SHAKA ME NJË GRUA QË DUA nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

SHAKA ME NJË GRUA QË DUA

Ti je Planet, unë-universi
Numëroj  planetët dhe ty.
Po te dua Planetin tënd e përpije,
Dhe ty si qershi.
Unë bëj Rrugën e Qumështit,
Për ty bëhem shi.

Unë bëj Rrugën e Qumështit
Jam gjithsesi…
Sepse në çdo hap,
Në çdo kujdes
Në ëndërr…
Ti je një qershi.
Unë univers yt
Që të mbaj në gji.

SIÇ PO TË THEM

Poetët nuk flenë gjatë,
Flenë pak dhe ëndërrojnë shumë.
Po ti qenke gjumashe,
Sa do të të shkund nga krevati dhe do të të lag në lumë.
Kur të zgjohesh  do t’i gjesh teshat e lagura,
Do t’i lag unë për hakmarrje,
Që nuk më vjen në ëndërr të flasësh.
Unë do të shkoj te doktoresha,
Dhe te berberë të pres flokët,
Po më pyeten për ty, do t’u them se nuk të njoh.
Do t’u tregoj fotografinë tënde dhe do të të shaj.
Do të të shaj për kumbullat që nuk kanë çelur…
Dhe për shumë e shumë gjëra të tjera do t’u flasë.
Do të gënjejë p.sh. që ti nuk je e bukur,
Do të gënjej p.sh që ti nuk ke fokë të gjatë,
Do të them se ti nuk më ke lodhur,
Do të them se ti nuk më ke lënë pa ngrënë.
Do të them se je e pabesë dhe prapë do të gënjej,
Do përpiqem kështu si po të them,
Sa mundem keq të të bëj.
Që ti kur të zgjohesh të mbetesh pa mend,
Nga inati do ta bëj, siç bën ti,
Në ëndërr dhe nga inati që ti s’më del…

ISHE TI

Ishe ti, ishe ti që vodhe Prometeun,
Para se Prometeu të vidhte Perënditë.
Me zjarrin e tij sa më shumë të më joshje,
Dhe sa më shumë të ishe ti e mirë.

Ah, moj mike, të më kishe vjedhur mua,
S’do ma kishe ngulur në kokë marrëzinë…
Se unë Perënditë s’do t’i kisha vjedhur,
Botën ta ngjyeja me benzinë.

Ah, moj mike, të më kishe vjedhur mua,
Sa mirë kjo botë me Perënditë do ta kish.
S’do kish më të varfër e të robtuar
Guri i Sizifit-për fajin tënd, natyrisht…

E shumta, poetët nga pak do t’i vidhja,
Prej tyre do merrja aq zjarr dhe dritë,
Sa mos mërdhija mbrëmjeve e të shihja
Ty, veten dhe Perënditë.

Ç’na bëre, moj mike, ah, medet…
Si s’të erdhi keq e ta mendoje më mirë,
Na prishe që na prishe Prometeun,
Na prishe që na prishe me Perënditë.

Ç’na u desh kaq zjarr, moj, ç’na u desh,
Sa për të djegur gjithçka, moj, për dreq,
Veç Prometeun mos kishe vjedhur,
Se zjarrin brenda teje e pate ti vetë.

Na prishe që na prishe Prometeun,
Na prishe që na prishe me Perënditë.
Por ishe ti, që vodhe Prometeun,
Para se Prometeu të vidhte Perënditë.

BORË, MOLLË DHE LOJË

Mollë po m’ijell, i them Evës,
Ja’ në arë të m’jellim mollë,
Është janar dhe fryn erë,
Është janar dhe bije borë.

Dy mijë rrënjë i vura kodrës
Si kordele në të ftohtë,
Dy mijë rrënjë kur të vij marsi,
Dy mijë rrënjë mars e flokë.

Eva qesh, me mua tallët
Dhe me quan burrë babosh.
Borën bën në topa-topa
Me qëllon, me mua loz.

Shpejt e shpejt më bënë prej bore,
Më thëngjij bën sytë e mi,
Një karotë për hundë e gojë,
Gjin’ e saj që unë të pi.

Thotë je dimri, unë- vera,
Ti po pret të vij pranvera,
Ti je dora, unë bëj zemra,
Ti, mollë, unë lind gërsheta,

Bëj ta zë ndër fjolla bore,
Bëj ta zë ta mbaj në arë…
Eva qesh tund jo-në e gishtit
Bëj si bëj më merr në shtrat.

Thonë pastaj se hëngri mollën,
Thonë pastaj se çel në maj,
Thonë pastaj se është legjenda..
Bota- borë me botën- fjalë.

Kështu lindi për një javë,
Bota – borë me botën -fjalë.
Unë mbillja, Eva qeshte
Mollë dhe borë e doli djalë.

KA NDODHUR ME 1 PRILL

Jam shumë i mërzitur me ty, se je larg.
Sonte do të dal buzë liqenit të të pres ty.
Po s’erdhe do të hyj në ujë të lagem.
Po u laga do të mërdhij së ftohti dhe do vdes.
Po vdiqa nuk do të vij për verë të pi me ty verë.
Kur të më vijë gruaja do të më fus një tjetër shpullë
Kam pirë cigaren në sallë. Dhe e tërë kjo për fajin tënd.
Do të mërzitem me ty dhe do të shpall luftë.
Në luftë ty do të bëhet qejfi që unë të bie…
Do të kesh pastaj mundësi të vishesh me të zeza dhe të blesh lule.
Unë lulet i  desha për puthjet e tua.
Atëherë do të jetë vonë dhe nuk do të ketë lule,
Por duartrokitje dhe të puthura.
Ti do të dehesh me verë dhe do të më flasësh në heshtje.
Unë do të qesh dhe do të ngrihem nga varri.
Në varrin tim kishte qenë një ketër.
Ti do të shkruash një poezi tjetër për mua
Dhe unë do të recitoj vargje për rabeckën.
Rabecka ishte e vogël dhe e kuqe
Unë e pyes se nga e kam nusen.
Rabecka erdhi drejt teje
Dhe unë thashë se është gënjeshtër.
Tani, kur thonë se 1 prilli është gënjeshtër,
Ty dhe mua më vjen për të qeshur.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.