S’JAM E JAM ATY nga Riza Braholli

Riza Braholli

DILEMË
-Përshtatje sipas Robert Frost-

Ish një rrugë këtu; ndahej në dy.
Të shkoj këtej…, apo në tjetrën?
Pyesja veten. Ma bënin me sy:
njëra e blertë që humbte në pyll
e tjetra e dehur me arin e vjeshtës.

Më ftonte njëra, më ndillte tjetra.
E unë që i doja të dyja nuk dija:
të shkoja drejt pyllit me gjethet e gjelbra
apo nëpër udhën ku pemët e vjetra, 
e muzgjet përflaknin dëshirat e mia.

Ish një rrugë këtu… eehuu, ka qëkur,
tek ikja tej shirash të gjej të vërtetën
dhe njërën e zgjodha; kjo ngjau dikur,
kur isha i ri e qiellit me gur
i bija e s’dija që isha i verbër.

Është ende këtu: më dy, siç e lashë.
Më pruri dyzimi i shkruar në zemër
që tjetrin drejtim të zgjedh erdha prapë, 
por koha ka ikur me gushtin, me vapën. 
Sa herë të zgjedh do lypja prap tjetrën.

S’JAM E JAM ATY

Mbi Mborjen time ka rënë dëborë
E jam aty… e s’jam aty…
Më presin drurët, drithërojnë
Kanë dalë zogjtë, më kërkojnë
E porta, udha më kanë në sy.
E jam aty…, e s’jam aty…

Ah, ai vend s’ka ditë, as orë
Që mos më bëhet faj në sy.
Si një gushkuq nëpër dëborë
Kur turret brenda dhom’ më dhomë,
E i plas zemra mu në ty
Ja vij aty… e vdes aty…

E më mbulon një mjergull qorre
Po unë ku, pra ku të hyj
Nër ato udhë prej dëbore
Si një fajtor më merr përdore
E më vështron me plagë në sy
E unë që jam… e s’jam aty.

Mbi Mborjen time ka rënë dëborë
Oh mos më thoni: “prapë ky”
Se jam një bir e s’jam i gjorë
Në gjoksin tim kam një këmborë
Që më kumbon vetëm për ty
Edhe në s’jam… unë jam aty.

 

HISTORI ME NJË SHPIRT

Kur ëndrra m’u ngjye me terr e me hënë
më erdhi një shpirt te shtrati ku flija.
përshpirtje e erë: një frymë e palëndë
që luante me perdet ca valse të ëmbël
më sillej me flatra mbi kryet e mia.
E s’ishin as fjalë e s’ishin as këngë
po gjurmë, e shenja e zë që lë hija.

Mos fli – më tha eja, – më ndiq në kurrkund.
E ajri përdridhej nga flatra në flatër;
me gjuhën mbërthyer t’i thoja, nuk mund:
…do vija si jo, por malle pa fund
më mbijnë plot halle të tjera në vatër;
kanë mbetur ca arra e yje t’i shkund,
ky vargu i fundit më do dhe një fjalë.

Ca rima i kam, por s’di ku më humbin,
më shkasin mes gurësh në mure të rënë,
një lot e kam dhimbje te vetja si plumbin;
si gurin nën pikët nën strehë më ka ngrënë,
prej shirash që vjeshtrash e dimrash kanë rënë
e kurrë durimin me kohën se humbin
dhe fjalët m’i gërryejn’ nga gërmë në gërmë.

Akoma kur hëna s’kish nisur të shkojë
iu luta një shpirti që sillej si ëngjëll,
por shpirti më qeshi me flatrat në lojë
i rrahu në terrin i nxirë me bojë,
si frymë, si erë, si gjë e palëndë.
Po iki – më tha, – por s’dua më gojë,
kur rrishtas të kthehem nuk dua më këngë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.