SHIU ËSHTË NDRYSHE nga Pirro Loli

Pirro Loli

SHIU ËSHTË NDRYSHE

Ajo ishte e brishtë si shiu
Flokët e zinj i vareshin mbi gjinj si ujëvarë.
U nisa nëpër shi. Bëra rrugë të gjatë nëpër ahe e shkurre
Gjer te gjunjët e saj Që shkëlqenin nga shiu.
Në kthim
gjurmët e mia monotone ishin mbushur me ujë
Nga dritaret e reve yjet zgjateshin kureshtarë
E si peshq zhyteshin
Mbi pellgje shiu.

GRUAS …

nuk i premtova fustane me lulet e qershisë
as puthje folklorike te burimi,
në buzët e prillit tim, i kam thënë
mund të pinte dhe ujë bore nga një pus pikëllimi…
por, zakonin nuk e harrova:
në çdo përvjetor martese adresën ia lë:
lart në krahët e zogjve, po deshi të ulem
Të më bëjë një zë…

FRIGORIFER

Kanë zënë brymë
Të gjithë demonët e dashurisë në frigoriferin tim
Dhe buzët dhe puthjet. Të detyruar jemi
Orë e çast t’i falemi tiranisë së dimrit që
Me mirkuptim po na i merr të gjitha stinët.
Bula djerse çelin limonatat e ftohta
Dhe mollët. Me akull është mbuluar mishi
Në katin e sipërm.Vdiq nga torturat
Pjeshka me pushin në faqe.Plasi një shishe birre
E harruar.
Zgjatemi nëpër katet e borës Sadopak
Dimrin ta zbutim
Me frymën e duarve tona.

MUZG

U vela duke puthur buzët e tua
buzët e shegës
Rubinët e ndritshëm dhe lëngun e kuq.

E plaket shega pak nga pak vyshket, ëmbëlsohet
Me trupin mavi. Nuk e di
Ç’të bëj me lëvozhgat e kuqërremta
Do t’i hedh si copa resh të ndezura
do t’ia fal muzgut
Le t’i marrë dielli në perndim,
në erën e lamtumirës
të m’i tundi si shami.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.