SHQIPËRIME POETIKE nga Beqir Skreli

Beqir Skreli

Xhelaludin Rumiu
(1207 – 1273)
O pikëz

Dëgjo, o pikëz, jepe veten pa frikë,
dhe në shkëmbim fito oqeanin.
Dëgjo, o pikëz, bëja vetes këtë nder,
dhe ji e sigurtë në krahët e detit.
Vërtet, kush do të ishte kaq fatlum?
Një oqean që po fiton zemrën e një pikëze!
Për atë zot, për atë zot, të shesësh dhe të blesh njëkohësisht!
Jep një pikëz dhe merr një det plot me perla.

Thomas Hardy
(1840 – 1928)

Njeriu që vrava

Në ndonjë pijetore,
Të ishim takuar më parë,
Kush e di sa gota
Do t’i kishim tharë.
Por këtu në llogore,
Të vënë ballë për ballë,
Ne shtimë mbi njeri tjetrin
Dhe ai mbet’ i vrarë.
E vrava atë njeri…
Sepse…qe armiku im.
Natyrisht…armik e kisha,
Këtu s’ka asnjë dyshim.
Megjithëse…ndoshta si unë,
I pa punë e pa shtëpi,
Të vetmen zgjidhje që kishte,
Qe të shkonte në ushtri.
Luftën nuk e kuptoj dot,
Çmendurinë e kësaj bote,
Të vrasësh njeriun kot,
Hallexhi si puna jote!

Hafiz Shirazi
(1320-1389)

Dielli nuk thotë kurrë…

Madje
Edhe pas
Gjithë kësaj kohe,
Dielli nuk i thotë kurrë Tokës:
Ti ke detyrime
Ndaj meje.”
Shikoni
Çfarë ndodh
Me një dashuri të tillë,
Ajo ndriçon
Gjithë
Qiellin.

Mary Elisabeth Frye
1932

Nuk kam vdekur

Mos hajde tek varri të më qash me ligje,
Unë s’jam atje, ndaj nuk të përgjigjem.
Unë jam erërat që fryjnë,
Diamantët e borës që ndrijnë,
Rrezja e diellit mbi grinjërat e pjekura,
Shi i butë i vjeshtës që troket mbi tjegulla.
Kur zgjohesh nga gjumi në qetësinë e agimit,
Përpëlitja e krahëve para fluturimit,
Të zogjve paqësorë që sillen rrathë-rrathë,
Yjet e largët që vezullojnë nëpër natë.
Mos qëndro tek varri, mua mos më qaj,
Unë s’jam atje, s’kam vdekur, prandaj.
Shqipëroi: Beqir Skreli

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.