TRE ESKIZE POETIKE
1.aspekt
të njomësh veten me zërin e ri të një poeti, me botën
e thyer të tij të poezisë si diçka tjetër n’univers
që s’e ke ndeshur më herët, askund në qiell e tokë
terrin e saj të ndritshëm ku do të gjesh vetveten
duke u lindur e rilindur gjersa të jet’ e përsosur…
2 autograf
i sëmur’ e kalimtar si bari i thar’ i mureve të vjetër
si vetmia e ashpër dhe e ngazëllimt’ e poetit të provincës
në bregun e detit
vë veshin dhe ndiej
siç dëgjon i vdekuri i porsavarrosur hapat
e njerëzve që po ikin prej tij
nuk mund të kthehem në vendin tim këtë mbrëmje
nuk dua me u kthy në trupin tim të rrezbitur
nuk dua të kthehem te askush pas kësaj pranvere
ah, të dashuruarit me tmerr siç dashurohet deti
siç dashurohet poezia
si dashurohet një dhembje e re
e fjalët e mia jan’ lotët e të gjithë atyre
që deshën aq shum’ të qanin e që s’mundën
teksa ishin në zgrip
i sëmur’ e kalimtar si bari i thar’ i mureve të vjetër
si vetmia e ashpër dhe e ngazëllimt’ e poetit të provincës
në bregun e verbit…
- monument
shekull pas shekulli, vit pas viti, çast pas çastesh
poeti ësht’ si viktima e lidhur
pas traut që bën shenja përmes flakësh…