SHQIPJA, GJUHË RRËNJORE nga Sulejman Mato

Sulejman Mato

SHQIPJA, GJUHË RRËNJORE

Qysh në lashtësi, së bashku me shkrimet e para, lindën edhe çështjet filozofike të gjuhës. Si lindi emërtimi i sendeve? Ç’marrëdhënie ka midis sendit dhe fjalës? Për shembull: ç’lidhje ka emri “kok” me tingullin “kok” ose “gur” me tingullin “gur”.

Herakliti (544-483 para Krishtit) emërtimin e sendeve e shpjegonte si çështje të arsyes njerëzore, ndërsa Platoni fjalën e quante “formë materiale të idesë”. Demokriti qe i pari

që hodhi një mendim më të qartë. Për të, natyra e sendit nuk kishte lidhje me sendin, vendimi për emërtimin e sendeve qe i njerëzve. E thënë më thjesht, sendi është emërtuar me një tingull ose sipas onomatopeisë së tingullit; pjesëzat që i janë shtuar më vonë tingullit, të marra më vete, nuk kanë kuptim. Kështu, dalëngadalë, përmes diskutimeve të zjarrta dhe kontradiktave të shumta, u poq edhe mendimi teorik për gjuhën. Aristoteli i trajtoi këto probleme në veprën “Poetika” duke dalluar disa pjesë të ligjëratës, si: emrin, foljen, lidhëzat, rasën, fjalitë… Fjalia, sipas Aristotelit, duhet të ishte patjetër folje plus emër. Filozofët e Greqisë së lashtë e vunë gjuhësinë në binarë dhe e trajtuan atë si shkencë, por edhe para grekëve ka pasur gjurmë të shkrimit dhe gjuhë të shkruara . Sigurisht, shkrimet e para (shkrime të shkruara në kuneiform) nisin me sumerët, 5000 vjet më parë. Më vonë kemi shkrimet e shenjta – vedat indiane. India ka qenë trualli ku janë gjetur shkrimet e para dhe janë përpunuar qysh herët çështjet themelore të gjuhësisë, por niveli më i lartë në lëvrimin e çështjeve gjuhësore u arrit në shkollën e Aleksandrisë ku u trajtuan ndaras problemet e fonetikës, të sintaksës dhe të morfologjisë.Aty u bënë klasifikimet e tingujve zanorë dhe bashkëtingëllorë. Duhet theksuar se gjuha arabe, e panjohur shumë për gjuhëtarët europianë, është shumë e pasur në sinonime. Për shembull : fjala “deve” ka një mijë sinonime, fjala fatkeqësi ka 400 sinonime, ndërsa fjala “Allah” ka 99 sinonime. Diskutimet për dukurinë tingull-kuptim nuk reshtën as në shekujt që do të vinin. Edhe pse gjuha fitoi të drejtën të trajtohej si shkencë, diskutimet mes materialistëve dhe idealistëve vazhduan me argumente të reja.

Çfarë është gjuha në vetvete? E thënë me dy fjalë, gjuha është shprehje e të menduarit. Humboldi e ka përkufizuar fjalën si simbol të sendit.  Me këtë përkufizim, pra : fjala është simbol i sendit, pajtohemi. Në jetën e përditshme, me vetëdije apo pa vetëdije, çdo individ synon t’ia përshtatë mënyrën e vet të shprehjes bashkëbiseduesit të tij. Në vitin 1784 gjuhëtari spanjoll Lorenco Panduro në veprën gjuhësore “Katalogu i gjuhëve të popujve…” mori në shqyrtim strukturat e 300 gjuhëve botërore, ku futej edhe shqipja. Gjuhës shqipe ai i kushtoi 20 faqe. Në këtë libër ai ngrinte edhe problemin e prejardhjes së albanëve prej albanëve të Kaukazit, shumë kohë para dyndjes sllave.

Këtë tezë e pohon edhe dijetari gjerman Adelungi (1732-1806) kur thotë se “ ata (albanët) mund të jenë kushërinjtë e albanëve të Kaukazit. »

Zhan Zhak Rusoi te vepra : « Teori e marrëveshjes shoqërore » hedh një ide interesante. « Edhe gjuha, – thotë ai,– është krijuar në bazë të marrëveshjes…Njerëzit primitivë u mblodhën në kolektiv dhe vendosën të emërtojnë fenomenet. » Së pari nisën të imitojnë tingujt e natyrës e më vonë u kalua në gjuhë. Kjo teori ka rëndësi për ne, pasi, siç do të shikojmë më poshtë, shqipja ka shumë fjalë të lashta që janë krijuar sipas parimit të imitimit të tingujve të natyrës, si : shushurin, vetëtin, bubullin, mumullin, mjaullin, gurgullon , blegëron etj., fjalë që dëshmojnë për vjetërsinë e tyre . Po cila  nga gjuhët e botës është gjuha foshnjore e njerëzimit? Për këtë problem u mendua seriozisht vetëm në shekullin XVII. Jehonë të madhe bëri vepra e W.Xhonsit i cili, duke u marrë me kulturën 5000-vjeçare të vedave, gjuhën sanskrite e quajti gjuhë të parë, duke e konsideruar si më të përsosur se greqishtja dhe më të pasur se latinishtja..

Sipas tij, dikur ka qenë një gjuhë e përbashkët, pra të gjitha gjuhët kanë të njëjtin burim.

Më pas, edhe gjuhëtari Fridrih Shlegel (1808) pohon se burimi i të gjitha gjuhëve indoeuropiane është sanskritishtja , këtij modeli i afrohen greqishtja dhe latinishtja..

Sigurisht, këta autorë e të tjerë nuk kanë pasur njohuri për gjuhën shqipe ose për një substrat të lashtë, paragrek. Gjuhëtarët e metodës krahasimore, edhe pse kanë trajtuar raportet e shqipes me gjuhët e tjera, nuk kanë arritur të shpjegojnë rolin e shqipes në familjen e gjuhëve europiane. Kjo ka ndodhur pasi, fatkeqësisht, gjuha e të parëve të shqiptarëve erdhi e u rrudh e u rrudh gjersa u trashëgua nga një popull i vogël, ndonëse në zemër të Ballkanit.

Gjuhëtari i madh Shlajher, gjuhën shqipe e vendosi në rrënjë duke e quajtur gjuhë rrënjore. Grekët për të emërtuar këmbën përdorin fjalën « shkel », ndërsa për të emërtuar forcën përdorin fjalën « krah » (Ç .Xhunga)

Ka mendime që në botë fliten  6500 gjuhë. Kjo tregon që gjuha është thjesht një mjet komunikimi, ajo nuk lind  me njeriun por mësohet qysh në moshën kur fëmija ndjen nevojën të komunikojë .

Gjuha indoeuropiane është folur rreth 6000 vjetë më parë. Ku u ngjiz? Në ç’territor? Askush nuk mund të përcaktojë gjeografikisht vendlindjen e gjuhës indoeuropiane. Ajo u shfaq diku, në një territor midis Europës Qendrore dhe Azisë , së paku 3000 vjetë p. Krishtit, u ngjit në veri, zbriti në Europën e Jugut,  shkoi gjer në Azinë e Largët… Gjuha njerëzore vërtitet nga 26 gjer në 52 tinguj .Njeriu që komunikon me anë të gjuhës a është i vetëm në këtë botë ? Po zogjtë si merren vesh me cicërima? Po bletët si merren vesh midis tyre? Po milingonat, po balenat, po kuajt, po fokat?

Unë mendoj se komunikimi midis specieve të të njejtit lloj, pavarësisht nga numëri i tingujve,  bëhet natyrshëm.Ka një qendër në tru, diku në sferën e majtë të trurit e cila përpunon tingujt si një radiomarrëse dhe pastaj përgjigjet sipas kodeve të tingujve. Kjo ka ndodhur dhe me rracën tonë njerëzore.Pas përdorimit të xhesteve dhe klithmave, nevoja për të komunikuar me tinguj lindi gjuhën .

Gjuha është dukuri shoqërore dhe ashtu si çdo dukuri tjetër e historisë edhe ajo ka historinë e vet. Fjalët kanë lindur si nevojë e komunikimit në shoqëri, por, me kalimin e kohës, kanë pësuar ndryshime. Kur flasim për fjalë rrënjore nënkuptojmë morfemat e fjalëve të vjetra që përdoren, sigurisht me ndryshime ose dhe si fosile të ngurtëzuara. Edhe pse shumë gjuhëtarë kanë vënë re se shqipja është e afërt me sanskritishten, greqishten dhe latinishten, me tri gjuhët më të lashta që njihen, përsëri nuk kanë vënë re se gjuha shqipe aq sa ka pasur ndikim nga këto dy gjuhë në kohë të lulëzimit të tyre, po aq edhe ka ndikuar tek ato në kohët më të errëta të historisë. Edhe gjuhëtari tjetër gjerman, A.Shlajher, mbron tezën se gjuha është shprehje e mendimit me anë të tingujve të artikuluar. Sipas tij, edhe në gjuhë, ashtu si në natyrë, dallojmë konceptin familje dhe gjini. Shlajheri ngre tezën se gjuha e parë europiane ka pasur tri zanore: a, i, e.

Koncepti i pemës gjenealogjike të gjuhëve ka anë pozitive se tregon evolucionin brenda një familjeje gjuhësore, ndonëse i jep asaj një karakter biologjik, darvinist.

Në këtë hyrje të shkurtër nuk kemi ndërmend të trajtojmë gjerësisht teoritë e ndryshme, majfton të themi se të gjitha teoritë që trajtojnë problemet gjuhësore, nisen nga drejtimi materialist ose idealist. Sidoqoftë, shumë gjuhëtarë të njohur janë të mendimit se dikur ka pasur një gjuhë foshnjore, mund ta quajmë indoeuropiane ose sanskrite, por mund ta quajmë edhe « gjuhë pellazge », me të cilën shqipja ka lidhje gjinore.

Ideja mitike e origjinës gjuhësore ka qenë pjesë e pandarë e mendimit njerëzor. Njeriu ka qenë dhe vazhdon të mbetet tepër kureshtar për gjenezën e saj.

*         *         *

 Shënim:   (Nxjerrë nga libri « Balada e vetmisë » 1998)
Në fillim ishte fjala.

Bota hapej para saj.
Njeriu nisi të nxjerrë disa tinguj pa kuptim…
Duheshin emërtuar të gjitha , një nga një, pa ngurrim,
brigjet, lumenjtë, detet, guri, reja, mali, ajri,
 burimi, zjarri, pylli, bagëtitë, stani, shiu,
rrufeja, bubullima, oqeani.
Sa punë e vështirë ishte ajo?
Në fillim ishte fjala,
tingull i pakuptimtë.
Si me radiovalë jepnim dhe merrnim mesazhe me qiellin,
por askush nuk përgjigjej.
Pastaj filloi gurgullima e tingullt e zërit njerëzor.
Në fillim ishte fjala, fjala që përsosi botën.

    

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.