SIRENA E DETIT TË ZEMRËS nga Namik Selmani

Namik Selmani

PËRDITË NDRYSHOJMË NGA PAK

Këmba që ish sa një kukull, një ditë u bë për çizme
Për foshnjën e palindur pelenat i vumë në sirtarë.
Për sytë që dikur donin të hapnin thesarë diturie
Zgjodhëm te okulisti një numër edhe më të madh.

Ndryshojmë nga pak çdo ditë kur kalohet pragu
Nuk ngopemi kurrë me pasuri, dhe me ngjyra.
Duam të heqim dhjamin në prapanicë dhe te barku
Duam të heqim dhe në rrudhë që na del te fytyra.

Një shoqe lodrash e bëmë nënën e fëmijëve tanë.
Na u desh edhe të grushtonim dhëmëbështrënguar në lagje.
Në vend të luleve që mblodhëm mes ferave në një mal
Na erdhën në valixhe lulet artificiale që tej oqeaneve

I ndjemë ballaz dhe pas shpinë sytë lakmitarë
Për një gjerdan e parfum me emra stilistësh bote
Për një makinë blerë me djersën si litarët në samar.
Për një drekë gaztore ku zbrazen sa e sa portofole.

Dikur u përkëdhelëm nga duart butësore të një gjysheje
Qamë kur na iku si nuk kishim qarë kurrë në jetë.
Tani jemi vetë gjyshër e gjyshe mërgimi si dallandyshe
Puthim nipër e mbesa në ekranin e celularit të shtrenjtë.

Ndryshojmë nga pak mes ëndrrës si një përrallë
Porosisim vetë varrin me kursimet e pakta, të mbetura.
Në dasmat e zhurmshme bie një shi me euro e dollarë
E pas një viti divorci troket te zyrat me hekura.

Llomotisin foltoret e çahen ekranët nga syçakërritja
Me lëkurë qengji vishen lugetër dhe dhelpra.
Në kuvlitë me hekura pa dritë fshihet poezia.
Dhe gishtërinjtë mbeten si skelete të ngrirë te fleta.

Ç’të bëjmë me këtë lojë jete me kaq ferra dhe gurë?
Ç’të bëjmë me ditën që e përcjellim me sy të trishtuar?
Të qajmë për atë që nuk e patëm në duar kurrë
Apo të gëzojmë për atë që ende nuk e kemi shijuar???

Çdo ditë ndyshojmë të gjithë nga pak
Që nga hapi i parë që hodhëm një ditë në prag.

SIRENA E DETIT TË ZEMRËS

Oo, si ta quaj detin e thellë ku ti je kryesirena?
Si ta prek me krahët që më bëhen të brishta?
Në udhët e largëta loti më bëhet si luleshqerra
Në sinorët e cunamëve prek hambarët me lirika.

Më kot kërkoj guidën e reklamën ngjyrëpraruar
Vetëm ti më tregon semaforin e vijën e bardhë.
Ti më bëhesh flugeri i shpirtit të mrekulluar
Ti më bëhesh kënga e bukur tingujkristaltë.

Ti bëhesh far i pagabuar për të gjithë brigjet parajsorë,
Ti je sirena që noton e lumtur në detin me vargje.
Unë qënkam peshkatari me rrjetën në dorë
Me një busull që më drejton në fllade e tufane.

Në mos qofsh sirenë, je valë që përkëdhel gurë.
Je pulëbardha që ulesh butësisht në sup të gëzimit.
Vargu më bëhet spirancë në detin me shkumë
Nata largohet nga drita e vërtetë e rizgjimit.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.