SHKRONJA…”Ë” nga Tonin Nikolla

Tonin Nikolla

SHKRONJA… “Ë”

Kisha dëshirë të isha një… ë….
e munguar në fjalën PRITË…
Ta shndërroja pabesinë, që vret,
në fjalën e përmalltë, PRIT…

PËRSHESH…

( Nëse pres të më emërojnë poet, politikanët injorantë… )

Poezitë e kohës,
do grimcoj në kupë..

…përshesh urie,
t”i kthej në m…

SHQIPTARISHT

… mungesat,
i kemi mbushur me arësye…

Psh,
retë,
kanë fuqi,
të fshijnë yjet…!!!

PËRNATË….NINULLAT…

Më kanë thënë, nuk të merr gjumi,
larg, në shtrojë, natës në terr…
Mendimet, si rrjedhë lumi,
pe të gjatë, pa fund, i tjerr……

Se… mësur je, të humbësh,
nëpër ëndrra, e përkundur…..
Me ninulla, puhizë kumbullash,
të përkëdhelesh dhe të puthesh…

Më kanë thënë, shtratit mbështillesh,
mes çarçafëve nyje – nyje…
Herë ke vapë, herë n’ethe dridhesh,
si një stinë në ditë stuhie….

Se… mësuar je, në gjumë,
të notosh ëndrrës në mall…
Veçse natës, kur s’jam unë,
s’ndiehesh as vdekur, as gjallë…

Prapë më thonë….Zërat e huaj,
janë erëra…Fryjnë mbrapshtë…
Unë për ty, përnatë ninullat,
t’i këndoj, shpirt… Fli në paqë…

SAKTЁSIM PER VETE

Dita, kur linda unë,
Quhej e Premte.
Muaji, quhej Prill.
Vendi, Gjadër.

Lumi pranë, quhej Drin.
Fusha, Zadrimë.
Mali me Sherbelë,
quhej Kakarriq…

Në ditën, kur linda unë,
hapësira e kaltër, quhej Qiell.
Papërmasa e qëndisur,
quhej Tokë.

Prejardhja, nga krenaria Mirditë.
Udhetimi,
në Udhë të Hapur…

Në ditën, kur linda unë,
asgjë nuk ishte ndryshe…
Strehës, në shtëpinë e vjetër,
qenë kthyer Dallëndyshet…

Dita, kur linda unë,
quhej e Premte.
Muaji, quhej Prill.
Vendi, Gjadër…
Nuk e di,
si do quhet dita e vdekjes.
As muaji.
As vendi…
Mbi një gur,
a mbi një gjeth,
dikush,
të ma shkruajë emrin…

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.