SHIU I ASAJ NATE nga Anejla Lako

Anejla Lako

SHIU I ASAJ NATE

Shiu butë-butë bie mbi ne,
Dhe ndrin lehtë në flokë.
Thua se po njomet vetë qielli,
Që unë e ti asgjë tjetër
Mos shohim.

Kjo natë me shi,
Ajo natë pa cati.
Pa hënë pa yje…
Vetëm unë e ti.
Kam mall për shiun,
Kam mall për ty, për natën
Për flokët e lagur.
Po ti?

Sa herë flirton qielli me yjet
Unë prek flokët
Dua ta ndjej serish
Të lagurit e asaj nate.
E dua atë shi
Që më rrjedh nëpër trup
Nëpër deje
Më prek në shpirt njësoj sikur të jesh ti.

Ah, ai shi
Rrjedh kaq ëmbëlsisht dhe ngrohtë
Sa më është bërë frymë dhe poezi!

NË FOLENË E NDJENJAVE

Kujtimet më ngatërohen,
herë-herë,
E më bëhen t’humbasin nëpër natë;
Dhe pse qielli ndrit shumë këtë verë,
Nata shkrihet në luzmë yjesh.
Lëvrin malli për ty, si ujët me shkumë,
Shpirti grryhet, siç thërmohet një shkëmb.
Edhe pse s’dua të them “të dua shumë”,
Po heshtja e këtij shpirti shumë dhemb…
Anelja Lako, 17/07/2018

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.