SHKON I VDEKURI ME TË GJALLË nga Suleman Mato

Sulejman Mato

SHKON I VDEKURI ME TË GJALLË
 -tregim-

Ajo që ndodhi atë mëngjes ishte  diçka e çuditshme, para syve të saj iu u ngjall  vëllai  i vdekur 20 vjet më parë. Ishte një mëngjes  me një shi të vazhdueshëm,  Dhora K., mësuesja e letërsisë së shkollës së mesme “Konstandin  Kristoforidhi” i hipi autobusit të unazës, atë ditë kishte dy orë me klasat e treta, në ditët me shi autobusët e unazës mbushen përplot me qytetarë  të nxituar,  të cilët, edhe për shkak të shiut të dendur, qëndrojnë te platforma, pa u shtyrë para , shtypur dhe ngjeshur me njeri-tjetrin.

Dhora K. zbuloi një hapësirë, sakaq i rroku syri  një njeri të njohur,sy kaltër, në kokë mbante një kapele të bardhë doku me strehë, ulur mbi ballë, sikur t’u përvidhej shikimeve të qytetarëve.”Kush qenka ky njeri që më vëren ngulazi, dhe në mënyrë provokuese? “Ua!…” Gati sa s’ thirri me zë të lartë , gjaku i vërshoi me vrull nëpër damarë, pati një ndjesi se po i zihej fryma,diçka i krisi përbrenda…”Ua!Ua!  …Mblidhe veten moj grua… Yt vëlla ka njëzet vjet që ka vdekur.” i shqiti sytë prej  shëmbëlltyrës së vëllait të vet, por, tundimi i atij çasti qe aq i fortë, s’rezistoi dot pa ia ngulur sytë përsëdyti, kësaj here frikshëm

Dhe çfarë ngjashmërie!? Ngjyra e syve…shikimi i përmallur..(Ua!Ua!)  Dhe kapela me strehë  e ulur  mbi sy, shkundi kokën lehtë, po ta këqyrte sërish, për herë të tretë, e të katërt, sigurisht,  mund të gjente shenja dalluese , të cilat  i njihte vetëm Dhora K.  aq do t’i duhej  për ta qetësuar  zemrën e saj që gjëmonte si tokmak, ndryshe, me ç’të drejtë ky njeri do t’ia ngulte sytë  përmallshëm kësaj gruaje në moshë të thyer e të veshur me të zeza? I hodhi një shikim tjetër, të shpejtë dhe qortues: “Kush je ti që guxon të më buzëqeshësh në atë mënyrë?”  Ngjashmëria me vëllanë e saj  nuk vihej më në dyshim, dhe mosha, dhe  ngjyra e syve,  dhe ajo buzëqeshje e lehtë.

”Qetësohu moj grua…- Ç’është kjo punë me ty…” shikimin e gozhdoi jashtë dritareve – Edhe  pse mori një vendim të prerë për të mos i hedhë më sytë  sozisë së vëllait të saj, s’kishte Zot ta qetësonte zemrën e  alarmuar.

*     *     *

Autobusi urban ndali  plogët në stacionin më të parë , rrëmuja e hyrje-daljeve të qytetarëve nën shiun e dendur  ia humbi nga sytë  vegimin e Kostandin K. të  kthyer nga vdekja,që gjendje çuditërisht, në një autobus urban midis të gjallëve.

Dhora K.  zbriti nga urbani dy stacione më tej, me hapa të shpejtë u nis drejt shkollës së saj paksa e hutuar, pamja e  njeriut që ngjasonte  me vëllanë e vet, i dënuar me vdekje plot 20 vjet më parë, i kishte krijuar një dhimbje në zëmër. “E pranoj, kishte një ngjashmëri të çuditshme, mund t’i ndodhë  gjithkujt, përse duhet të shqetësohesha kaq shumë? “

Nuk ishte e rastit, një shofer i ambasadës sonë në Romë, me origjinë nga Fieri, kishte përhapur fjalë se në një shëtitore të Romës  kishte parë shokun e tij të fëmijërisë. “E ndoqa pas,- i kishte thënë në intimitet, një njeriut të vet ,- U pamë sy ndër sy…E njoha dhe më njohu, nuk e di përse iu përvodh shikimit tim , nxitoi e u fut midis kalimtarëve.” Një fakt që  të linte pa mend, në takimin me motrën e vet e kishte mohuar në vend. ” Kam thënë që, kam parë një njeri  që i ngjante Kostës. Vetëm kaq…”

Qysh nga ajo ditë Dhora K. edhe pse e dinte se vetëm në legjenda ngjallen të vdekurit, i ishte mbushur mendja top se Kosta, vëllai i saj duhet të ishte i gjallë.

Gjatë gjithë  rrugës, nga stacioni i autobusit gjer te porta e shkollës ajo nuk e mposhti dot dyshimin,  sa më  tepër i mbushte mendjen vetes se ajo që kishte parë në autobus ishte  një iluzion optik, aq më kokëforte  bëhej dëshira mbushamendëse se ajo kishte parë në mes të ditës   vëllanë e vdekur. Solli ndërmend turli njerëzish, të njohur e të panjohur, qysh nga fëmijëria e largët, e gjer në dyert e fakultetit Histori-Filologji, ku ajo kishte mbaruar 26 vjet më parë., e më pas, në vitet e punës, si mësuese e gjuhë- letërsisë, 26 vjet punë, nga njeri gjimnaz në tjetrin, mijëra persona kishte regjistruar në memorie por, s’kujtoi asnjë pamje që  t’i ngjante  Kostës sa  ai njeriu i autobusit, kështu do ta quajmë këtë njeriu enigmatik, gjersa të mësojmë diçka për të.

*      *      *

Pas vdekjes së Kostës  Dhora K.  e ndjente veten si një degë e prerë , e hedhur pamëshirë mbi trotuar. Me lindjen e dy vajzave, njëra  pas tjetrës, iu përkushtua familjes, jeta e saj kishte një qëllim , të rriste  Dorën dhe Estelën, me përkujdesje dhe dashuri,  dhe t’i vinte në ndihmë të shoqit të saj, Vasilit , kishte mbaruar në Leningrad për  inxhinieri  ushtarake dhe punonte  në repartin 6, në periferi të Tiranës.

Dhora K. ishte një grua e bukur, pas lindjes së Estelës ajo  shtoi  dhjetë kile në peshë , u bë dhe më e bukur, shëndeti i saj  i nxori në dukje  hiret e një femre të pjekur dhe serioze,  një mësuese që dinte të sillej me takt  me të gjithë , paksa e distancuar , ndonëse në raste mbrëmjesh, përvjetorësh dhe ditëlindjesh përshtatej aq bukur në shoqëri saqë shoqet  ia kishin zili  artin e komunikimit. Gjithë kjo përvojë marrëdhëniesh në familje dhe shoqërore i ishte e diktuar nga një disiplinë e trashëguar familjare dhe  nga rrethanat e jetës,  por, ajo që do të ndikonte më së shumti  ishte ikja e Kostës në moshë të re, 32 vjeç.

Pas ikjes së Kostës, tetë muaj më vonë  i vdiq nëna, kështu që Dhorës iu desh të përballej dhe me hallet e familjes prindërore, vajza e Kostës,  Anila atëherë ishte  tre vjeç , Miriami gjashtë muaj, dy vëllezërit e saj, Vangjeli ,  gjimnazist, në vitin e fundit,  Cifja (Josifi) sa i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat.

U zgjata pak rreth historisë së familjes së saj që të na kuptoni më mirë se pse Dhora K.  vazhdimisht, në familje dhe në shoqëri, madje dhe në natën e gëzuar të vitit të ri, përshkohej nga një pezm i lehtë, nuk ishte as humbja e nënës, as vështirësitë familjare, me ikjen e Kostës të saj të dashur  iu  duk sikur u përmbys një mal  dhe ra para këmbëve të saj, i dukej çdo gjë shkretëtirë, pas ikjes së tij ajo ecte gjithmonë sy ulur, jeta e saj  i dukej pa shije, një jetë pakuptim.

*     *     *

Kostandin K, u ekzekutua në mesnatën e 17 prillit të vitit 1961. Ngjarja  për të cilën  gjykata ushtarake  vendosi ta dënojë, fillimisht me tetë vjet burg e më pas me vdekje, mbeti një enigmë e madhe që nuk është sqaruar as sot e kësaj dite. Kostandin K., ish  partizan, një nga atentatorët e parë të qytetit të Fierit, me prejardhje nga  Gjirokastra, i ati i tij merrej me tregti stofrash, pas luftës ushtarak i lartë në Ministrinë e mbrojtjes, në 13 dhjetor të vitit 1961, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, akuzohet si një agjent rus, së bashku me gjeneralin e flotës ushtarake detare, A. M, katër muaj në hetuesi, në dhjetëra seanca hetimi, ai asnjëherë nuk  pranoi që akuzën që  i ishte ngritur nga kolegët e tij të punës. Kostandin K, njihej për një lidhje të vjetër, qysh gjatë viteve të studimeve në shkollën ushtarake në Itali, si shok kursi me  Ministrin e brendshëm, i cili, çuditërisht, në ato çaste e tij më të vështira heshti , e  braktisi, ose të themi, nuk reagoi fare ndaj akuzave të  ngritura. E mbajtën të izoluar në qelitë e hetuesisë, gjer  në ditën e vendimit. Ndërkohë u krijua një shpresë e vaktë për një dënim të zbutur në bazë të ca rrethanave lehtësuese, mirëpo, për fatin e tij të keq, prokurori  vuri veton. Gjatë atyre muajve të hetuesisë pati një shurdhëri të vërtetë, nuk u lejua askush ta takonte. Vetëm pasi gjykata  shpalli vendimin me vdekje, i lajmëruan njerëzit e familjes për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Në takim shkoi vetëm Dhora,  motra e tij tre vjet më e vogël se Kosta, babai  kishte gjashtë vjet që kishte vdekur , nëna  sa mori vesh dënimin e tij  zuri krevatin dhe nuk u ngrit më…U bë një takim i shkurtër, rojet i  lanë të shiheshin në distancë, motër e vëlla prapa hekurave, për pak minuta.

Atë çast Dhora K. e ka ngulur në kujtesë si me  gozhdë, Kostandin K. u shfaq para saj i shoqëruar nga dy roje burgu.,   iu drodhën gjunjët  sa e pa, iu duk  i tretur dhe i zbehtë , në ato pak minuta ajo shkëmbeu me të vetëm lot, kur e kapën për krahësh, lehtësisht , për ta futur brenda, ai tha ca fjalë të  rëndësishme, të cilat asaj por dhe rojeve që e shoqëronin, iu dukën dhe të çuditshme..Ishin këto, fjalët e tij të fundit të tij,  që Dhora K. do ta linin pa gjumë për vite të tëra, me një shpresë të çmendur.

*     *     *

Në çastin që gardianët  iu afruan Kostës për ta shoqëruar në qeli “Mos më qani…i kishte thënë ai , qetësisht dhe qartazi. “nëse nuk kthehem pas njëzet vjetëve atëherë  më qani. Thuaja dhe nënës.!”  Porosinë për nënën e  shqiptoi me zë të lartë, sikur  kërkonte t’ua bënte të ditur dhe dy gardianëve , dëshmitarë të atij çasti.  Dhora K.  në atë çast  nuk ishte as në qiell as në tokë,  u këput dhe  ra, pranë hekurave,  zëri i tij i erdhi si jehonë, si në ëndërr, të fundit fjalë  do ta sillte ndërmend një ditë më vonë, dhe në të gjitha ditët e tjera që do të vinin.

Një javë më vonë së bashku me vajzën e tezes, bashkëmoshatare , shkoi përsëri para dyerve të burgut,  për të tërhequr rrobat,  një dyshek pambuku, dy batanije dhe një pallto ushtarake angleze e ruajtur qysh nga koha e luftës.  Atë ditë ajo u interesua të mësonte emrat e dy gardianëve, me mendimin që, pasi të ftohej plaga për vëllanë , të mund t’i takonte, së paku njërin , sa për të mësuar ndonjë hollësi më shumë rreth ekzekutimit të tij, dhe t’i pyeste, nëse  iu kujtoheshin fjalët e tij  të fundit..”

Çfarë do të thoshte ai me ato fjalë..?Pas njëzet vjetësh të më qani? Një kumt ? Një profeci? Diçka që mund të ndodhë veç në legjenda?  Po pse pas njëzet vjetëve? Ndërkohë që në legjendën e Kostandinit dhe Dhoqinës pritja zgjatej vetëm tre vjet.

“Kostandini i vdekur, tre vjet i patretur…”

Legjenda e Kostandinit njihej në gjithë Ballkanin  si legjenda e besës së dhënë,  ajo mburrej me faktin që legjenda e besës së dhënë  i përkiste fisit të saj ilir. Dhe ja tani ç’na ndodhte, një mësuese letërsie bëhej personazh legjende, futej brenda lëvores së një legjende. Dhe emri i saj, Dhora, një shkurtim i emrit Dhoruntina… Çfarë ngjashmërish?!. Amanetin e tij ajo ia transmetoi të ëmës qysh atë ditë. Nuk e di pse më tha , nëno, ta qajmë jo tani, por pas njëzet vjetësh? Po nëna e saj  nuk ishte në gjendje t’i kthente përgjigje, pasi, në ato çaste  pulsi i kishte shkuar 86 rrahje në minutë.

*     *     *

Ditët e tjera, në shtëpinë e tyre  erdhën për ngushëllim fare pak njerëz, ca komshinj e të afërm të tyre nga babai,  hynin e dilnin si hije, tepër të frikur, mos i pikaste kush gjatë ngjitjes së shkallëve. Dhora i priste dhe i përcillte si zonjë shtëpie, e veshur në të zeza, kokulur, çfarëdo që të thuhej rreth ikjes së tij të përjetshme  i dëgjonte qetësisht. Mos vallë në prag të ikjes së tij të përjetshme ka dashur  të na lehtësojë dhimbjen? Dhe pse pas  njëzet vjetëve, kur dihet , çdo dhimbje , sado e madhe qoftë  , tretet brenda dyzet ditëve?  Muaj më vonë, kur plaga e saj  do të zinte kore dhe ikja e Kostës do të shndërrohej në një realitet të dhimbshëm, ajo filloi t’i rikujtojë fjalët e tij të fundit me një logjikë pak më  të ftohtë.

I tha për të qetësuar nënën?! Shqetësimi ia brente mendjen në heshtje si krimbi i mëndafshit, veçanërisht netëve, kur  kërkonte të ëndërronte diçka të bukur për ta zënë gjumi.. A mund të ndodhte që, tashmë, kur të gjithë e dinin të vdekur,  ai jetonte si një person tjetër, me një pasaportë tjetër  dhe me një mision  tepër sekret. Brenda  apo jashtë vendit?  Dhora K. dëshironte të besonte, gjithmonë sipas supozimit të saj, se ai duhet të gjendej jashtë shtetit. Në Itali?!Dhe mundet?! Në Greqi, në Rusi..?! Amerika ishte më pak e besueshme, ndonëse ideja e Amerikës e joshte më së shumti fantazinë e saj. “Së paku ta dimë që jeton.” e ulte pak entuziazmin ,-“  ç’rëndësi ka ku ndodhet, rëndësi ka që ekziston, është gjallë, ka një shpresë..”

Historia e Kostës do të ishte fashitur me kohë nëse nuk do të kishte ndodhur diçka, krejt e pakuptimtë, Evanthia sa kishte kaluar Urën e Tabakëve, sakaq  ndjeu një burrë që e ndiqte nga pas, i gjatë si i shoqi, me syze dielli….Kush është ky njeri që po më ndjek? Përse?  Ajo  nuk të linte përshtypjen e një gruaje  që i tërhiqte meshkujt, pas vdekjes së të shoqit  e  çuan punëtore me tre turne , në kombinatin e tekstileve, në ecje , në veshje, madje dhe në pamje kishte tiparet  e një  gruaje hallexheshë… Njeriu i panjohur, kur i kaloi pranë e kishte pyetur: “Përse u martove?! Në çast ajo ndaloi hapin dhe ktheu sytë nga i panjohuri i cili u largua me nxit..”Dëgjova  zë apo më bënë veshët”, mendoi ajo e çuditur, sigurisht do më kenë bërë veshët. Atë ditë ,sa u takua me Dhorën, duke ditur që dhe atë e torturonte dyshimi  për vëllanë e saj ,ia tregoi ndodhinë, në çast në fantazinë e Dhorës u  gjallërua sërish vëllai i saj,  jo vetëm i gjallë por dhe në mes të Tiranës..

*    *    *

Dhorës i ishte krijuar bindja se, Kosta jetonte dhe duhet të ishte në Itali, dhe fjalët e shoferit të ambasadorit tonë që kishte qenë në Itali…Kosta dinte italisht.,  thua shtetit jonë e ka nisur me një mision tepër sekret?   Nëse  jetonte diku…në Amerikë,  Rusi.. Kanada,. stacioni  i parë  duhet të ketë qenë  Italia… E këndellur në fantazira të tilla ajo vriste mendjen,  kujt mund t’ia besonte këtë sekret përvëlues  për t’i marrë një mendim , të shoqit ia kishte përsëritur disa herë aq sa ai një ditë i tha:”Grua, mblidhe mendjen. Nuk ka bërë vaki të ngjallen të vdekurit. Dhe nëse është ashti si thua ti, më keq akoma.”.

*    *    *

.Nga viti në vit Dhora K nisi t’i ndrydhte dyshimet thellë qenies së saj.  “ Ti mendon gjera të rrezikshme…” -e qortoi një ditë vëllai i saj, Vangjeli.- Nuk paska pasur sigurimi i shtetit kuadro të specializuara që t’i besonte një njeriu të dënuar me vdekje. Veçse…Në qoftë se…?”

Dhora K. mendonte se sekrete të tilla  i dinte vetëm Ministri i Brendshëm i atij viti. Mehmet Shehu dhe drejtori i burgut i atij viti, Agush Bejko, pensionist, të cilin e njihte i ati i Verës, shoqja e saj që jepte lëndën e anglishtes.

Një ditë Dhora mori kurajë dhe  i tregoi Verës në formë shakaje se, vëllai i saj, Kosta, Mund të ishte gjallë.  “Paske parë shumë filma me  agjentin 007.”- ia ktheu ajo. Rasti e solli që Dhora  K.   një mbrëmje të gjendej në shtëpinë e saj me rastin e ditëlindjes, e pritën me ngrohtësi dhe përkujdesje. Historinë e vëllait të saj  e kishin mësuar të gjithë njerëzit e familjes së Verës. Ajo kishte pyetur të atin dhe nëse mund të ndodhte që një njeri i dënuar me vdekje ta dërgonin jashtë shtetit me shërbim sekret. “Mbylle gojën…” i ishte përgjigjur ai ashpërsisht i ati. Atë mbrëmje, në prani të njerëzve të familjes, i ati i Verës e këshilloi Dhorën  miqësisht: që për gjëra të tilla të mos fliste me asnjeri.

*    *    *

Ku të shkoj? Kujt t’ia hap zëmrën? Kush mund të më ndihmojë? Gjatë kthimit për në shtëpi ajo e torturonte veten me pyetje të tilla , në një çast ndjeu  dhimbje koke, mendoi se  mund t’i ishte ngritur tensioni, kohët e fundit për shkak të mbipeshës   kishte nisur t’i luhatej tensioni nga 14 në 18-të .  nëna  e vet kishte vuajtur nga luhatjet e tensionit qysh në moshën dyzet vjeç, ajo po shkonte pesë dhjet e dy. Në shtëpi s’gjeti askënd, shyqyr,  mori në telefon vajzën e madhe, atë mëngjes Enon e vogël  e kishin çuar në kopsht me temperaturë ,  zëri i vajzës së saj vinte i qeshur, pra, vogëlushi ishte mirë. Duhet të gatuante për ditën e nesërme, mirëpo, iu kujtua  që s’kishte përgatitur planin mësimor.  Të premtet  kishte pesë orë mësim, hapi  fletoren dhe konstatoi me një gëzim të papërshkrueshëm, se tre nga pesë orët e mësimit ishin orë folklori, dhe çfarë rastësie…! Do të komentonte  baladën “Kostandini dhe Dhoqina”. Dhimbja e kokës i iku si me magji, në ditar shënoi vetëm  dy rreshta: “Mbajtja e besës së dhënë…”, kaq. Pa asnjë koment.

Të nesërmen u nis drejt shkollës me një drithërimë në zemër, sikur të shkonte në takim me  vëllanë.

Sa herë që Dhora K.  komentonte baladën e Kostandinit klasa zhytej në një heshtje varri, në ato pak çaste të paharrueshme ligjërimi i saj  dilte nga përmasat  reale, zëri i saj melodik kridhej në një botë  mistike dhe imagjinare, pasi , kishte vite që Kostandinin e baladës  e njësonte me Kostën e saj të dashur.

 “Kostandin i vdekurith, / tre vjet i pa treturith…”  vargjet  i pëlqente  t’i recitonte  në variantin e lashtë gjuhësor,  me prapashtesat “ith”, që kishin dalë prej kohësh nga përdorimi  gjuhësor. Edhe pse këto dy vargje i pëlqenin pa masë, e shqetësonte fakti që pritja e Dhoqinës ishte vetëm tre vjet, ndërsa pritja e Dhorës  po i kalonte  të njëzetat.

*     *     *

Gjatë  orëve të shkollës nuk pati kohë të kujtonte çfarë kishte menduar atë mëngjes, kishte vendosur të shkonte te   Ruka, një fallxhore e moshuar e cila sa kishte dalë nga burgu, edhe pse e ndjente se ky vendim  ishte në kundërshtim me  kulturën e saj si mësuese letërsie  “.Po  shkoj  tek ime kunatë, mendoi . E shoqja e Kostës, Evanthia, e kishte shtëpinë pranë Rukës, një mur i vjetër i ndante , në rrugicën përballë “shkollës së Kuqe”. Ruka kishte bërë gjashtë muaj burg me motivacionin “Përfitim me anë të mashtrimit” pas daljes nga burgu, me kusht,, Ruka, kishte përzënë shumë gra hallexhesha që i trokisnin te porta për të parë fatin e tyre në filxhan.

Dhora K. ngriti telefonin dhe e pyeti kunatën, nëse kishte kohë të  shkonin dy minuta te Ruka. “Dhora  paska  një hall”.mendoi ajo.  “Ti hajde njëherë këtej, -iu përgjigj – kafet i pimë  këtu, Rukës i çojmë filxhanët.”  Evanthia nuk i kishte ndërprerë për asnjë rast lidhjet me Dhorën dhe me dy vëllezërit e Kostës.  Dy vajzat e saj,  ishin të rritura, e madhja me fëmijë, e dyta, e porsa martuar. Dhora e gjeti Evanthia  në aneks,  duke larë pjatat, deshi t’ia heq nga duart, por në çast ra zilja e derës, ishte  mbesa  e  saj për të cilën kishte një dashuri të veçantë. U puthën e u përqafuan, u ulën në kanape të kapura për dore, si dy motra, pa nënën në aneks duke larë pjatat , shkoi dhe ia hoqi nga dora.” Dhora në cep të kanapesë, siç e kishte zakon, sa herë vinte për vizitë në shtëpinë e kunatës, Evanthia në divanletin përballë zunë nga muhabetet, vetëm kur ajo u solli kafet në një tabaka të vjetër prej  druri, u  kujtuan për Rukën. Në orën gjashtë e tridhjetë minuta dy kunatat trokitën te porta e jashtme e Kollozëve,  doli një vajzë e imët , paksa e frikur, sa pa Evanthinë  u  çel në fytyrë  Ruka u ngrit nga krevati vetëm kur i thanë që kishte ardhur Evanthia me kunatën e vet,  Kollozët ishin familje e vjetër Dibrane , ardhur në Tiranë para viteve tridhjetë.   Ruka i priti me përzemërsi  në dhomën e pritjes, një dhomë e rrënuar, me orendi të vjetra,  dukej e heshtur dhe fytyrëngrysur, pas fjalëve të rastit  Dhora K. nxori filxhanët nga çanta , në çast fytyra  zhubra-zhubra  e fallxhores u përflak nga një dritë profetike, fillimisht tërhoqi filxhanin e Dhorës, i hodhi një shikim të shpejtë si profesioniste, e përhodhi filxhanin  nëpër duar, më pas nisi ta këqyrë me kujdes, në largësi e në afërsi… “Në punë je mirë..”  Sytë i mbante picërruar përfund filxhanit.

” Dy fëmijë kini? ” ”Po. Dy vajza…” “Dhe fëmijët mirë i paske…Pa të shohim brenda shtëpisë…” Belbëzoi zë ulët, sikur të fliste me veten e vet.  “ Shpirtin e ke qelibar…Gëzon respekt  në familje  dhe në shoqëri… Sëmundje  nuk shoh…” Dy gratë ia kishin ngulur shikimin frikshëm. Në dhomën e pritjes zotëronte një heshtje varri. Ajo bëri një pauzë të gjatë sikur të kërkonte të deshifronte diçka të rëndësishme që jepte shenja përmes dy rrëkesh të bardha në anët e filxhanit…” Të mundon një siklet i madh…S’të hiqet nga mendja..”.Herë pas here i hidhte Dhorës një vështrim rrëshqitazi, për të ndjerë reagimin e saj. ”Eh, ia bën , dhe kur të thonë  “shëndet.”  Hoqi sytë nga filxhani dhe ia shtyri sytë Dhorës  në mënyrë qortuese …” Ke disa kohë që ha vetën nga brenda…  Një hall që ke s’guxon t’i thuash njeriu… “

“Për këtë gjë kemi ardhur.” – u përgjigj Evanthia në vend të saj.  “Mirë. Unë  do ta përplas këtë filxhan për tokë nëse filxhani nuk thyhet rrini e qetë.? -Pyeti Evanthia  Ta hedh? “

“Hidhe, hidhe!”. I dha kurajë ajo.” Në çast e vërviti filxhanin  në dysheme…Filxhani bëri ca rrokullima të shpejta mbi qilim dhe u përplas  në mur,  pa u thyer. ”Mirë…” tha e qetësuar ajo…Dy kunatat kishin ngrirë në vend, ia kishin ngjitur sytë  Rukës  të sugjestionuara nga veprimet e saj të çuditshme.

”Ta provoj dhe njëherë?” Evanthia pohoi me kokë, ngriti filxhanin  nga toka dhe ia afroi te dora, sakaq, filxhani i Dhorës bëri disa rrokullima të shpejta në qilim dhe  u përplas përsëdyti pas murit.”Mirë…Mirë…” konstatoi ajo. “ Mos prisni   të vijë  dikush  nga larg.?” Një pyetje e çuditshme e cila kishte qëlluar rastësisht në shenjë. Dhora shqeu sytë me habi. “Si ka mundësi?”Ajo kishte njëzet vjet që priste dikë, të vinte nga larg, ky merak e sjellë gjer këtu.. –“Fol pa droje …Këtu jemi në familje, s’na dëgjon njeri…” e shtyu me krah  Evanthia kunatën e vet. Ndërkohë që ajo fliste Ruka  e  përplasi filxhanin edhe një herë ,  për çudi, as  herën e tetë filxhani nuk pësoi gjë.

-“Mirë është!” – e siguroi ajo . Dhora u përflak në fytyrë, nuk e priste atë përgjigje të drejtpërdrejtë, trupin ia përshkuan  mornicat.

Edhe pasi kishin lënë një pesëqind lekëshe mbi tavolinë dhe kishin dalë në rrugicë  në mendjen e Dhorës bubullonte vetëm një fjalë: “Gjallë! Gjallë! Gjallë!”

*     *     *

Të ënjten në mëngjes Dhorën e thërritën në drejtori, duhet të linte orët e mësimit dhe të paraqitej në Komitetin e partisë së Rajonit. E kërkonte sekretari i parë. “Për çfarë?” “Nuk di gjë.”- ngriti supet drejtori i shkollës” Kur ishte në korridor,  mësuesja e anglishtes ,Vera , i dha kurajë ,”shpresoj të na vish me një lajm të mirë..” Kur hipi në autobus e kapi një ndjenjë ankthi, “Përse më kërkon?”asaj  nuk kishte  rastisur  kurrë  të shihte  derën e seksionit të arsimit, jo më atë të Komitetit të partisë së Rajonit nr. 3. Në qendër  pyeti një kalimtar ku gjendej selia e  Komitetit të partisë së rajonit 3, “pesëqind  prej këtej, një ndërtesë trekatëshe”. Shkallët i ngjiti nxitimthi, në hollin e katit të parë s’pa njeri, brenda një dhomëze prej xhami, nën shkallë, nëpunësi i rojës  ia bëri me dorë të afrohej.

”Jam një mësuese letërsie, më quajnë Dhora K. -u prezantua ajo,- më ka kërkuar shoku Karafil…” Nëpunësi i rojës u lidh me kabinetin e sekretarit të parë ,  e pyeti dhe një herë për emrin, më pas   i tregoi katin dhe derën ku duhet të trokiste. Shkallët i ngjiti thuajse nxitimthi. Karafil Guga, një burrë shtatlartë e vetulltrashë, me moshë sa duhet të ishte Kosta K.., po të ishte gjallë,  u ngrit në këmbë dhe i zgjati dorën  përzemërsisht,  e ftoi të ulej në këndin me kolltukë lëkure,  ku priteshin vetëm persona të veçantë..

“Ju jeni motra e Kostës?  Dhora  nuk e priste këtë hyrje, -Kostën e kam pasur shok, -vijoi ai. – Gjatë kohës së luftës kemi qenë në të njëjtin batalion. Ka qenë  burrë. Njeri me karakter…Po dhe trim.  Ruaj kujtimet më të mira për vëllanë tuaj.

-Besoj e dini ..? Ajo nuk e kuptoi s’e çfarë dinte ai…Karafil  Gugës iu ravijëzuan dy rrudha të thella mbi ballë “E dini përse ju kam thirrur? Kohët e fundit,  me ca veprime të pa menduara mirë, keni futur në siklet  Partinë dhe shtetin….Dhe veten tuaj.”

Dhora K. e pa me frikë, po ai nuk e la të mendohej gjatë.

-Ke hapur fjalë se paske parë Kostën, të gjallë… I hodhi një shikim zhbirues.-A e di çdo të thotë kjo?  Kjo fjalë ka shqetësuar jo vetëm sigurimin e shtetit dhe partinë, por vetë kryeministrin…Ai ka dhënë urdhër  t’i shkohet çështjes gjer në fund, dhe të sinjalizohet sa më parë. Ai kërkon të dijë , kush e ka përhapur këtë fjalë. Sigurisht, s’besoj se jeni ju?

Dhora K. u përflak në fytyrë, çështja ishte një rëndësie të jashtëzakonshme.

-Nëse është fjala për një bisedë që unë kam bërë si me shaka, me një shoqen time, nisi të shpjegohej ajo…Eshtë e vërtetë që  , një mëngjes, duke shkuar për në shkollë, kam parë një njeri që i ngjante aq shumë tim vëllai. .

-Nuk është kaq e thjeshtë, -ndërhyri ai me tone më të ashpra. -Sipas informacionit që na kanë sjellë ju keni vite që mendoni  se Kosta është gjallë.-Nuk duhet ta mohoni, as këtu dhe as në ndonjë vend tjetër, kur të të thërrasin, pasi ,ka dhe dëshmi të tjera , tepër tronditëse, të cilat kanë dalë nga goja juaj

-Goja ime?

-Po. Po.  A e dini çdo të thotë kjo? Në vitin që është vrarë Kosta,  Ministër i brendshëm ka qenë  kryeministri ynë. E kuptoni pse është shqetësuar vetë kryeministri i vendit? Çështja është shumë e thellë, dhe me pasoja të paparashikueshme….-Fjalë të tilla mund të përhapen vetëm nga një i çmenduar, ose nga ndonjë armik i rrezikshëm.

Pas këtyre fjalëve Dhorës iu duk sikur po i rrotullohej zyra ku ajo gjendej.

-Ti nuk e ke parë Kostën. Kështu, apo jo? Vijoi ai ,duke e zhbiruar në sy.

-Si ta shoh? Ku ta shihja? Veç të isha e çmendur.

-Po pra. – u duk sikur uli zërin ai. Ju dukeni e lodhur. Mos vuani nga shfaqje vegimesh?

-Jo, -iu përgjigj ajo me naivitet. Gjer më sot s’kam pasur shqetësime të tilla.

-Gjithsesi, unë mendoj të bëni një vizitë te mjeku psikiatër.- Intonacioni i zërit të tij kishte një nuancë këshilluese, por qartësisht urdhërues.. -Po. Po. Unë ju këshilloj të shkoni  te një mjek psikiatër, urgjentisht,  para se t’ju thërrasin diku.

Ndërsa ai  fliste Dhora K. e ndjente veten sikur të kishte rënë papritur  në një humnere të thellë. Mos ishte në ëndërr?

-Zoti sekretar, ju mund të më mendoni  një grua naive, që nuk di ta mbrojë veten…

-Ju kam thirrur këtu për t’ju ndihmuar..- thirri ai.- Dëgjojini mirë këto që do t’ju them. Uli zërin  për të kuptuar se çdo gjë që thoshte më pas ishte  tepër sekret :

” Vetëm me një raport mjekësor ju  mund t’i shpëtoni hetuesisë.  Ndryshe…” Nisi të tundë kokën në mënyrë ndjellakeqe.

*    *    *

Mëngjesin  tjetër një furgon policie u shfaq në oborrin e shkollës “Kostandin Kristoforidhi.” Kërkuan drejtorin, më pas, me urdhër të drejtorit, Dhora K. la mësimin dhe u paraqit në drejtori. Përveç pastrueses dhe portierit të shkollës askush nuk e pa  mësuesen e letërsisë të dilte atë mëngjes nga dera e shkollës e shoqëruar nga dy policë, pranë furgonit e prisnin dy policë të tjerë për ta shoqëruar  në hetuesi, fillimisht i thanë “vetëm për ca sqarime të nevojshme”, vetë ata do ta sillnin përsëri në shkollë. Vetëm kur pa derën e spitalit psikiatrik  kuptoi me tmerr rrezikun që i kanosej, me një urdhër të posaçëm  po e shtronin në  spitalin psikiatrik.

Dhora K. qëndroi  shtatë ditë e  mbyllur në një dhomë të katit të katërt të spitalit psikiatrik të Tiranës. Gjatë atyre ditëve nuk lanë askënd të takohej me të, askush nuk e mori vesh  kush e kishte dhënë atë urdhër. Njerëzit e familjes së saj , kërkuan ta takonin qysh atë ditë por nuk e lanë…Të shoqin e saj e thirrën në hetuesi dhe e mbajtën rreth dy orë.  Para se ta thërrisnin në hetuesi ai u përbetua se , si ushtarak që ishte do të ngrinte gjithë shtetin në këmbë, por doli nga hetuesia  si një pulë e lagur. E pyetën nëse dëshironte ta shoqëronin me makinën e shefit të tyre, jo,u tha , kam nevojë të ec në këmbë. Bisedat e shkëmbyera në  hetuesi s’ ia tregoi askujt. .Eshtë një keqkuptim, u tha fëmijëve atë mbrëmje, por mos u bëni merak, Ditën e tetë   e lajmëruan të  gjendej para portës së spitalit, fiks në orën nëntë të mëngjesit. Gjysmë ore para  një taksi e verdhë ndali në oborrin e spitalit psikiatrik, dhe pyeti për pacienten që do të dilte atë mëngjes, “po vishet”, i thanë. Pas pak ai pa të shoqen duke zbritur shkallët ngadalë , e zbehtë dhe e rrënuar. Ditën e parë  e kishte vizituar grupi i mjekëve të psikiatrisë, dhe ajo, duke sjellë ndërmend fjalët e Karafil Guga, kishte pranuar të thoshte  se  kishte vite që i dilte  para syve hija e vëllait të saj, dhe se  ajo  kishte vite që fliste me hijen e tij .

Ia kishin këshilluar ta lozte me detyrim  rolin e një të sëmure mendore dhe ajo gjatë atyre ditëve, duke mos pasur rrugë tjetër ishte munduar të luante këtë rol të vështirë, kishte pranuar të provonte elektroshokun dhe dozat e përditshme të Piramidolit,   me frikën se dhe një ditë më shumë po të  kishte zgjatur kjo torturë, ajo do të ishte çmendur vërtetë.

Në shkollë u paraqit dy ditë më vonë , shokët dhe shoqet e saj  edhe pse dinin gjithçka rreth fatkeqësisë së saj, askush nuk ia zuri në gojë, bënin sikur s’dinin gjë dhe prisnin t’ua thoshte ajo vetë  “Ç’pate? –e pyesnin me një interesim të shtirur,-ne  menduam të të vinim  për vizitë  në shtëpi por,  na thanë që ishe shtruar në spital për të bërë  analiza…Vetëm drejtori i shkollës ishte në dijeni të plotë për gjithçka kishte ndodhur.   Mësuesja e anglishtes  u përpoq të përhapte një variant tjetër,  sikur kishte pasur shqetësime psikike për shkak të ndërprerjes së menstruacioneve, dhe…  e kishin shtruar në spital pa dëshirën e saj. Ndryshe si mund të justifikohej furgoni i policisë në dyert e shkollës të cilin e kishin marrë vesh të gjithë kolegët e saj? Gjithsesi,  paraqitja në Komitet të Partisë dhe ditët në spitalin psikiatrik i kishin shtuar  dyshimet se më Dhorën po luhej një lojë e madhe, të cilën e dinin vetëm disa pushtetarë të rëndësishëm.

Dy javë më vonë  ndodhi një ngjarje që tronditi gjithë vendin. Kryeministri  i Shqipërisë i  gjendur në këtë post prej tridhjetë vjetësh u vetëvra në mesnatë. Asnjë sqarim më tepër Gjatë gjithë asaj ditë te vrenjtur dhjetori Radiotelevizioni Shtetëror dha vetëm muzikë mortore. Në lajmet e orës tetë u mor vesh se kryeministri i vendit kishte vrarë veten pas  një mbledhjeje maratonë të Byrosë politike, ku ai kishte bërë dhe një  autokritikë të gjatë në lidhje me një martesë të dyshimtë të djalit të tij me një vajzë simpatike  nga një shtresë e deklasuar. Dy ditë më vonë pati thashetheme se nuk ishte vetëvrarë por e kishin vrarë…Gjëra të çuditshme kishin nisur të ndodhnin në Bllok, një vrasje enigmatike si në tragjeditë  Shekspiriane. Nisi të pëshpëritej në popull se do të kishte ndryshime..ndërkohë që  Enver Hoxha doli në ekran me nj pamje të zbehtë e disi të çoroditur. Pra, po ndodhte diçka e pa parë…Njerëzit pëshpëritin vesh më vesh, nisën të gjallëroheshin qytetarët dhe thashethemet rreth ngjarjeve të fundit. Kishte ardhur një kohë ndryshimesh…Dhora K. as gëzohesh as hidhërohej nga ngjarjet e fundit. Gjatë atyre ditëve të spitalit ajo e kishte çuar ndërmend disa herë  kryeministrin e vendit, përse  të shqetësohej aq shumë nga ngjallja e Kostës? Përse i trembej ai fantazmës së vëllait të saj të gjallë. Historia e vëllait të saj a kishte lidhje  me  vetëvrasjen e kryeministrit? Atë vit kryeministri kishte qenë Ministër i brendshëm, sado e çuditshme të të dukej, lidhja e fakteve të çonte te një enigme të cilën kryeministri e kishte marrë me vete në varr.

*    *    *

Tashmë, askush nga njerëzit e afërm të familjes së tij nuk vinte në dyshim se Kosta K. ishte gjallë, e kundërta kishte ndodhur me Dhorën, ishte tmerruar aq shumë nga ato ditë ferri që kishte kaluar në spitalin psikiatrik, saqë kishte besuar dhe vet se duhet të ishte një e sëmurë psikike, kishte marrë një pamje të rrënuar, nuk i hiqeshin nga mendja ato ditë torturash , ndonëse, hera-herës në trurin  e saj shkëndijonte  një llambushkë e vogël për të ndriçuar enigmën e njeriut gjysmë i gjallë e gjysmë i vdekur. Me ndryshimet demokratike, dhe Dhora nisi të gjallërohej, tashmë kishte dalë në pension, dhe kishte kohë për t’u marrë me dosjet e pronave të familjes së saj,  në arshivën e shtetit,  dhe dosjen sekrete të dënimit të vëllait të saj, në arshinë e Ministrisë së punëve të Brendshme. Për pronat   gjetën disa dokumente arshive, ndërkohë që dosja e dënimit të Kostës  në arkivin sekret të Ministrisë së Brendshme e kishin zhdukur. Ky fakt e rriti dhe më tepër dyshimin se me jetën e tij diçka kishte ndodhur. Kishin kaluar tridhjetë e dy vjet nga ikja e tij….E shoqja e Kostës, vdiq atë vit që ndodhën trazirat në Shqipëri, nuk arriti t’i gëzonte ndryshimet demokratike. Dhora K. vdiq  Sigurisht ata që e kishin dashur aq  shumë, dhe e kishin pritur për së gjalli e kanë takuar me shumë mall  në botën tjetër.  Vetëm legjenda e Kostës ka mbetur ende gjallë, si legjenda e Kostandinit dhe Dhoqinës, se njerëzit vdesin, por legjendat nuk vdesin kurrë

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.