TIRANA NË DIMËR nga Ismail Kadare

Ismail Kadare

KOHA EPOPUJVE

Kur superkafshët dridhnin botën,
Njeriu në gjunjë nuk u ul
Ka pasur vite të mamuthëve
Po kohë të tyre s’pati kurrë.

Me brirë të tmerrshëm e klithma kobi
Mbi tokë ata vunë ligjin bishë
Megjithatë ish kohë e njerëzve
Dhe ky planet i njerëzve ish.

Nga superpesha u vinte vdekja,
Ngecnin përbindshat në batak.
Kështu do ngecin supershtetet
Në llum të globit pak nga pak.

Dhe kur në të ardhmen do zbulojnë
Eshtrat e tyre nëpër botë,
Ashtu si eshtrat mamuthore,
Që zoologët gjejnë sot.

Kur të zbulojnë konstruktet, dhëmbët,
Atë burokraci-hata,
Ç heronj, do thonë, kanë qenë
Popujt që rrojten tok me ta.

Ata q’u ngritën përballë tyre
Që u qëndruan trimërisht,
Ish kohë e tyre ajo, do thonë,
Dhe ky planet i tyre ish.  
1976

GJUHA SHQIPE

Kur në sulm hodhën turqit
Hordhitë e pambaruara,
Kështjellat e sintaksës
S’i muar, që s’i muar.

Kur panë se gjuhës
S’i hodhën dot prangat
Lëshuan drejt saj
Gjithfarë merimangash.

Parashtesa e pjesëza
E lidhëza së prapthi,
Të bukurën gjuhë
Ta bënin leshharpi.

Të të bënin ty, donin,
Shqipëri, memece.
Po ja, erdhi Naimi,
Si yll mbi ty ecte.

Dorën e zbehtë
Mbi ballë ta vuri
Të të hiqte zjarrllëkun
Prej të sëmuri.

Dhe vdisnin pjesëzat,

PORTRETI I SKENDERBEUT

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditeshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë.


Thaheshin merimangat,
Ndriste si perlat
Poezia e madhe.

DASHURITË

Ka dashuri të vogla
Dashuri të para, dashuri nr. 1,
Dashuriza.
Që zukatin në kujtesë posi miza,
Që bëjnë kakao,
Që lajnë kanotiera;
Ka dhe dashuri të mëdha, të lira si era,
Mbetur tutje-tëhu nëpër botë anembanë
Që s’na dijnë ku jemi,
Që s’i dijmë ku janë.

NË PARKUN QË MBULUAN FLETËT

Në parkun që e mbuluan fletët,
Të dy ne ecnim qetësisht!
Pas shijes së saj ka shtruar vjeshta,
Qilim të verdhë, natyrisht!

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë,
Iu fanit një muzg i vonë!
Ky park që e kanë mbuluar fletët,
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon…

Nga vagabondët me cigare,
Ti mos u tremb, e dashur, kot!
Imazhin tënd dinosaurët,
Shekuj më parë s’e shtypën dot!

Që ti të vije kaq e bukur,
Me ato flokë, me atë hap!
Toka të egrën klimë zbuti,
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht!

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe,
Të ndodhte ndryshe s’ kish se si!
U desh të zhdukeshin përbindëshat,
Që te kjo botë të vije ti….


DRERI

O drer i lartë me ata brirë gjer në yje,
Ndjekur nga qentë ikën, ikën, ikën.
Sa herë kokën shkund, rrëzon prej qiejsh
Copëra dëbore e kristalesh pikë-pikë.

Porsi parmendë brirët e tu lërojnë
Veç lartësitë ngecin në to prore.
Fije viskoze yjsh e brumë kometash,
Ethe agimesh boreale e horoskopë.

Por qentë s’duan t’ia dinë, ata veç lehin,
Rreken të të rrëzojnë e ti prapë ikën, 
Nën yje mospëfillës.
Më shumë se qentë 
Kjo mospërfillje qiejsh ty të pik.
1984

NË NATËN PLOT ACAR

Në natën plot acar një zjarr desha të ndez
Por, nata ish e ftohtë, ah, ç’tmerr i zi që ish,
Ndaj që të mbahej gjallë ky zjarrth n’atë rrebesh
Diçka përherë kërkonte, kërkonte vazhdimisht.

Ndaj si shtegtari murg, që shkarpat mblesh në terr,
Unë hidhja n’atë zjarr gjymtyrët pa pushim.
Por ishin pak ato, ndaj fill pas tyre rresht
Mbi të nisa të hedh copëra të shpirtit tim.

Se s’bëhej ndryshe, dot, se s’bëhej ndryshe, eh,
Se duhej që dikush ta mbante atë flakë.
Në flakëzën-delir që veç vajosja sjell
Të frikshme pamje ndritnin e dridheshin përqark.

I shihnit vallë ato, dallonit vallë diçka
Ndërsa rreth meje nata me terr e ujq u mbush.
Se donin që të gjithë ta fiknin atë zjarr,
Dikush me ligësi e me padije dikush.

Të tjerë majë kodrash ku dielli kishte rënë
Të tyret zjarre ndrisnin dhe qeshnin që përtej.
Se s’donin të kuptonin ç’bëhej këtu brenda
Se ç’fli kërkon një flakëz që lindet në një terr.

I lodhur nganjëherë kam thënë: shuhu pra,
Në qoftë se nuk të duan, të bjerë natë e pafund.
Të verbtit sytë tuaj kështu ndoshta do t’jenë
Në terrin absolut pa shqetësim kurrkund.

Po prapë diçka më shtynte të ngrihem si somnambul,
Si murgu shkretimtar që shkarpat verbtaz mbledh
Dhe sipër zjarrit prap’ të hedh gjymtyrët akull
Dhe copërat një nga një të shpirtit tim të hedh.

1984

***
Dashuroja?
Ndoshta dashuroja vërtet!

… Pra, ishte kështu.
Dhe s’mund të ndodhte ndryshe.
Dashuri e njëjtë,
Kombe të ndryshme.

***

Kujtime të pabindura, rebele të një kohe tjetër.
Dorëzohuni siç i jam dorëzuar unë pranisë suaj,
Ndonëse me vete them se u kam harruar.

Ikni, shkoni nga të doni,
Veç këtu mos qëndroni e mos u ktheni as.
O ju rebele, kujtime të pabindura,
Ikni, sepse të ikura ju jeni…

***

Tek dera e avionit era të priste.
Zemra me dëborë m’u mbush.
Si një vetmi e madhe
Zbrisja,
Por n’aeroport.
Askush.

Askush.
Hamej, merrini këto valixhe.
Të rënda?
Janë mbushur me pritje.

Gjithë natën fluturuam mbi qytetet e Evropës.
Ti, s’dija ç’kishe, s’më prite.

***

Më rrëzëllinte si smerald mërzija,
Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re…
Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja,
Sepse secila m’ e bukur se tjetra qe.

Duke të puthur, pa të dashur.
Në shpirt ai ty të plagoi.
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
Si vrasës tinëz shkoi.

Krenar që ty “të shtiu në dorë”
Gjith’ shokëve emrin tënd ua tha.
Pranë gotës së birrës për ty folën në park, të dielave ata.

Dhe ti e vetme mbete, bosh
Mbenë sytë e tu në net bilbilash.
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.

TIRANA NË DIMËR

1
Fryn erë e dimrit, fishkëllen si bishë
Që nga Gjykatë e Lartë në Parlament.
Tirana gdhin, aq pabesisht e hijshme,
Sa s’di ç’ta marrësh, dëlir apo qytet.

Zgjohet sërish, me atë emër të tmerrshëm,
Që një mijë vite rreh ta heqë më kot.
Vërtetin gjethet dantealigershëm
Si shpirtra që nuk patën trupa dot.

Përballë tyre, zyrtarë të pashpirt,
Në varg veturash rendin, s’dihet ku.
E verbër si të tjerat ngjan kjo ditë
Ngaqë askush s’beson askënd, askund.

2
Në një mëngjes të tillë ç’të bësh më mirë,
Se sa të shkosh në klubin “Davidoff”?
Të zësh një kënd mu te qelqnajë e ngrirë
Dhe mendjen mundësisht ta çosh në off.

Në kafene ka për çdo punë një qasje,
Të tillë që kurrkënd nuk e gjen dot.
Për tri mijë euro porosit një vrasje,
Për katër mijë, titullin vikont.

Për gjithçka flitet, pronat, asgjëkundin,
Çmimin Nobel a një veturë të re,
Për zgjedhjet dhe dekretet krejt të fundit
Të zotit president me emër hebre.

Flitet për mllefe, për kupën që u mbush,
Për Jezu Krishtin a ndjesën fill pas kobit.
Në njërën nga tryezat shpall dikush
Një skicë të re të historisë së kombit.

Pas tij, kur etërit tanë një vjeshtë dolën për pre,
Një shkabë rrëmbyen në trojet e mëdha.
Më lehtë u merrje shpirtin se atë shpend,
Ndaj bota u lodh e shkabën ua la.

Krenarë që Romën e Bizantin zhvatën,
Jo një kasolle vllahu në Ballkan,
E vunë në flamur të tyre shkabën
Dhe bij të saj u shpallën anembanë.

Kështu në kafene kjo punë merr qasje
Me “kundra” e “pro” të bujshme, natyrisht.
Okej, për tri mijë euro, thotë vrasësi,
Për dukën dhe dukeshën bashkë, dyfish.

3
Mesdita ia beh, si grua e dehur tapë.
Temperatura e dollari zbresin prap.
Po shqyhen celularët: okej, shkërdhatë,
Rrofsh, je yll bote, e tung, e top, e ****.

A shqip është kjo llahtarë apo dreqnisht?
Për gjithçka flitet, heshtet për gjithçka.
Ja të dy palët, xhelatë, viktima e ish,
Kujtime shkruajnë netëve me mllefe të mëdha.

Po ç’është ky popull që në gropë i shtrirë
Kujton aq krenarisht se është në majë?
Dhe kur përkunër, nga gropa del i lirë,
Jam i rrëzuar! Klith me thirravaj?

Një makth i dalë nga një gjumë i marrë
Më i zbërthyeshëm se ky komb do të qe.
Ca trumba zogjsh me curle e celularë
Që nëpër mjegull klithin, nëpër re.

4
Pse gjethet befas prarim kurore marrin,
Tek shtrohen si qilim mbi bulevard?
Kambana e katedrales së Shën Palit
Trishtueshëm bie si me peng e aht.

Ç’nuk pjell ky vend, horra, shenjtorë e tmerr,
Zonja Makbeth e pranga e perla e hekura.
Dhe ja tani njëra pas tjetrës nxjerr
Dy mbretëresha, që të dyja të vdekura.

Nuk qenë robina jo, rrëmbyer vonë,
Pas dokeve kreshnike a në pritë.
Kanë ardhur vetë, ndonëse qenë në fron
E para veç një vit, e dyta as një ditë.

Dhe katedralja i përcjell me vaj
Dy mjellmat e gabuara, të mekura.
Ato që s’erdhën për kurorë, veç për varr,
Të brishtat zonja, mbretëreshat e vdekura.

5
Në klubin “Davidoff” qelqnajë e ngrirë
Dremitje dite sjell s’di se nga ku.
Një si madonë e lodhur më është përhirë,
Që italishtja gjuhë mund t’ishte gjithashtu.

Lehonë e zbehtë pas lindjes së kaltëreme,
Në të njëmijtin e treqindin vit,
Më shumë se Krishti madonën, kjo poemë
E lodhi ndoshta gjuhën italisht.

O këto pamje i njoh dhe nuk i njoh,
Këto tri kate, rradhët, ashensorët,
Ku hypin, zdrypin, klithin obobo,
Rufjanët, mëkatarët dhe mizorët.

Të gjithë janë aty, rrahin më kot
Të ndërrojnë katet, por katet s’ndërrohen kurrë.
Të zes, në mjegull shtyhen sindozot,
Ish-korbat e së zezës diktaturë.

Nga bie dalja? Ku ndodhet Purgatori?
Nga pyetjet sheshi gumëzhin si zgjoi.
Shkodran je ti? Ç’plenum i zi të polli?
Më ngriti i dyti, i gjashti më rrëzoi.

Një zë gjëmon: këndej plenumi i katërt,
Piktorët andej, i pesti rreth u mbush.
Shkrimtar spiun je ti? Rend te i shtati.
Në s’do të digjesh te i teti shkrumb.

Rendni, fatzinj, mëshirë për ju nuk ka,
Ashtu siç ju nuk patët për askënd.
S’ka vend ndërkaq te Tmerret e Mëdha,
As te Politbyroja nuk ka vend.

Me ngut po shtohet një Gropë e Hon i Ri,
Bri Lugjezezës një tjetër Lugjezezë.
I nënti rreth po mbushet, dhe ai.
S’ka mbetur veç një vend për Zonjën e Zezë.

6
Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi.
Shpirti pushim kërkon, e ndoshta mall.
Anëdete blu, plazhe të shkreta dimri,
Hotele ku nuk mbërrin i ftohti i madh.
Një grua e mjegullt, shfaqur te qelqnaja
M’u duk se më kujtonte një premtim.
Vdekja s’më la, atë premtim të mbaja,
I thashë më në fund plot pikëllim.

Ajo më pa habitshëm që pas qelqit:
Nuk të marr vesh, kjo gjuhë më bën ujem.
Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur,
Atëhere mua ç’më mbetet që të jem?

S’e di, i thashë, me habi të ftohtë,
Tek shpirti prapë me pikëllim m’u mbush.
Dikush nga ne të dy s’është më në botë,
Po cili a cila, këtë s’e di askush.

Një copë herë me shenja morëm e dhamë.
S’kuptoheshim, veç kishim mall e mund.
Gjersa ajo u tret te qelqi i madh
Dhe unë mbeta shkret në kundaskund.

7
Mbrëmja po bie. Tirana rrotull bllokut
Nis të stoliset për ballo a për orgji.
Një foshnje e rastit, e paligjshme e Nju-Jorkut,
Një ëndërr xhuxhe a shkërbim i tij.

Në borxhe e gjyqe rrokaqiejt vërtitin
Drita dhe bare rrotulluese lart.
Poshtë tyre, luanesha të përgjumura në pritë,
“Amerikan”, “Raiffeisen” e “Credin’s Bank”.

Por s’do t’ia dijë askush për borxhe a gjyq,
Të dehur qejfit krejt a marrja e hakut.
I gjatë, si natë e ankthshme n’udhëkryq
Shfaqet mes brymës kryebashkiaku.

Kull e Sahatit po tregon një orë,
Që ndoshta kundërshtohet si çdo gjë.
Në sallat e muzeut të fundit vizitorë
Ja muzgu si në kurth befas i zë

8
Keshtu ne nje fund dite ajo mu shfaq
Fantazme e kombit si e Hamletit mbret.
Kish ndryshk e gjak mbi parzm e et per shpage
Dhe kumt te frikshem kish ne syte e vet.

Une ja besova fjalet, kumtin, ahtet,
Gjithmone ka nje fantazme qe lyp dicka prej nesh,
Pastaj ajo kerkoi ate qe s’lypet artin.
Tek fjalen “popull” tundtte si rrebesh.

Te falem per c’me dhe, vec mos me lyp ti mos,
Nje borxh qe nuk ta kam. Te kerkoj ndjese
Qe dot s’te mbrojta, s’te mbrojta e sidomos,
Prej vehtes tende, armikut tend te tmerrshem.

Ti rrugen tende ke ne kete bote te ftohte,
Shkrimtari do a s’do ka rrugen e vet.
Te mbrofte Zoti, a marrezia te mbrofte,
Tjeter hyjni une kam. Pra mirembetsh!

Ska “mirembetsh!” fantazma klithi. Mejet
Ti sndahesh dot, mbi toke apo nen toke!
Nu ngritshim, te dy do cajme rete
Ne rencim ne humnere, do biem tok.

Klithmen e saj kaq kohe pata ne vesh,
Here si renkim, si urdher a si vaj
Kerkonte qe gjithkund ta mbart si peshe,
Porsi Ankizin at, mbi shpine ta mbaj.

Te gjithëve kjo klithme na ndjek si nëpër gjumë.
I vogël është planeti sigurisht,
Si një shtëpi e ngushtë, ku në bodrum
Dikush klith: ”ndihmë!” dhe ti, s’di si ta ndihsh.
………………………………………………..

Mesnata shkon Tirana dot nuk fle.
Po flet përcart si shpirt që kërkon ndihmë
Një metropol me kryet krejt në re,
Kryeqytet me emrin krejt enigmë.

Në c’makthe e gjete, c’kumt aty ke ndryrë?
Ç’urdhër ke fshehur, kë do trembësh me të?
Fryn erë e dimrit, si ulkonjë e ngrirë,
Ajo që s’jep përgjigje për asgjë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.