STINA E PESTE nga Moikom Zeqo

Moikom Zeqo

ENGJËJTË XHAMALARËS

A po vjen mes luftrash Shën Paqja?
A jemi ne bijtë e Ev(rop)ës?
Pranvera e përtëritur e De Radës përhapet dhe mbretëron pa kufizim
mandati!
Dhe engjëjt e kanë gjetur një punë të re: xhamalarës në dritaret e
grataciellave!
Dhe Nusja e Murosur në themele i mahnit tërë skulptorët!

MIGJENI NË BURGJE MISRI

Migjeni i mbyllur në burgje misri!
Vetëm tek një përrallë popullore mund të hysh si gjarpër dhe të dalësh
djalë!
Dhe dritarja e studios time mbyllet siç mbyllet më në fund një arkivol!
Ky bar i porsambirë i Whitmanit e bën xheloz dhe universin!

TË VDEKURIT, SHENJA TRAFIKU

Drurët e Jugut, klonuar nga eshtrat e mia!
Njeri jam!
I brishtë, por me torzon e tigrit të Blake-ut.
Se Imagjinata s’ka kuptim pa të Vërtetën!
Dhe në gishta e mbaj cingaren e ndezur si Erosët pishtarët e tyre!
Ah, të vdekurit!
Janë shenja trafiku për të gjallët!

LIBRI, MJELLMË E VDEKUR

O, arkitektura, ku më përngjojnë sy alienësh, të fshehur në kënde!
Pse Ezra Pound tha vargjet:
“Dhe peshqit notojnë në liqen,
as rroba s’kanë me vete!”
Pse shkëlqimi juaj poetë, është plot mosbesim kurioz?
O, kasaphanë e nemitur idesh në një dritë post mortem!
Dhe Zeusi mban një libër në duar si një mjellmë të vdekur!

 2004

Libri, Stina e pestë. Moikom Zeqo

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.