U SHËMB NJË FJALË nga Nikolle Loka

Nikolle Loka

U shemb një fjalë

U shemb një dallgë e mbeti pezull,
u kthye në ujëvarë që s’do të zbresë,
dhe ai litari që e mban nën sqetull, 
për lart do të na tërheqë.

U shemb një rreze e u ndal te një yll,
një fjalë u tha e s’di ç’ndodhi pastaj,
në u bëftë ujë do kthehet vesë,
që ylli të mos ndihet në faj!

U shemb një fjalë që më shkrepi në mend,
s’e di, ndoshta zemrën ma preku,
nëse aty do ta gjej një vend,
dije se kurrë s’ka për të vdekur!

Nën hijen e shelgut lotues

Ta shkrova letrën
pak para zgjimit të shelgjeve,
me lëngun e gjetheve të reja.
Të shkrova
për merakun e vjeshtës,
për hutimin e dimrit,
për një pranverë
që e prisja…

Të shkrova
për ëmbëlsinë e sytheve
në harkun e degëve,
idhtësinë e paramëngjesit
që më shkëput
nga puthja e tokës me shelgun,
e më nxjerr nga vetvetja.

Filli dhe zanafilla

Gurë të mbetur
në skuta mendimi,
drurë që kalben nën dhé,
mërzitur nga skllavëria,
lulëzojnë
e lëshojnë hije,
prej një kurore të re.

Ditëve dalim t’i shohim,
netëve flenë brenda nesh,
deri sa të duket qielli
e një rreze dielli
t’u kalojë tejpërtej.

Atëherë vjen një kohë tjetër,
e vërteta nga fillimi,
filli dhe zanafilla te burimi…

Në ndarjen e kohës

Po e pe një vijë
të ndarjes së kohës,
në para dhe pas erës së re, 
mos qëndro në vend,
udhëto me një të tashme që zgjat,
me një mendim që të lidh,
me një dyshim që të pret,
me nje premtim,
që askush s’ta dha,
por ende e beson si të vërtetë.

Pafajësi fëminore

Kur lindin fëmijët
u afrohet një engjëll,
për një letër të pashkruar 
u flet në vesh,
vogëlushët të shkujdesur
dinë të qajnë
e të qeshin
me pafajësi fëminore,
pa kompleks.

Mbi atë letër,
shkruajnë pa e kuptuar,
deri sa nuk mund të shkruajnë më,
pastaj presin
të vijë engjëlli tjetër,
që t’ua lexojë
çfarë kanë shkruar mbi të.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.