TRE HYMNE HYJNORË
1.
hymn i dashurisë
jam duke i kundruar këmbët e tua argjendore
këmbët e tua me shpirt si flaka
ah, te fshij me to syt’ e mi ashkpërlotur
por ndruhem se mos po i plagosin qepallat…
2.
hymn i paqes
monumente kushtuar shegëve
statuja kushtuar patave
obeliskë vetëtitës për peshqit
për qengjat, pelikanët në ag
jaseminët me yje e vesë
lartuar nga njerëzit e paqes
të përvojës pikuese të jetës
dashurisë botërore pa skaj
të qytetit të Urfës së shenjtë
obeliskë vetëtitës kallëzash
monumente purpurorë shegësh…
shënim: Shanli Urfa, qytet i shenjtë në Turqi.
3.
hymn sufist
ujërat po rrjedhin ngadalë
as nën’ s’më mbet, as vëlla e motër
a më bëhesh mua bashkudhëtar
a më dashuron, a të besoj
a të duroj përmalljen për ty
në s’më dashuron më thuaj
të qaj duke u djegur në ashk
shih dy sy shohin një
vetëm për një dy krahët e mi
dy buzët e mia për një të vetme
dashuri qenka… vetëm dashuri
e për të puthur nuk duhen buzë
por një “ah” i thellë prej zemre
kjo kohë ka një entusiazëm
jeta shkon për te bukuria
haptas, fshehtas, te burrat, te gratë
dashuria qenka… vetëm dashuria
në lartësi dhe në ultësi
në këtë kohë dhe në të kaluarën
te hyjnia e drita, krimi e ligësia
te njeriu dhe te absoluti
te zë i bilbilit, ulërim’ e luanit
e-mailet, yjet, ëndrrat, lotët, engjëjt
te këngët e detet, humnerat e zanat
çdo pik’ në lëvizje, atom n’vallëzim
fluturojn’ e shkojnë në takim
nga er’ e zymbylit gjer te gjithësia
madhështi që dridh vetëdijen
dashuria qenka… vetëm dashuria
ujërat, ja, rrjedhin ngadalë
s’më mbet as nën’, as vëlla e motër
a më bëhesh mua bashkudhëtar
a më dashuron, a të besoj
a të duroj përmalljen për ty
shih, dy sy shohin një
mbledhur kozmosi gjith’ te një e dashur
vetëm për një dy krahët e mi
dy buzët e mia për një të vetme
dashuri qenka… vetëm dashuri
e për puthjen nuk duhen buzë
por veç një “ah” i thellë zemre…