SIÇ MË THE TI nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

SIÇ MË THE TI

Të kërkova në raftet e librave ku më fshiheshe,
Brodha gjithë vjeshtën nëpër rrugica
Titujt e tyre plot pluhur ngrinin supet.
Ngrinin supet qiparisat e vjetër,
Ndërsa në treg shiteshin këpucë për fëmijën
Nëntë vjeçare me sy bojë arre të thyer.

Pi cigare si ty dhe fjollat e tymit bëjnë gjeratore
Në episkaje gishtash të zverdhur.
S’është më markata e vjetër dhe lustraxhiu
Në skaj të saj ka vdekur. Njerëzit prapë
Me këpucë të lustruara dhe syze të zezë.

Prapë komshiu i dehur i bërtiti gruas dhe ditës së verës
Dhe del prapë tek 1 Maji për punë, i shkreti
Dhe po rritën fëmijët e tij që ti i le të vegjël
Dhe ata po kërkojnë si babai i tyre punë.
Po rriten, ja ashtu, po rriten herë me sy e herë me punë.

Kur të vijë pranvera blirët do të çelin,
Po unë do të të pyesja, nëse të ka marrë malli për kumritë?
Do që të të puthemi prapë para universitetit duke qeshur?
Mos e lag më fustanin në ujin e Shkumbinit
Dhe mos pi cigare
Të djegësh Krastën time dhe Kashtën e Kumtrit.

Ku je ti, ndërsa muzgu dhe Bukaniku
Shkundin çibukun e dimrit në ulluqe.
Nesër është e diel dhe pranverë me ditë të gjatë
Për mimozat dhe festen e gruas.
Unë kam mimoza në duar.

Ti do të dalësh në krye të rrugicës?
Nuk do të të leh më si qen si dikur dhe, sigurisht,
Nuk do të bëhem lepur që ty s’të pëlqen,
As gjel deti që ti të ma presësh kokën për dimër.
Unë kam mimoza në duar.

Unë e ndërtova shtëpinë, që ti më flisje dikur,
Me dritare të gjëra dhe ballkone të mëdhenj.
Vura tavolinë, dy karrige, filxhanët e kafesë dhe kafenë,
Ose portokaj të shtrydhur…
Njësoj sikur dhe ti të ishe me praninë tënde të arsyeshme.

Ja, ashtu e bëra siç më the ti, çdo ditë e nga një gur,
Dhe mbolla lule ashtu siç më the ti, çdo ditë një lule
Dhe i ujisë ashtu siç më the ti, çdo ditë në mbrëmje.
Bëra vresht me rrush për verë, sikurse ti e di, për ne
Dhe vura pëllumba të bardhë, siç më the, për paqe.

Dhe në portën e jashtme vura butonin e ziles,
Ashtu siç më the ti, në lartësinë që duhet,
Shkrova emrin tënd dhe, siç më the ti, edhe timin
Pastaj stampova numrin, po derën prapë e lë hapur
Nga padurimi se ti vërtetë mund të vish, siç më the,
A ndoshta nga frika se ti do humbësh duke ardhur.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.