TI MË NJEH
Ti më njeh më mirë se bota dhe kur qeshem dhe kur qaj
Dhe kur helm më mbushet gota e pa shkak të nis e shaj,
Dhe sakaq kur them më fal, këtë e bëra pa dëshirë
Dhe kur ngutem dhe kur ndal më shikon me ca mëshirë.
Ti më di sa jam hutuar sa kjo botë më ngjan e çmendur
Di që armët s`kam në duar ta përzë këtë re të dendur,
Që na shfaqet përmbi koka e tinëzisht tutje të merr
Kur greminë më hapet toka kur parajsa ngjet në ferr.
Ti m`i njeh fjalët e trishta vinë kur pritjet janë të gjata
Dhe këmbanat sa të brishta kur të lodhur më zë nata,
Di që veten kam përmbysur tek poetët s`jam në majë
Edhe vjeshta vetullngrysur s`më pranon në shtrat të saj.
Ti më di në gjithë këtë jetë sa pa frikë i qasem drojës
Por tashmë kam shkelur vetë pelegrin në mes të Trojës,
Kur flaknaja djeg qytetin një strehim kërkoj këtu
Jo mbi varka të marr detin por tek qiejt e syvet tu…
SONTE NGA LARG
Nga larg më thua, m`ka ikur gjumi
Se s`mund ta ndalja pa frenj në dorë,
Kur loti mbyti ca ura lumi
Në breg të shpirtit po binte borë.
Me digë qepallash se mbaja lotin
Prandaj e mbusha një det të tërë,
Veç pak më thua, ta njihja notin
Drejt teje rrugën do kisha bërë.
E ndjej që sonte t`ka mbytur shiu
Dhe t`solli ngrica mbi ca kujtime,
Ndaj t`lutem, gjaku nëse të ngriu
Merr hisen tënde nga zemra ime.
Dhe flej e qetë se vonë u bë
Po vjen e dehur një natë e dytë,
Por nëse gjumi s`afrohet më
Merr gjumin tim dhe mbylli sytë…
NË QYTET TË HUAJ
Acar e mjegull por ku po vete
Asgjë s`kuptoj as vetë,
Kërkoja t`gjeja një fije jete
Te ky qytet i shkretë.
Mbase hutimi më pati ndjekur
Tërthoras shpesh i rashë,
Teksa mendoja, bota ka vdekur
Sakaq në rrugë të pashë.
Ah u tmerrova, harresës vije
Si një kujtim i gjallë,
Që s`ishim parë ti mirë e dije
Por si duruam vallë.
Të grisja retë provova shumë
Me to të t`fshija ballin,
Gërmova tokën e s`gjeja lumë
T`na shuaj etjen, mallin.
Kan shkuar muaj koha ka ikur
Sërish së toku ne,
Prej qelqi puthjen s`e kemi shpikur
Ajo ka qenë mbi dhe.
Për ty kam ardhë se s`munda më
Ta lë ndjesinë të vuaj,
Të ikim qiellit puhizë pa zë
Nga ky qytet i huaj.
Kur t`bie shi ç’do bësh me mua
Bëzan por jo më kot,
Përplasen yjet ndërsa e thua
Qerpikëve t`zbret një lot.
M`u dhimbse fort por dot s`ta fshija
Atë pikël lot nën sy,
E si t`a bëja kur mirë e dija
Që unë të vrava ty…