SHËNIME PËR KRITIKËN E GËZIM AJGERAJT nga Bedri Halimi

Bedri Halimi

KRITIKA E VLERËSIME PËR AUTORË NGA VENDE TË NDRYSHME TË VISEVE SHQIPTARE

Së shpejti del nga shtypi libri: Vlerësime kritike!..

Të flasim për një libër siç është ky me Vlerësime kritike, të autorit Gëzim Ajgeraj, është rast i rrallë. Kjo për faktin se libra të kësaj natyre studimore dhe qasjeve letrare, në këto dekadat e fundit, sikur mungojnë shumë. Por asnjëherë nuk guxojmë të mendojmë e të pajtohemi se kritika ka heshtur apo nuk mungon qasja rreth saj. Pikërisht ky libër na bën të kujtojmë se librat dhe qasja kritike, sado rrallë që vjen, ajo i qëndron në vazhdimësi afër librit. Janë vlerësimet e librave, recensionet, parathëniet apo pasthëniet, ato që e përcjellin një libër për tek lexuesi. Por si tërësi dhe në qasjen që i bën Gëzim Ajgeraj, duke mbledhur shumë libra e autorë, brenda këtyre kopertinave, tregon një qasje shumë serioze, e cila sigurisht se do të na duhet, në veçanti për lexuesin e mirfilltë dhe me qasje studimore në lëmin e letërsisë. Kjo qasje nuk ka synime apo pretendime, por shihet si nevojë dhe domosdoshmëri e ndjekjes së kësaj plejade të shkrimtarëve, pa dallime kufijsh, moshe, bagazhi librash e botimesh, apo pargjykimesh, por me dëshirën modeste, për t`i shërbyer librit dhe lexuesit, si ndërmjetësim. Etnia poetike nën një optikë kritike, nga vlerësimet e Gëzim Ajgerajt, që shpalosim në këtë libër, gjejmë një larmi krijuesish si për nga mosha ashtu edhe krijimtaria e bagazhi që bartin ata. Por ajo që na bie në sy më së tepërmi është shtrirja e krijuesve nga të gjitha hapsirat shqiptare, ku shkruhet shqip. Ky qëndrim i autorit, na jep të kuptojmë se Ai karshi librit mban një qasje universale në raport me etninë, dhe asnjëherë nuk bie nën ndikimin e rrethanave, problemeve dhe zhvillimeve të tjera që e përcjellin letërsinë. Zaten ky është tabani dhe motoja e autorit, se: letërsia i detyrohet kombit dhe është bartëse e drejtuese e të gjitha zhvillimeve që ndodhin brenda tij. Le të flasim pak me emra, për ta zbërthyer më qartë atë që e theksuam më lartë, duke u nisur nga letërsia e mërgatës ku jeton edhe vet autori për më shumë se tri dekada, ai e ndjek nga afër krijimtarinë e krijuesve si: Mustafë Xhemajli, Brahim Avdyli, Muharrem Blakaj, e disa të tjerë, krijues në Zvicër, apo atë të poeteshës Mardena Kelmendi në Itali e Faridin Tafallari në Gjermani, dhe të tjerë që do të përmenden gjatë fjalës sonë.
Nga Shqipëria shkruan për krijimet e autorëve si Namik Selmani, poetin martir Havzi Nela, Petrit Palushin, Vera Istrefin, Rexhep Shahun, Ganimete Thaqin, etj, apo në etninë krijuese të shqiptarëve në Maqedoni, siç është Isuf Sherifi, pastaj në Preshevë siç është Lule Adili etj.
Ndërsa për sa i përket hapsirave të letërsisë në Kosovë, dominojnë shumë emra, dhe numri i krijuesve të përmbledhur në këto vështrime, ku kemi krijues nga shumë hapsira siç janë: Mehmet Bislimi nga Prekazi, Shqipe Hasani e Flori Bruqi, Prishtinë, pastaj krijues që janë të përfshirë edhe libra antologjik të botuar në Prishtinë si; Pikoi molla gjak nga LSHK-ja, apo disa numra të revistës letrare; Jeta e re, pastaj antologji të botuara nga bibloteka ndërkomunale e qytetit të Prizrenit etj, ku disa nga këto antologji janë hartuar edhe nga vet autori i këtij libri.
Një qasje që e ndjek me shumë seriozitet janë edhe krijuesit lokal të qytetit prej nga vjen autori. Kjo qasje sikur i vihet detyrimisht, sepse vlerësimet për librat e krijuesve të kësaj ane, duket sikur domdoshmërisht i krijuan këtë komoditet që të merret më tepër me to. Dallojmë këtu krijuesit Prizrenas si: Nexhat Çoçaj, Ilam Berisha, Qazim Thaçi, Orhan Gashi, Xhyhere Maqkaj, etj, apo siç është edhe qasja ndaj disa numrave të revistës për fëmijë; Fidani, të edituar nga Berat Batiu, pastaj të revistës; Metafora, botimi i vet autorit, e të tjerë. Kësaj optike nuk i mbeten anash as krijuesit tani më dëshmorë siç janë Xhemajli Berisha dhe Xhevat Berisha. Ndërsa ndër emrat që nuk ngelen në harresë, pamvarësisht se ata nuk jetojnë më, janë: Abdullah Thaqi, Yrjet Berisha, Faik Beqaj, etj.
Përtej kësaj qasje lokale, një qasje shumë serioze, Gëzim Ajgeraj e ndanë edhe me krijuesit e Opojës, që na jep të kuptojmë se Ai e ndjek nga afër letërsinë që krijohet në këto anë. Dhe me të drejtë, mund të konstatojmë se nuk mund t`i ketë ikur libër që të mos jetë lexuar apo edhe vlerësuar nga autori.
Pra me këtë libër të vështrimeve kritike, Gëzim Ajgeraj dëshmon se, kritika e tij nuk njeh kufijë krijuesish, nuk ka moshë krijueshish, nuk ka as paragjykime e as ndarje krahinore e klanore. Letërsinë, Ai e sheh brenda një tabani kombëtar, dhe si të tillë e vlerëson. Por le të ndalemi edhe tek emrat e krijuesve nga kjo anë, që të mos i ngelemi borxh qasjes sonë ndaj librit dhe autorit. Ismet Lecaj, Ibrahim Skenderi, Abaz çengaj, Osmon Bojaxhiu, Demir Reshiti, Rizan Krasniqi, Mirsad Kuteli, Bedri Halimi, etj, janë krijuesit, poetët e studijuesit, me të cilët autori ka ndarë mendimin për librat e tyre. Për nga natyra, duket sikur ka një dominancë të disa shkrimeve për disa autorë, por duhet përmendur fakti se Gëzim Ajgeraj, është marrë në tërsi me studimin e veprës së Ibrahim Skenderit dhe asaj të Bedri Halimit. Për këta dy poet e shkrimtarë, Ai ka botuar edhe dy vepra studimore të veçanta, prandaj edhe përfshirja brenda këtij libri, ka arsyen e vet. Kjo është përzgjedhja e autorit për të cilin flet titulli që i është vënë këtij libri. Nëpërmjet titullit, arrijmë të kuptojmë se shkrimet me vlerësime kritike të shkrimtarit dhe studiuesit Gëzim Ajgeraj, nuk do të ndalen këtu, por do të vazhdojnë edhe me vëllime të tjera.
Baraspesha e një vlerësimi të peshuar shtruar. Nëse deri tani folëm për përzgjedhjen dhe përmbajtjen e librit, sigurisht do të ishte e arsyeshme të themi pak fjalë edhe për bërthamën e librit, si një optikum ku shikohen shumë krijues dhe libra të tyre, përmes prizmit të kritikës së autorit Gëzim Ajgeraj. Autori që deri më tani njihet si krijues me një bagazh të madh librash nga të gjitha lëmitë e letërsisë, tashmë e shohim edhe si kritik. Përvoja në krijimtari por edhe njohja e artit, kanë bërë që qasja e tij të jetë thelbësore për çdo libër të prezantuar dhe për çdo autor. Optika e autorit, shënjon çdo imtësi brenda librave duke i trajtuar ato si thesare të cilat duhet paraqitur në vlerësime kritike. Është fakt interesant që mund ta gjeshë kritikën tek çdo vlerësim brenda këtijë libri; autori vlerësimet e tij i sheh brenda një koloriti ngjyrash, si një laryshi vlerash dhe krijimesh, për kohën, dhe asnjëherë nuk bën vlerësime klasike; bardh e zi, apo që të jemi më të qartë: në vlerësime si vlerë apo jo vlerë, siç jemi mësuar të dëgjojmë shpesh në këto kohë. Ai i qaset shtruar brumit të librit, dhe e vë nën mikroskopin e tij, duke analizuar bërthamën e librit, filozofinë dhe psikologjinë që ngërthen në vete libri, pa gjykime e paragjykime. Në fund të fundit, Ai e ka parasysh se lexuesi është ai që do të përcaktojë, se ç`vlera ka një libër, me përzgjedhjen e tij. Pra këtu e shohim se autori nuk synon as ngritje e as rënie, por mban një baraspeshë të mendimit, të cilin e ruan brenda vetes, kurse librit i ofron ato që i duhen ofruar, për t`i mbijetuar kohës. Ai me kujdes brenda vlerësimeve të tija, i mbledhë motivet, mesazhet, fuqinë dhe metaforat e vargjeve, si frutat e një peme, për t’i vendosur ato me kujdes në sirtarin e vlerësimeve, duke ia sjellë lexuesit majat e margaritarëve të fjalës, brenda këtij libri për librat që trajton. Nga kjo nënkuptojmë se, edhe pse ky libër është i përbërë nga vlerësime kritike, në të lexuar, ai, do të sjellë kënaqësi, sepse aty gjejmë një selektim shijeje nga ana e autorit, për t`i ofruar edhe lexuesit, kënaqësinë që Ai e ndjen brenda leximit të këtyre librave, dhe vargjeve të tyre. Nëse e shikojmë edhe nga një kënd tjetër, kjo laryshi krijuesish, dhe mendimet që shpreh ai për veprat e tyre, janë si një pasqyrë ku shikohen e rishikohen librat e autorët, të cilët në këtë kombinim forcash të mendjes e të dijes, dhe formave të librave, sikur sjellin një përvojë të mirë, nga e cila mund të përfitojë secili lexues që e lexon këtë libër.
Fare në fund dua të ndajë kënaqësinë time me autorët e përfshirë brenda këtyre vlerësimeve, dhe me lexuesin, se koha dhe kjo epokë krijuesish, e ndjenë mëse të nevojshme të kemi sa më tepër libra të tillë, ku do të peshohej e vlerësohej krijimtaria e kohës, njëkohsisht duke e uruar autorin edhe për suksese të reja.

Bedri Halimi, Prishtinë, prill, 2018

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.