SEGMENTI I VDEKJEVE nga Mihallaq Qilleri

Mihallaq Qilleri

SEGMENTI I VDEKJEVE

-T R E G I M-

( Pjesa e Dytë )

2.

Në mëngjes ajo pyeti nëpunësin pritës e hotelit në se mund t’i tregonte sesi shkohej te Museo “Engizio”. Tjetri buzëqeshi sikur ta njihte ankthin e zonjës. I tha se mund të shkonte edhe me këmbë, nëse nuk dëshironte të paguante taksi, sepse ndodhej afër. Pas Duomos, do të merrte rrugën e dytë në veriperëndim. Nuk e dinte së se madama kishte dëgjuar për Castello Sforzesco..
– Të gjitha këto i kam parë diku, – tha Klea e ndrojtur.
– Përballë, Castellos, – tha nëpunës me italishten e tij të shpejtë si një breshëri automatiku..Është një ndërtesë…
– Do pyes sa të mbërrijë afër, – përfundoi Klea.
Dita qe e bukur dhe ecja sikur i bënte mirë. Milano qe një qytet i çuditshëm ku në çdo qoshe shihej diçka prej shekullit të kaluar, ndërsa katedralja magjepse Duomo, do ta habiste me arkitekturën aq të imët, aq luksoze, aq vertikale.
Priste që takimi me me Klementin të ishte një lloj falje për gjithë sjelljen e saj të viteve të fundit. Sidomos pas sëmundjes së të shoq. Kur mësoi se ky vuante nga një kancer në mëlçi e gjithë bota e saj sikur u ndrydh, u nxi, u mpak. Sigurisht në telefonatat e fundit ajo i foli disa herë për të keqen që e priste. Por edhe ai, sikur fshehu me kujdes të gjitha shprehjet e nxehta të dashurisë, nisi ta pyeste me dhembshuri për gjithçka po i ndodhte njeriut të saj, ndërsa shqetësimi që ndjente për ngjarjen i dha të kuptonte edhe një herë se kjo grua tashmë mund ta paloste e fshihte diku si një rrobe të vjetër aventurën e tij. Fjalët e fundit i këmbyen disa ditë pas vdekjes së tij. Dhe kjo falë telefonatave e mesazheve të tij këmbëngulëse. Që nga ajo kohë Klea e mbylli gjithë komunikimin me piktorin. Ndërroi numrin e telefonit, shuajti faqen e facebookut dhe tregoi kështu se tashmë duhej të jetonte me këtë humbje, me këtë dhimbje, me dhimbjen e vajzës së saj aq të pikëlluar. Përpjekjet e tij, disa herë të çmendura për të rigjallëruar lidhjen me këtë qenie, të cilën tashmë ishte krejt i sigurt se e donte aq shumë, ranë në humnerën e së panjohurës. Dy ditë kishte udhëtuar deri në Paris, kishte parë me vëmendje se kushedi, kush, dikush, mund të tregonte për frymën e saj, por u kthye i dëshpëruar. .. Të gjitha dëshirat e tij tashmë ishin përqendruar te përfytyrimet, tek fantazia e asaj periudhe që përjetuan bashkë, sidomos në ato orë magjike në hotel. Nisi të vizatonte portrete pas portretesh, të cilat i griste pasi i përfundonte. Ai besonte se truri i tij po humbiste imagjinatën. Disa vjet pa e parë askund, mund ta kishin bërë Klean, përshembull, një grua të shëndoshë tashmë, ndërsa tiparet..
Kaloi përbri monumentit gjigant të Giuseppe Garibaldit, i hodhi një sy vetiu fytyrës së tij të ashpër dhe shpejt do të mbërrinte në një shesh të gjelbër, të gjerë, gjysmë të rrumbullakët ku ngrihej një kështjellë mesjetare. Kështjella nuk kishte kurrfarë lidhje me kalatë shqiptare, aq të zymta e të larta, me frëngji në vend të dritareve. Castello Sforzesco mund të quhej një pallat i kolosal, i ndërtuar me shijet e dikurshme.
Zemra nisi t’i rrihte fort. Ishte si një ndjesi drithërues ripërtëritjeje. Po afronte një çast kur duhej të përgjigjej edhe për heshtjen e saj, për ankthin që i kishte shkaktuar në plot pesë vitesh të jashtëzakonshme. Sepse edhe koha pas vdekjes së të shoq i ngjante një inversi shpirtëror kur diçka e formësuar jo në arkitekturën e gëzimit por të humbjes, të dhimbjes, tretej e mbledhura pikë-pikë, si një akull që nis e shkrin me ngrohjen e kohës. Po mendonte njëherësh se po kryente një akt shpëtimtar për ndërgjegjen e saj, duke i zëvendësuar vitet e shpërfilljes me një ide të re, të cilën ai duhej ta kuptonte e ta ndjente. Ajo do t’i tregonte se me gjithë heshtjen, me gjithë fshehjen, ai pat qenë aty, brenda saj, gjithë atë ndërkohë të gjatë. Pëlhurën gri të shmangies, thjesht e pat nderur mbi qiellin e dashurisë së dikurshme që vet atë, burrin e mrekullueshëm, të mos e lagnin stuhitë e shpirtit të saj.
Po sikur të mos e besonte? Sikur tashmë ai të kishte krijuar familjen e tij së bashku me famën e madhe? Një ekspozitë në Milano, si dikur në Paris, do të thoshte se vepra e tij po pëlqehej gjithmonë e më shumë. Ishte e pamundur që ky burrë të mos kishte tërhequr tashmë vëmendjen e grave..
– Museo Engizio, signor, – i tha një burri mbi të pesëdhjetat që po ecte aty pranë saj.
Tjetri e shikoi disi i habitur. E ndjeu menjëherë se zonja e bukur nuk duhej të ishte italiane. I buzëqeshi dhe i tregoi me dorë një varg ndërtesash që shtriheshin matanë unazës së rrethonte Castellon.
E falënderoi. Ah, i pat kaluar aq afër dhe nuk e kishte vënë re!
Kaloi me shpejtësi rrugën e, ndërkohë, zemra nisi t’i rrihte fort. Qysh në ballinë pa jo vetëm emrin e muzeut, por një reklamë të vogël ku shënohej se aty brenda qe hapur një ekspozitë piktorësh shqiptarë. Një bashkëpunim i Ministrisë së Jashtme italiane dhe Konsullatës shqiptare të Milanos, siç thuhej. Dera ishte hapur. Ajo vendosi dorën mbi gjoks. Sikur iu mpinë këmbët. Po sikur..
Hyri. Ishte një mjedis gati-gati klasik, me mure të veshura me letër të disenjuar. Vuri se përtej, në fund të sallës së madhe, të ngjitnin për në katin e dytë një palë shkallë të përdredhura. Holli, pra, nëse mund ta quante kështu, ishte i mbushur me tablo. Përgjatë tyre, duke i vëzhguar me nge, lëvizte vetëm një burrë. Ishte ende mëngjes dhe vizitorë kishte pak. Ca më mirë, i tha vetes. Ndoshta ai nuk është fare këtu, por gjithsesi dikush do më thonë se ku mund ta gjej, ku mund ta takoj..
E mbërtheu ankthi. Nuk dinte sesi të sillej. Te një tavolinë të vogël ndodhej një grua e vjetër e cila shiste biletat e hyrjes. Ajo pagoi 20 euro, e mori copën e letrës ne dorë, e vështroi sikur të mos dinte se ku ta fshihte dhe bëri disa hapa përpara. Qëndroi. Ndjente sikur sytë e zonjës që i preu biletën e shikonin me kureshtje. Kjo i dha një mendim. Ndoshta po kjo grua mund ta ndihmonte për të pyetur për njeriun e saj, pasi t’i kishte hedhur më parë një sy ekspozitës.
Ndihej gjithë ankth, gati e kontraktuar. Nisi të shikonte tablotë një nga një. Befas njohu inicialet e firmës së tij, por u habit kur në vend të një K-je, në cepin e poshtëm përdridheshin si dy ornamente mesjetare dy të tilla. O, Zot, ai përdorte për mbiemër edhe emrin e saj?!! Shkundi vetveten. Nisi të përqendrohej te punët e tij. Tri, katër, pesë tablo. .Pra më shumë sesa kishte pasur në Ekspozitën e Parisit.
E vërteta është se Kleas i pëlqente e bukura, por gjithsesi, ajo besonte se piktura, sidomos veprat moderne, asaj i linin një farë pështjellimi. Nuk lëvizte aq qartë nëpër idetë e formave të tyre. Ajo lexonte shumë letërsi, por këtu… Ndoshta.. Befas ngriu.. Një portret madhështor, nga ato që nuk kishin kurrëfarë lidhjeje me Picason, por me konceptet e pikturës surrealiste, një portret që e vështronte nga muri ashtu, thjesht, me një buzëqeshje të imët, ca sy të mëdhenj të kaltër nën vetullash të harkuara, flokët e krehura si dikur në vitet 70,-t, një qafë e gjatë që zbulohej nën jakat e trasha të një palltoje gri, ndodhej tani përballë vetvetes. U afrua në cepin e tablos. Po, edhe këtu ato.. KK. . Ai nuk e kishte harruar asnjëherë. Dhe portreti i saj qe përzgjedhur këtu si nga veprat e tij më të arrira..
Po ai ku ishte?
Bëri një hap më tej për të parë tablonë pasardhëse, por ishte e pamundur të lëvizte. Duhej të bënte një sforcim të pazakontë për të mos e lëshuar veten. Vizitori para saj thuajse ishte duke përfunduar vëzhgimin. Ajo e ndjeu sesi ai përshëndeti zonjën që shiste biletat në afërsi të portës së sallës dhe doli. Drithërimat iu shtuan. Kishte mbetur vetëm. Tani ajo ishte para veprave të tij, para vetvetes të harruar aty në një muze të ftohtë disi.. Ndoshta askush nuk e njihte këtë portret, askush nuk do ta njihte.. Sa njerëz përpiqen edhe pas shekujsh të identifikojnë Mona Lizën?
Nxitoi hapat. Vuri re se gruaja e biletave ishte zhytur në leximin e një libri. Kështu kalonte kohën. Kur po gjendej në faqen tjetër të sallës, ajo ktheu kokën dhe pa edhe një herë portretin e saj. A nuk këshillohej se piktura mund të shijohet duke u parë së largu? Mjegull.. Jo, nuk ishte ajo.. Pse i qe dukur vetvetja? Dyshimi qe i tmerrshëm. O, perëndi! Kishte pretenduar aq shumë! Ktheu shpinën dhe iu drejtua portretit duke përshkuar sallën mes përmes. Sa më shumë i afrohej aq më tepër ndjente se diçka prej thellësisë së vetvetes syprinohej dhe, për herë të parë, mendoi se ai burrë e kishte zhbiruar psikologjinë e saj si vetveten. Ose më e saktë do të ishte të besonte se, ja, kështu e sendërtonte ai..Duhej ta hidhte tej ndrojtjen dhe të pyeste menjëherë se ku gjendeshin tani autorët e ekspozitës. Çapiti drejt zonjës së biletave. Pa u përballur me të vërejti se po mbi tavolinën e saj gjendesh një tog albumesh me veprat e ekspozitës. Nuk duhej të harronte për çdo rast të merrte një katalog të tillë. Me siguri aty brenda ishte edhe portreti i saj.
Zonja milanezë e ndjeu hijen që po i afrohej dhe ngriti kokën. Në metrin e fundit ato sikur kishin përpirë njëra-tjetrën.
– A mund të flas frëngjisht,? – pyeti Klea shumë e tronditur.
– Sigurisht, – ia ktheu italiania.
– Ku mund të takoj autorët e ekspozitës, apo dikë që i ka sjellë këto punë këtu?
– Autorët?
Ajo ngriti vetullat e holla sikur të ishte habitur nga kjo pyetje.
– Disa mund të gjenden, – ia ktheu punonjësja mëdyshas. – Të tjerët…Gjithsesi ata vijnë kryesisht pasdite sepse atëherë ekspozita ka më shumë vizitorë. Cilin do të dëshironit të takoni ju?
– Nuk ka rëndësi, – ia ktheu Klea disi e bezdisur.- Jam nga Shqipëria dhe do kisha dëshirë t’i njihja..
– Kërkoni të blini diçka?
U step. Sa mund të kostonte portreti i saj?- i vetëtiu në mendje.
– Nuk e di, varet, – ia ktheu ajo.- Por unë desha të takoja dikë prej tyre.
– Më prisni, – tha gruaja me një mirësjellje mondane si të shekullit të kaluar.
Nxori celularin dhe gjeti një numër. Priti disa sekonda. Pastaj tha një frazë italisht. Tjetri iu përgjigj disi rrëmbyeshëm.
– I flisni, – tha kujdestarja e ekspozitës. – mund t’i flisni shqip.
– Alo, – u gëlltit ajo, – Gjendem këtu në Milano, në ekspozitën tuaj. Por vij nga Parisi dhe do të doja të dija nëse është në grupin tuaj edhe Klement Zoto..
– Nuk kuptoj, – tha tjetri, – jeni njeriu i Kleos?
– Po, – tha ajo me guxim.
– Dhe sa kohë keni pa e takuar?
– Kam ca, – tha ajo prerë. Nuk po i pëlqente që tjetri i bënte aq shumë pyetje. – Dua të di në se është këtu me ekspozitën dhe kur mund ta takoj.
Matanë telefonit ra një heshtje e çuditshme. Ajo priti deri sa tjetri t’i përgjigjej, por kur ndjeu një frymëmarrje të thellë, shtoi.
– Alo, alo, aty jeni ?
– Po , – tha me ngashërim tjetri – Këtu jam..Si t’ua them.. Po Klementi ka dy vjet që ka vdekur, zonjë, nuk e dini ju?!! Punët e tij i kam sjellë unë në ekspozitë.
Mbylli me shpejtësi celularin dhe ia la zonjës përmbi tavolinë. Ngriu. Ishte e pamundur ta besonte. Dhe ajo e kishte fshirë aq vite më parë këtë qenie që …I u mbushën sytë me lot. Dridhej. Vetiu mori nga togu një katalog të pikturave të ekspozuara, përshëndeti lehtë zonjën që po shihte e çoroditur ndryshimin që pësoi fytyra e vizitores së çuditshme, lëshoi një grazie të thjesht dhe doli jashtë..
Dielli i Milanos kishte pushtuar muret e Castello Sforzesco sikur të zhbironte diçka nga vjetërsia e vet. Ndoshta atë tablo mund ta blente me internet edhe nga Parisi..
Sa e trishtuar ndihej!

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.