SIKUR FLASIM BALLË PËR BALLË nga Vasil Vasili

Vasil vasili

SIKUR FLASIM BALLË PËR BALLË

Sa pak tregime ka! E ke vënë re, Faruk?
Shkruhen ngjarje pa rreshtur, por që s’bëhen kurrë tregime. Nuk e di se sa të ndërgjegjshëm janë ata që shkruajnë prozë të shkurtër për vështirësitë e tregimit.
Unë gjithnjë kam patur ndjesinë se ti Faruk futesh te tregimtarët. Natyrisht jo me gjithçka.
Nuk jam në gjendje të shquaj, nëse ke lindur me shenjën e tregimit, apo nëse punon shumë për tregimin. Punë me tregimin unë s’quaj vetëm punën mbi tekstin e shkruar, por edhe punët paraprake për të mprehur intuitën, për të gjetur stilin e përshtatshëm për instinktin dhe për formimin vetjak, për të dalluar fondin e fjalëve të tua, për të gjetur temat që të përshtaten, pra, për të krijuar një fond tëndin me elementë stilistikë. I linduri nuk ka mësues dhe ushtrohet pak për t’u parapërgatitur për të kaluar drejtëpërdrejtë mbi tragën e tij.
Tani për tani, kritika thotë se je një zë i tregimit shqiptar, por kjo mua s’më mjafton, sepse me shumë pak përjashtime, unë e vë në dyshim këtë tregim. Prandaj nuk më mjafton vlerësimi që të bëjnë si një zë i dallueshëm i tregimit tonë. Edhe unë bashkohem me këtë vlerësim, por kur e mendoj tregimin e anëve tona, hezitoj të bëj vlerësime në kornizën gjeografike.
Atëherë kthehem jo te vlerësimi i kritikës së sotme, jo vetëm për ty, por te tregimi i peshuar artistikisht.
Jo nga inferioriteti i të menduarit, por nga qensia e vlerave, ne, asnjëherë, s’e krahasojmë letërsinë tonë me letërsinë e madhe.
Është e vërtetë që tregimi yt është i dallueshëm brenda tregimit shqiptar.
Faruk, ti në tregim, ke një fond etik të dallueshëm. Kjo, për mua, është pasuria tënde morale që e ke kthyer në vlerë tregimtare. Shoqëri, fondit tënd etik, i bën edhe sinqeriteti, që në shumë raste kthehet edhe në sinqeritet artistik. Ti vuan gjatë bërjes së tregimit për t’a kthyer sinqeritetin etik në sinqeritet artistik dhe e synon, që mjeshtëria tregimtare, të ketë edhe vlerë etike të dallueshme. Ndoshta s’e synon, se ajo mund të jetë pjesë e të vetvetishmes tënde.
Unë mendoj se nga stili rrjedh tregimi. Nga stili vetjak krijohet bota e tregimit. Në përputhje me stilin, tregimtari hedh hapat në tregim. U jep ngjyra fjalëve, i zjarrmon, i ngatëron, i ftillon, u jep nëntekste, ritëm, përkorje apo proliksitet. Stili është një mekanizëm në punë, i cili shfaqet bashkë me tregimin. Unë mendoj se nuk është tema që bën shpërndarjen e elementeve të tregimit, por stili.
Në tregimet, ku hapësira është më të madhe se lënda, si përshembull te Mbreti i Huaj dhe te Diçka e Shpëtuar në Varkën e Noes, është e vështirë ta mbledhësh lëndën. Hapësirat e mëdha të çojnë drejt kurthit që të ngrenë, për të endur të përgjithëshmen. Ndonëse mendon se flet për një ngjarje të veçantë, flet për të përgjithëshmen e së veçantës. Për një ngjarje mund të flasësh në të gjitha mënyrat e mundshme, por tregimi prandaj është i vështirë, se kërkon të gjesh brenda ngjarjes nervin me të cilin mbështillet. Shumica, që shkruajnë, gjejnë vetëm ngjarjen dhe kjo u mjafton.
Për punën krijuese ka një parim: jepi kohë vetes për ta rishikuar krijesën tënde, se ajo nuk është krijesë e spermës, që nuk ribëhet përsëri, është krijesë e mendjes, që kërkon shumë seanca qejfi.
Shpesh, pa e kuptuar, tregimtari merr hua nga historia dhe letrarizon, merr hua nga sociologjia dhe bën të njëjtin rit. Sot është shtuar fondi i sociologjikes në tregim, në dëm të tregimit të pastër.
Unë e shikoj me dyshim atë tregim që merrr hua më shumë se sa ka mundësi të tretë mekanizmi i tij.
Tregimi Plakat e Nobelit, ndonëse është një alkimi e treginmit, e kronikës dhe e gazetarisë, i ka tretur mirë huat që ka marrë, ngaqë e ka ngushtuar hapësirën tregimtare; edhe pse, koha, si e ngjashme e hapësirës, aty është e gjatë, ajo nuk duket e tillë, nga përthyerjet dhe nga ritmi i alternuar. Ndërsa në planin etik tregimi të mban në ankth për të ditur zgjidhjen e vështirë. Dhe, është zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme. Fondi etik me fondin e stilit janë shkrirë në një.
Por tregimi nuk i ka shpëtuar, në disa raste, stigmatizimit të jashtëm të portretit të kandidatit.
Kjo është një tendencë jo artistike, sepse njeriu pas shkrimtarit mban ende lidhje me njeriun -personazh, kur lidhja e vetme duhet të ishte krijues – personazh. Ishin të mjaftueshëm arsyet e plakave dhe historia idilike, që e mbante brenda vetes, njëra prej tyre. Kjo histori është një tregim brenda tregimit, dhe e shikuar si tregim më vete, është më i bukuri i librit.
Faruk, unë të shquaj edhe për ritmin e tregimit tënd dhe për temperaturën, që u jep krijesave të tua. Ritmi dhe temperatura është instinktive dhe, fondi yt etik dhe stili, vetëm sa e pikasin instinktin tënd estetik. Por edhe fondin etik e ke në gjak, madje është ky fond etik në gjak, që e organizon tregimin tënd nga brenda dhe, nuk e di, sa je i ndërgjegjshëm për këtë mekanizëm që ke. Ai është bërë pjesa më e dallueshme e stilit tënd. Veçse të ishte më i fshehur.
… jo se ke ritëm të shpejtë, i cili do hapësira të ngushta dhe fabul të tendosur, po ke ritmin e të treguarit tënd që shkon mirë me përbërsit e tjerë. Ke ritëm që del nga pauzat dhe nga buzëqeshjet e hidhura. Për tregimet e tua mund të thuhet se kanë një ritëm etik. Tregimi te ty është i parapërgatitur në përfundim, se merr më shumë ritëm nga etika se sa nga instinkti i ngjarjes. Ngjarja me etikën bashkëpunojnë, por te ty shpesh triumfon etika. Në thellësi të tregimit ka një konflikt midis instiktit të ngjarjes dhe etikës. Instikti i ngjarjes duhet të triumfojë, por atë e bllokon, herë-herë, etika. Etika është e shoqërisë, instikti është i tregimtarit.
Tregimet e tua, më shumë se drama lirike, janë dhimbje të mbetura brenda shpirtit. Dhimbja shprehet me zë të ultë, nuk luhet si dramë. Nëqoftëse do luhej, dhimbja do shfaqej e shformuar. Zëri yt ka fituar cilësitë e dhimbjes.
Faruk, ti tregon që të marësh pjesë në dhimbje. Te tregimet e tua më të arritura ka gjithnjë një personazh më shumë, ai është tregimtari me dhimbje. Kjo i jep tregimit fuqinë e sinqeritetit, por edhe të angazhimit. Kur sinqeriteti e mund angazhimin ti je i besueshëm si një vlerë artistike, që e mund vlerën etike edhe pse etikja e ka ushqyer artistiken gjer sa ka mbaruar rrëfimi.
Tregimet e tua, Faruk, kanë temperaturë të pandryshueshme, 36 gradë.
Pse vjen kështu, kjo mbresë, tek unë?
Ndoshta nga që tregimet i shoqëron me nëntekste, me dhimbje dhe me etikë. Nënteksti ushqehet nga teksti dhe nga mençuria e krijuesit, që një pjesë të tekstit e jep edhe me një kuptim të dytë. Midis dy kuptimeve krijohet edhe një ritëm tjetër, që vjen jo nga ritmi i fabulës. Pastaj ti e ke të theksuar përbërsin etik. Etika nuk ka temperaturë, ajo është gjithnjë e shëruar. Ajo shfaqet edhe si mjek edhe si ilaç. Zakonisht, smundja… në tregimet e tua është në të kaluarën, është e kaluara, është e mbartur nga e kaluara dhe është një vend. Kjo, natyrisht nuk është një diagnozë e përpiktë, se smundja kështu këqyret edhe nga një lëm, jashtë tregimit.
Në tregimin e bukur, i gjithi etik, Natyra ka Rënë, zgjidhjen që është më tepër etike se sa artistike, e gjen te respektimi i ligjit dhe, nuk është e qartë, ku ka rënë natyra, te plaka personazh apo te autori, që vjen nga e kaluara dhe nga një vënd, apo te të dy. Sidoqoftë, një përmbyllje që na kujton ligjin, nuk është e këndshme.
Ndjej, se ti të kaluarën e përdor edhe si diagnozë për të sotmen dhe je përfaqsues i zëshëm i kësaj ryme mendimi, por me vetë të sotmen, përballesh shkarazi. Gjithmon fitimtarët e kanë ngulur shpatën e tyre në mishin e pushtetit, që u duket pa kockë, me të gjitha mënyrat, edhe me mënyrën estetike.
Sa më shpejt të shkarkohet një shkrimtar nga brerorja e të sotmes dhe, këtë të sotme, të mos e marrë si vlerë të sigurtë, por si një të sotme të kërcënuar nga vetvetja, aq më tepër zgjerohet dhe kthjellohet teritori artistik. Nuk flas për disa nga personazhet e tregimeve të tua, që janë me botë të dyzuar, sepse jetuan në dy sisteme, por flas për diagnozën e të sotmes, që e gjen me rrënjë më shumë në të kaluarën.
Një tregimtar nuk mban përgjegjsi për mendimet e personazhit, në qotë se i ka futur në klimën autentike, por atëherë kur u krijon një klimë që s’është e tyre. Fati jetësor i autorit mund të bëhet art, por fati jetësor i autorit nuk duhet të rëndojë mbi personazhet, se personazhet bëhen me dy fate, të tyre dhe të autorit dhe, psikologjikisht, kjo bashkëjetesë s’mund të ndodhë.
Tregimi si gjini e ka të kufizuar kohën, vetët dhe përsiatjet sociologjike. Dalja nga ky rregull e dobëson tregimin.
Faruk, ti ke një vështrim të mrehtë, autopsit. Ti shikon shumë detaje, ti di t’i japësh kuptim detajit, ta zmadhosh dhe ta zvogolosh, ta bësh grotesk apo fisnik. Detajin e bën tregim si te Po Ti, Kush Je… Ti? I jep ngjyra, i jep jetë, e bashkëlidh me ndodhi, kjo është një lojë, por kjo lojë është pjesë e dhuntisë, ndoshta dhuntia vetë. Edhe detajin e vesh me detaje, edhe kjo është lojë. Në detaje je proliks.
Ti nuk ecën kurrë përpara me hapa. Ti ecën me rrathë, me krahë dhe me kujtesë (me rimishërim), që e quajmë rrënjë e jetës. Ndonjëherë ecën mbi dy detaje paralelë si te Film me Luftë dhe me Dashuri dhe Mënëfundja e një Jete. Detajin e parë e vesh vazhdimisht. Pastaj, kujtohesh t’a lehtësosh nga veshja dhe e shpie drejt fundit të vet, i elektrizon detajet paralelë. Rrugës, lirika është kthyer në tregim. Natyra ka rënë, është futur në natyrën e dytë të njerëzve. Lirika është kthyer në dhimbje. Dhimbja na shfaqet edhe brenda kohës së lumtur. Ajo është një mënyrë komunikimi me zë të ulët. Ecja paralel, me dy detaje, është një lloj eklektizmi që kërkon më shumë mund për t’i futur në një thjerrëz ngjarjet.
Kuptimi më i thellë i jetës shfaqet kur nga kuptimi janë zhdukur idealet. Por te ky kuptim arrihet nëpërmjet idealeve. Arti është mjeshtër i fshehjes së idealeve. Për këtë edhe çmohet. Arti s’ka frikë nga asgjë, ky është ideali i tij. Por arti nuk i duron dot idealet që dalin në sipërfaqe. Ai gjithëçka e do të tretur në kiminë e tij.
A ka ndonjë tregim te libri yt Ndershmëria Vetëm që i përmbahet këtij arsyetimi? Po, në llojin e vet, është tregimi Kur Njeriu e Rrëfen Dashurinë e Tij si të Bletëve.
Heminguejin e çmojnë më lartë si tregimtar se sa si romancier, e përsëri, edhe për tregimet, thonë se ai shkëlqen në dy –tre. Në ’to ka bashkuar prirjen e instiktit me stilin dhe me etikën e fshehur. Dhe, mendimi rrjedh si në ujë, pa u shfaqur.
Faruk, ne jemi shumë larg nga njëri-tjetri, dhe kemi nevojë përveç fjalës edhe për zërin dhe për trazimin e mendimeve, dhe për pamjen, që po na ndryshon përditë nga dheu i fshehur, që shtohet brenda nesh. Por ne s’kemi as traditë të shkruar dhe të folur pë tregimin. Ne flasim për tregimin me parimet e sotme të sociologjisë. Gati sa se shpallim edhe parapëlqimin ideologjik. Tregimi ka gramatikën e estetikës, e cila i përmbledh të gjitha, por u jep vendin e vet duke i shkrirë. Edhe këtë, besoj se e ke vënë re?
Kur flet për tjetrin kupton edhe vetveten, kupton se ç’farë di ti për tregimin. Kur flet për tjetrin, që të ka shoqëruar gjatë në kujtesë, ndjen një çlirim.
Unë çlirimin… e përfytyrova sikur ishim ulur në një tryezë dhe mua më erdhi radha të flas pas teje. Dhe të fola me ti, me Faruk. Fola pak, se aq kohë kishim, diku do shkonim të dy, veç e veç, respektova edhe prirjen time, por sot thashë më të domozdoshmen.
E ke vënë re, duhet një nxitje jo e zakonshme që të përsiatësh. Unë këtë nxitje, që është si një pyetje e bukur dhe e thellë, e kam marrë edhe nga tregimet e tua, por nuk është e lehtë të flasësh për tregimin. Për këtë gjini, që është më e dlira e prozës dhe përmbledh në vetvete shumë gjëra njëherësh.
Le të kujtojmë tre-katër, më kryesoret, që mund të përmblidhen në një, në stilin, por në stilin të shohim prirjen e instiktit, thukninë e të menduarit dhe të shprehurit, poezinë e detajit, ritmin dhe…. Po prap u ngatrova, ritmi është nervi i stilit dhe thuknia dhe… të gjitha janë pronë e stilit. Tagri i stilit është mbi gjithë tregimin, por dhe mbi lexuesin sqimatar.
Pra, të krijohet stili, ky është synimi i të shkruarit, të tjerat i zbërthen vetë ai. Në qoftë se krijon stil, së paku je mjeshtër, dhe mjeshtri është edhe kritik i ecurisë së jetës, është edhe njohës i artit.
Po e përsërit: Unë gjithnjë kam patur ndijesinë, se ti Faruk, futesh te tregimtarët.

Patra 7 mars 2017

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.