SHQIPËRIME POETIKE nga Beqir Skreli

Beqir Skreli

Dido Sotiriu
(1909 – 2004)

NJË PAZAR ËSHTË GJITHËÇKA.

Sa do për një orë?
Sa do për një natë?
Sa do për një jetë?

Rudyard Kipling

DËNIMI

Pashë një yll dikur në jetë,
Por e lashë dhe u largua,
“Ka më të bukur përpjetë!
Që do sjellë qielli për mua.”
Por gënjeva veten ndaj edhe po vuaj,
Ndaj qëndroj akoma, duhet të paguaj.

Breg më breg ku unë vërtitem,
Ndrijnë planetet, mrekulli,
Por pranë yllit që kam humbur,
Ata duken si qiri.
Unë kisha gënjyer, por nuk e kuptoja,
Ç’mëkat kisha bërë, ç’dënim meritoja.

Por kur qielli m’u nxi,
Kur u lodha e u plaka,
Më afër më rri ai,
I largëti i vetmuar që dikur e flaka.
Desha vetëm veten, ndaj nuk di ç’të pres,
As nuk kam jetuar, as guxoj të vdes.

Ohn Wilbye
(1574 – 1638)

MOS MË DUAJ

S’dua të më duash se të dukem i hijshëm,
Për fytyrën e ëmbël, vështrimin e ndritshëm.

Për asnjë gjë tjetër që duket me sy,
Madje as për zemrën që rreh veç për ty.

Prej këtej mund të shuhet çdo gjurmë hijeshie,
Dhe ne të dy do të ndaheshim pastaj.

Ndaj shikomë me sytë e gruas së vërtetë,
Që dashuron pareshtur, pa e ditur as vetë.

Kështu do të kesh përherë një arsye,
Të më duash gjithmonë në gëzim e në vaj.

Xhelaludin Rumiu

(1207 – 1273)

  1. DUKE NGRËNË POEZI

Poezitë e mia i ngjajnë bukës së Egjiptit,
S’hahen më po kaloi një natë.

Ndaj gëlltiti sa janë akoma të freskëta,
pa rënë mbi to pluhuri i kohës.

Poezia e ka vendin këtu, në ngrohtësinë e gjoksit,
Jashtē në botë, vdes nga të ftohtit.

Ti e ke parë peshkun kur e nxjerrin nga uji,
Si përpëlitet disa minuta e pastaj ngordh.

Por edhe kur poezitë e mia janë akoma të ngrohta,
Shumë gjëra duhet t’i përfytyrosh vetë.

Hollë hollë, o mik, ti po ha imagjinatën tënde.
Këto s’janë thjesht një tufë proverbash të vjetra.

2. SHTËPIA E PRITJES

Njeriu është një shtëpi pritjeje.
Çdo mëngjes një mysafir i ri vjen.

Një gëzim, një trishtim, një ligësi,
një gjëndje e çastit ndërgjegjësimi,
si një vizitor i papritur.

Mirëseardhi dhe zbaviti të gjithë!
Edhe në qofshin një turmë brengash,
që me dhunë të zbrazin shtëpinë
nga të gjitha mobiljet. Përsëri,
bëja nderin çdo miku.
Kushedi, ai ndoshta bën pastrimin
për një gosti të ardhshme.

Mendimin e zymtë, turpin, keqdashjen,
priti buzagaz tek pragu i derës
dhe ftoji brënda.

Ji mirënjohës ndaj kujtdo që vjen,
sepse secili prej tyre është një udhërrëfyes,
dërguar prej shumë larg.

Shqipëroi Beqir Skreli

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.