“TITANIK”-U IM – DASHURI nga Ilirjana Sulkuqi

Ilirjana Sulkuqi

“TITANIK”-U IM – DASHURI

Në “TITANIKUN“ tim
ndërtuar prej molekulash dashurie,
ftova
në një udhëtim ëndërr – ujërash
dashuritë e mia
që nga foshnjëria…

Po ku ta dija, ku ta dija
se akujt
nuk mund t’i shkrinte
Fryma…?

…Dhe “Titaniku” u mbyt…

Ku ta dija, ku ta dija
se duart të priten
e s’mund të përkëdhelësh më
asnjë kujtim…?

…Dhe “Titaniku” mbytet sërish…

Në fund të thellësive të ujërave
vazhdon të nxjerrë tinguj
një violinë
që shoqëron deri në fundin e Ikjes –
Ardhjen,
si FILLIM.

UNË ME HIJET E MIA – SILUETË PERËNDIE
(…një tango e pa kërcyer…/ Kurriz më kurriz/
me njera – tjetrën,/me të njejtën Frymë, /
jetojmë si dy shemra).

Monologun tim,
përgjatë hapave të shetitjeve
në orët e ditës
e shoqërojnë,
pa lejen time,
Hijet e mia –
të shkurtra, të gjata …
sipas orës diellore pa eklipse.

Hijet e mia
ma bëjnë monologun – dialog
duke u grindur
me pjesën e padukshme
të vetes sime, me apo pa shkak…

Hijet e mia –
pa zhurmë,
pa konture bukurie.
Vetëm Siluetë grafike
prej Perëndie…

Unë dhe Hijet e mia –
një tango e pa kërcyer
në asnjë skenë të botës së rreme.
Kurriz më kurriz me njera – tjetrën,
me të njejtën Frymë,
jetojmë
si dy shemra.

O GRINDET TOKA IME DHE QIELLI YNË…
(mes tyre unë – asgjë-ja)

Pashë një ëndërr…,
ende pa mbyllur qepenat
apo grilat prej qerpikëve
që fshihnin lotët prej sy-irisi…
U zgjova syhapur
nga ëndrra
që po m’i
shkulte dhe rrënojat e fisit…,
ende pa më ”flutururuar” Shpirti…

Po grindej Toka ime
dhe Qielli Ynë.
Mallkonte Toka me bè për një Rè.
Hakmerrej Qielli
për Rè – në me Rrufè…
Fërkova sytë prej ëndrre pa fjetur…,
grisa qepena e grila
të bëhesha rrufèpritësja
edhe pse nuk isha “asgjë”- ja
për të dyja…

Qiellin e paqëtova me fjalë
prej Zotit të tij …
Po Tokës, ç’t’i bëja…?
Me klithma prej loti,
a mund ta besonte Marinë…?

Qielli dhe Toka –
Si Zoti dhe Shën Maria
(edhe unë,
kohë e pa kohë …-
me pëpëlitjet e qepallave të mia.
Herë,
duke u prushëzuar
brenda tokës sime – Shën Mari,
herë,
me sytë nga Qielli,
te Zoti ynë…(!).

… Ç’mund të bëj,
më shumë… ?

Brooklyn, NY, korrik 2018

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.