TË FALËM, O QIRI nga Dritero Agolli

Dritero Agolli

TË FALEM O QIRI
1.
Si pemët

Ne thahemi dhe tretemi ngadalë,
Njëlloj si pemët
Mbetemi të rrallë.
Dhe kot në historitë e thashethemet
Përmendemi të gjallë,
Të gjallë i kemi veç themelet.

2.
Gratë për mua

Kam dashur çdo grua pa masë,
Në rrugë, në dhomë e kuzhinë,
Madje dhe lart në tarracë,
Ku ndejnë rroba e fshijnë.

Në zënka s’kam sharë asnjë grua,
S’kam shkruar keq në asnjë fletë.
Do vdes.
Do flasin gratë për mua:
“Ky ishte poet i vërtetë”.

3.
Të falem, o qiri!

Të falem,
o qiri i shenjtë,
për shpirtrat e të mijve etër,
që vdiqën për tokën e shtrenjtë.

Të falem për shpirtrat e dhenve
që ujku m’i hëngri tek lumi ,
që urdhër s’u dhashë dot qenve,
për dreq,
nuk u ngrita nga gjumi!

Të falem për shpirtin e një pate
që vrava buzë kënetës së murrmë
dikur pas një nate,
plot halle dhe zhurmë.

SIKUR S’JETOJ NË VENDIN TIM

Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim,
Po në një vend të huaj dhe të largët
Në një qytet me buba dhe me minj 
Mes mureve të rrjepur dhe të largët.

Çuditem pse kështu më duket shpesh,
Kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm,
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska-flluska ma bën jetën.

Më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm,
Helmohemi çdo çast me njëri-tjetrin…
S’e di nga vjen ky helm e s’kam se ç’them
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin.

Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet,
Pastaj do tundet në tërmet
Dhe Djalli i Madh do qeshë e do zgërdheshet.

I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetëra njerëz.
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërvisht,
Më bën të qaj si nxënës prapa derës.

KISHTE NJE KOHË

… Kishte një kohë për të dashur,
Për tu ndare menduam te gjenim
me shume kohe.
Për te ikur donim me shume,
me pak për të ardhur.

Ja, sot as me njeh, as te njoh…
Kishte një kohe për t’u puthur, sigurisht.
Qe te shaheshim na duhej me shume kohe.
Te lëndoheshim, ne të dy qemë te brishte.

Ja, sot as me njeh as te njoh.
Kishte kohe qe te bënim dashuri,
padyshim, çarçafët janë grisur, u bë kohë…
Sonte kohe kërkoj të gjej për tek ti…

Me jep edhe pak kohe te të njohë,
Do këtë kohë që te duhemi dhe një herë.
Mbase edhe për t’u ndarë serish do ketë kohë.
Do ketë kohë për tu sharë edhe njëherë…
Deri sot as me njeh, as të njohë.

TË SHTHUR DIÇKA

Më jepni diçka të shthur,
Për shembull, një xhoke prej plaku,
Një torbë dervishi të mbajtur dikur,
Apo një qylaf të gjatë shajaku.

Mjafton të kem për të shthurur diçka,
Diçka në bodrum a në guvë,
Për shembull, litarin e varur në tra,
A brekët që mbathte një kurve.

Vërtet, merimanga e fjetur në mur
Ka thurur që prej kohësh një rrjetë,
Ma lini rrjetën e ndritur ta shthur,
Me fijet e saj të bëj një xhaketë.

RETË

Filluan retë e rënda si anije
Lundrimin në një det pa anë e fund
Të humbën në tallaze kaltërsie 
Sikur piratët djaj t’i bënin shkrumb.

Këto anije si përbindësha shtrirë
Të duket se asgjë s’i tund e tret,
Por vjen një çast dhe shpejt në hapësirë
Prej tyre s’mbetet qoftë e një skelet.

VJEN NJËRIU I ÇUDITSHËM

Nuk mund t’i themi të gjitha gjërat e fshehura kurrë.
Macja lot me një zog që ka mbytur,
Qeni kap me thonjtë e tij një kockë në gurë,
Andej zuzarë e djaj me ëngjëjt përfytur,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha gjërat e fshehura kurrë.

Nëse mund t’i themi të gjitha,
Na mbajnë mëri e na shajnë,
Vjen nata me ankth e mbushet shtrati me hithra,
Me hithra nervash që kruhen e hanë,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha.

Për shembull, unë i mbaj rezervat e mia:
Ç’më duhet t’i them ato që s’i thonë as të tjerët?
Nuk dua të ketë aq trazira shtëpia,
Nuk dua të ngrihem me sy të mbufatur mëngjeseve herët,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha nga pika tek vija.

Nuk mund t’i themi të gjitha gjërat që thuhen,
Se brinjët e gjoksit ndërgjegjen e mbajnë burgosur
Dhe dhëmbët s’e lenë të dalë dhëmbëve gjuhën
Se dhëmbët janë hekura burgu mjaft të përsosur,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha që duhen.

Do vijë dikush e do t’i thotë të gjitha.
Ai s’do ketë as turp, as brinjë në gjoksin e fryrë,
As ka për t’u trembur nga shtrati i ndërgjegjes plot hithra,
S’do ketë as smalt në dhëmbë, as cipë, as fytyrë,
Ndaj s’mund t’i themi të gjitha.

GËNJESHTRAT

O popull, ç’ të bëjnë!
Të japin lodra të luash,
Të mbajnë me përralla,
Të flesh në shtrat sa të duash,
Pa zhurma e andralla,
Të quajnë të vogël,
Dhe thonë se ende s’di shumë,
Të japin në duar një lodër
Dhe thonë:
pusho, mos bëj zhurmë!
Refren i përhershëm në kohët.
O popull, ç’të bëjnë!
Të thonë:
“Gërvisht e fito” në letra!.
Dhe ti gërvisht me thonjtë e paprerë
Nën mëngët e vjetra ,
Dhe fati s’të vjen asnjëherë.
Të marrën përdore me lekë
T’i shohësh Miss-et,
Kur zhveshur kërcejnë,
Me brekë e pa brekë,
Në skenë.
O popull, ç’të bëjnë!
Të japin lodra në duar
Me Tomin dhe Xherrin ,
Të bëhesh fëmijë i duruar ,
Mos njohësh telashin dhe sherrin.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.