1.SHENJTI I URËS PA LUM
Shpëtimtari
Vrau kulshedrën që kish shterrur ujërat
Dhe u solli lumin
Ditën e dytë të ardhjes së lumit,
Kush do na shpëtojë nga mbytja në lum?
Thërriste turma
Ditën e tretë,lumi i paemër
Shpëtimtarin e mbytur luhaste mbi dallgë
Dhe turma brohoriste ujqërisht
Në brigjet pa ura
Dikush u kujtua se duhej një urë,
Po ura don flijime,
Memecin endacak e flijuan në themel
Dhe shenjt e shpallën
Kush i kish fajet për vdekjet që erdhën:
Për mbytjen në lum,kurbanin e urës,
Sjellësi i lumit,a lumi vetë?!!
I lodhur nga akuzat,nga mosmirënjohja i lodhur,
Një natë lumi iku,
S’dihet se ku,po kurrë nuk u kthye
Ajo urë pa lum, natë për natë lshon gjamë,
Edhe pse shenjti i saj
Është i pagojë
Urë e palum,
Shenjtën të pagojë !
Të pagojët s’dëshmojnë dot për krimet…
2. PYETJE TË VJETRA
Një zë femre i hershëm,para vitit zero
Më thotë:Pse u vonove të vije në jetë?
Se unë të prita,të dashurova
Dhe mbi botë endem tash trimijë vjet
Një zë tjetër femre më vjen nga qielli:
Pse u linde kaq heret,o i shkretë?
Pas njëqind vjetësh do lindem unë
Në ty e dashuruar,thënë nga profetë
Unë i pakohë,ato të paemra ,
E vdekur njëra,e palindur tjetra
Pse linde herët,pse linde kaq vonë?
Lënë botën pa gjumë pyetjet e vjetra…
3.SHIRAT JANË SI NJERËZIT
Shirat janë si njerëzit:
Ka shi budallë
Që han dherat e shkon duke qeshur,
Ka shira të çmendur që çmendin lumenjtë,
Shira vajtues si gratë e mortit,
Një re handikape jargavitet mbi mal
Me bubullima që u merret goja
O Zot,shëroji këta qiej
Të shpëtosh njeriun
Që udhëton me varkën e Noes në shpindë!
4.SHENJA
Vetëton syri yt,vetëton:
Prej syve të drerëve
Shira do të bien
Gjëmon gjiri yt,rënkon:
Dimër të madh do të ketë!
Prej teje
Trembshëm po dalin zogjtë:
Çfarë tërmetesh ndjejnë ?
Prilli-mëz i egër
Hingëllin në ty:
Don Zoti të mos kemi luftë!
5.KY QYTET E KA VDEKJEN PREJ
ZOGJVE
Prej frymorëve të bukur të qiellit,
Prej zogjve ,do të vdesë ose do të shpëtojë
Ky qytet i mbushur me ikje
Ky qytet i delirit të një kulle
Të ndërtuar tërësisht me eshtra zogjsh !
Jo prej bilbilëve,prej trishtilëve,prej laureshave,jo,
Prej gushkuqëve,kumrive,trumcakëve,pëllumbave të egër,jo ,
As prej qyqeve,korbave,sorrave, grifshave,jo,
Prej zogjve të natës: hutit të hutuem a lakuriqit ,jo se jo,
Grip shpendësh,epidemi pluhurash kozmikë,s’do të ketë…
Prej tërmeteve,zjarreve,përmbytjeve
S’do t’i vijë gjëma,
As prej orgjive,si Gomora e Sodoma,s’do të ketë mort,
Po prej shpendëve do të shuhet, pa
shpëtim!
Fërfllazë qukapikësh po vijnë. A e ndjeni si po dridhet ajri,si një gjamë burrash ?
E po i turren qytetit të mbetur pa zogj,pa drurë,
Qiellnisht qokatin me qoktha qyqnajën,
Që qyqnon në vaje të padenja,tash e sa mot !
E po i turren qytetit,zyrave,bankave,
Parlamentit,krymb-ministrive,
Akademive të hutëve,bord-bordellove,shitësve të hijeve,
Krimba,krimba,krimba në qytetin e krimnajës së madhe,
Qok,qok,qok,brrrrrrrrr, breshëri e blertë,
E padëgjuar në asnjë luftë mbi dhe,
Qok,qok,qok,Shën- qukapikët qiellorë,
Lëkurë e krimbur e qiellit plas përmbi qytet…
Dhe ikin,ikin,ikin,krim-krimbëtarët,
Qyteti mbet shkret, shkretan i bukur e fërfllaza e qukapikëve
Drurët i bën libra kujtese !