapeshin dyert. Ajo tha se mund të pinin një kafe në bar. Pas kësaj ata ishin bërë më të afërt se kurrë..
Puthja është kufiri femëror që lejon prekjen. Prekja nuk parashikon më pasiguri. Ata u puthën edhe një herë aty në sy të klientëve në kafe. Një ngërç i çuditshëm vinte e ikte prej trupit të saj. Dhe ai e ndjeu këtë në përskuqjen faqeve.
– Sikur të shkonim diku e të ndiheshim vetëm, fare vetëm..? Vetëm do të thotë unë e ti, ti dhe unë.
– Vetëm do të thotë..vetëm, – ia ktheu ajo duke buzëqeshur. – Pra unë me vetveten. Ose ti me vetveten..
– Por kur ndjen se uni është i përgjysmuar tashmë pa vetveten tjetër?
Dhe u ngritën..Dhe u gjendën në katin e sipërm të asaj ndërtese që ishte njëherësh edhe hotel. Dhe në ashensor ai nuk ngopej së puthuri. Madje kur u arrit kati i gjashtë, ai shtypi butonin dhe e ktheu mjetin në katin e tretë, pastaj përsëri lartë..
Sesi u err ajo ditë asnjëherë nuk do të dinin ta tregonin…
2.

Në mëngjes ajo pyeti nëpunësin pritës e hotelit në se mund t’i tregonte sesi shkohej te Museo “Engizio”. Tjetri buzëqeshi sikur ta njihte ankthin e zonjës. I tha se mund të shkonte edhe me këmbë, nëse nuk dëshironte të paguante taksi, sepse ndodhej afër. Pas Duomos, do të merrte rrugën e dytë në veriperëndim. Nuk e dinte së se madama kishte dëgjuar për Castello Sforzesco..(vijon)

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.