TË PAPUTHURAT E KOHËS SIME nga Sokrat Habilaj

sokrat habilaj

TË PAPUTHURAT E KOHËS SIME

Dikur në rininë time, të paputhurat,
Nga të tjerat, dalloheshin lehtësisht.
Ndoshta se ishin dhe më të bukurat,
Ndoshta se kishin ndrojtje të trishtë.

Ndoshta se në buzë, sy e në gishta,
S’kishin as të kuq, a shenjë tjetër.
Ndoshta se prisnin që të vinte dita,
Të shfaqeshin grua, e jo gënjeshtër.

Ndoshta se nuk donin të linin shkas,
Të bëheshin imazhe grash, pa lidhje.
Ndoshta se e dinin që femrat më pas,
Do dukeshin të puthura, që në lindje.

Ndoshta se nuk donin të nguteshin,
E si papritur, të putheshin me dikë.
Ndoshta se e dinin, sa të putheshin,
Do rivriteshin për t’u bërë tjetër gjë.

Ndoshta se merakun se hiqnin dot,
Dhe botës i rrinin tutje, në një skaj.
Ndoshta se puthja u kthehej në lot,
Nëse s’do bëheshin nëna, pas saj.

…Vështroj ty, gjysmë e përgjumur,
Pa grim, pa rimel, e pa të kuq vënë. 
Ti mbetur si dikur, thua e pa puthur,
Që s’më lë të puth, po s’të bëra nënë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.