SPORTI I TË MUNDSHMES nga Adem Gashi

Adem Gashi

SPORTI I TË MUNDSHMES

ju s’keni pse e merrni me gjithë mend
ne bëjmë një mbledhje
e një tjetër mbledhje
e nuk lëmë dy gurë bashkë në një vend

pastaj bëjmë një ekip një skuadër
për kuvendime për negociata
pastaj harrohet e para dhe bëjmë një tjetër
është kohë e çuditshme
e sotmja nesër bëhet e vjetër

me gjithë mend mos i merrni këto punë
jemi ne për të menduar
mbi të gjitha atdheu, pardon, xhepi
të tjerat sipas qejfi
sipas parimit të sportit të të mundshmes.

HEKUR DHE KUJTIME

përftimi i hekurit
kjè nji gjâ e madhe për njerëzimin
megjithëse n’zemër e gurzueme mbet
ndërshtresa prej neolitit

mandej u bânë shtiza shigjeta e heshta
mandej u bânë topa e tanke
predha për të goditun
edhe gjânat e mshefta

investimi mâ i kotë
kjèn zinxhirët prangat grílat
po qysh lidhen e bâhen zap
me t’lindun mendjet e lira

dolën zemrat
ma t’forta se mburojat prej tunxhi
zemrat bre mbushun dashni
dashni grueje e burri

nji gjâ e madhe përftimi i hekurit kjè
diçka qi e shkrin veç ndjesia
tashti bâjmë si me dekun si me lé
ty nuk t’shkrin gjâ n’kujtime t’mija.

ME TË DASHTË

ti ishe afër, aq afër sa deti me valë
aq afër sa afër qe dita
si një nuancë e emrit tënd

tani ike larg
aq larg sa pamundësia
dhe nuk ma the
pse zura ME TË DASHTË

ike larg duke tundur dorën:
mirupafshim

në këtë botë gjithçka mund të ndodhë
siç këndon dhe zogu i këngës
në ëndërr,
i lirë

se, për t’u thënë vetëm një herë
thuhet: lamtumirë

_________________
Nga “Antologjia e zezë”

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.