TOKË, ZJARR DHE UJË nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

TOKË, ZJARR DHE UJË

Ajo ishte një grua prej zjarri,
Unë një planet i ftohtë akulli.
Unë mërdhija dhe ajo digjej,
Derisa një ditë lindi fjala.

Fjalë pas fjalë filluam të hanim,
Ajo akullin dhe unë zjarrin.
Pastaj filluam të lumtur të qeshnim,
Putheshim me njeri-tjetrin.

Fjala rrodhi te zemra dhe mendja,
Drejtësisht i vumë në short.
Filluam të qajmë se gabuam të ndanim
Mendjen nga zemra që s’ndaheshin dot.

Tani ndjejmë se si fëshfërin era.
Vetën tonë që mërmërit për udhë.
Domosdoshmëria që pjell prapë ëndrra,
Pa ndryshuar gjendjen tonë prush dhe ujë.

Kuptojmë se po bëhemi prej letrash,
Prej ekuacionesh, dëshirash rrëmujë.
Mendjea dhe zemra bëjmë pytje pitagorash,
Pitagorat bëjnë luftë me prush dhe me ujë.

Ajo ka një të veshur deti të bukur?
Apo jam unë bluja e saj që bluan?
E qeshura e saj është kaq e ndezur
Sa tërë uji i botës s’e shuan…

Thotë se do të më ushqej me të qeshur,
Më qeshet dhe i qeshur zë ta puth.
Më thotë se ndjehet një livadh i gjelbër,
I them se jam uji i saj në buzë.

Kur zëmë të flasim për politikën,
Kujtojmë se dimë të ulurijmë shumë,
Si atëherë kur ishim zjarr dhe akull,
Dhe u gëzuam që u bëmë prush dhe ujë.

Ose e gjitha kjo është vetëm ëndërr,
Ose ëndrrat me njerëzit s’mbarojnë punë.
Njerëzit vijnë nga zjarri dhe akulli?
Apo kanë qenë Tokë, zjarr dhe Ujë?

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.