SERGEJ ESENIN nga Jorgo Bllaci

Jorgo Bllaci

SHAGANE, TI IMJA SHAGANE

Shagane, shpirti im, Shagane!
Sepse jam nga veriu, prandaj
Po të flas ty për fushën pa skaj,
Për thekrishtën nën hënën pa re.
Shagane, shpirti im, Shagane!

Sepse jam nga veriu, prandaj
Atje hëna më duket m’e plotë;
Ndoshta s’ka si Shirazi në botë,
Po Rjazanin nga zemra s’e ndaj,
Sepse jam nga veriu, prandaj.

Po të flas ty për fushën pa skaj;
Këto flokë i kam marë thekrishtës;
Po të duash, përdridhi ndër gishta,
Mos pandeh se më dhembin e qaj.
Po të flas ty për fushën pa skaj.

Për thekrishtën nën hënën pa re,
Shiko dallgët te flokët e mi;
Qesh, e luaj me to si fëmi,
Mos më zgjo veç kujtimin që fle,
Për thekrishten nën hënën pa re.

Shagane, shpirti im, Shagane!
Atje larg në veri, ka të ngjarë,
Një leshverdhë, si ti ledhatare,
Ndoshta vuan për mua ende…
Shagane, shpirti im, Shagane!

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.