SHTEGTARI
Kjo udhë, si e mbjellë me gënjeshtra
Intriga, trishtim e mërzi
Më kot pret të dehet nga vjeshta
Të çlodhet, të vishet flori
Përthyhen zabel e djerrina
Mbi syrin e ditës që shkon
Dhe muzgu që zbret mbi kodrina
Çarcafin e natës afron
Ndjej zhabat e gjolit te pragu
Që presin nga dimri thinjosh
Një këngë bilbili së largu
Më grish e më fton e më josh!
Ndaj iki dhe s’di ku do ndalem
Mbi fushën e çveshur, të shkretë
Me hënën nuk munda të çmallem
Trishtimin pikon midis resh’
Dhe tutje, me fasha limoni
Ca plagë i lidh qielli blu
Për plagët e mia mos thoni:
S’ka gjë, se do kthehet këtu…