UOLLT UITMAN nga Skënder Luarasi

Skënder Luarasi


NJË HERË KALOVA PËRMES NJË QYTETI

Një herë kalova përmes një qyteti me shumë popull,
Shënoja në trut’ e mi, që ta përdor më vonë,
Pasqylirat e tij, arkitekturën, zakonet, traditat;
Po tani, nga gjithë ai qytet më kujtohet vetëm një grua
Që e hasa padashur dhe më mbajti se më deshi;
Ditë për ditë e natë për natë qemë bashkë –
Gjithë të tjerat më kanë dalë nga mendja;
Them, më kujtohet vetëm ajo grua që më desh me shpirt;
Prapë shkojmë bashkë – duhemi – prapë ndahemi;
Prapë më mban përdore – nuk duhet të shkoj!
E shoh ngjitur meje, buzëkyçur, t’hidhëruar, duke u dridhur.

SIKUR TË MATESHA DOT

Sikur të matesha dot me fuqinë e bardëve të mëdhenj,
Të skalitja tiparet e bukur e madhështorë,
Të thërrisja në duel Omerin me gjithë luftrat e luftëtarët –
Akilin, Ajaksin, Hektorin,
Të vizatoja si Shekspiri Hamletin, Lirin, Otellon të mbërthyer
në prangat e vuajtjes tronditëse,
Ose si Alfred Tenisoni të këndoja bukuroshet leshverdha,
Po të zotëroja mjeshtërinë e vargut
Dhe ritmin e përsosur – ëmbëlsinë e këngëtarëve –
Të gjitha këto së bashku, o det, unë do t’i falja me gëzim,
Po të doje ti të më kumtoje lëkundjen e njëzë vale, një teke
të saj vetëm,
Ose t’a frynte vala vargun tim me frymën e saj të njomë,
Duke i dhënë vjershës aromën detare.
 

NE TË DY – SA KOHË, QË U GËNJYEM!

Ne të dy – sa kohë që u gënjyem!
Tani, në trup të ndryshuar shpëtojmë shpejt, si shpëton
Natyra;
Jemi natyra – shumë kohë qemë larg saj, po tani kthehemi, 
Bëhemi bimë, fije, fletë, rrënjë, lëvozhgë; 
Mbështillemi në truall – jemi gurë; 
Jemi lisa – rritemi krah për krah drejt hapësirës. 
Gjërmojmë – jemi çift kopesh t’egra, zot më vete si kushdo, 
Jemi dy peshq që notojmë tok në det; 
Jemi siç janë gonxhet – përhapim aromë nëpër lëndina, në
mëngjes e mbrëmave;
Jemi dhe pëgër’ bagëtish e drush e mineralesh; 
Jemi dy zogj grabitës – fluturojmë sipër dhe vështrojmë poshtë,
Jemi dy diej – ne vetë e mbajmë peshën, pezull, si top, si yll
jemi si dy kometa;
Ecim në pyll me kthetra a putra – dhe biem pre; 
Jemi dy re, para dreke e pas dreke, që endemi në qiell; 
Jemi dete të përzier – dy nga ato valët gazmore, që rrokullisen 
mbi njëra-tjetrën e lagin njëra-tjetrën. 
Jemi siç është atmosfera, pranojmë, përmbajmë, dëbojmë; 
Jemi shira, dëborë, të ftohtë, errësira – jemi secili pjellë e
pasojë e lëmshit të dheut,
U vërtitëm rreth e rrotull gjer u kthyem në shtëpi – ne të dy; 
U larguam nga të gjitha veç lirisë, nga të gjitha veç gëzimit.

Uollt Uitman, Fije Bari, shqipëroi: Skënder Luarasi

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.