TI JE E BUKUR nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

TI JE E BUKUR

Ti je e bukur, prapë aq e bukur
Dhe po vjen të piqesh me mua.
E bukur është dita edhe rruga,
Klubi, tavolina e shtruar,
Që duken se pinë dhe qeshin me mua.

Për mua ajo që më bën të pi dhe të qesh je ti,
Njëzet vjet pa të takuar!
Pyes veten kur do të mbërrish të pish
Dhe të qeshesh si dikur me mua.

Edhe bora që pi dhe qesh,
Pi dhe qesh me ty,
Edhe era, edhe sythet e rinj,
Edhe ata pinë dhe qeshin me ty.
Këto ja them vetës,
Ndërsa ti po vjen të piqesh prapë mua.

Të gjithë të vjetër e të rinj,
Kthejnë kokën dhe pinë, qeshin për ty që dukesh.
Pi, qesh edhe deti në rërë, mendoj dhe them për ty
I lumtur që të shoh.
Pi, qesh edhe lumi në mal,
Pi, qesh edhe mali në qiell,
Edhe qielli në diell pi, qesh me ne.

Njëzetë vjet pa u parë!
Koha bluan yje dhe miell prapë…

Edhe flokët e tu pinë qeshin në erë,
Era pi edhe tek unë dhe më qesh në deje.
Pranvera pi, qesh edhe ajo,
Pi, qesh, si dikur, nga sytë dhe gjinjtë e tu.
Pinë, qeshin edhe kangjellat hekurta nga lulet,
Lulet dhe kangjellat pinë dhe qeshin me ne,
Me kohën kur u ndamë.

Të gjithë pinë, qeshin dhe dehen për hesap të tyre.
Edhe unë pi, qesh me ty për një dashuri të hershme
Dhe ti pi, qesh me mua për një dashuri të pavdekshme.

Pse mos të piqeshim bashkë?
Koha bluan yje dhe miell prapë…
Ti je e bukur, aq e bukur
Sa njëzet vjet më parë!

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.