Vajzat dhe lulet nga Shefqet Sulmina

SHEFQET SULMINA

Vajzat dhe lulet

 

Ne ishim djem të rinj, këndonim me urra!!!
Vajzat janë si hëna, të bukura janë të gjitha…
Të gjitha vajzat janë poezi.
Ato na bënin shtigje, ne jua zinim shtigjet,
Ato na urdhëronin, të mblidhnim lule për to.
Para se të zinte muzgu, ne zinim monopatet,
Ashtu lule me lule ju këndonim të gjithave
me zemër dhe lule,
dhe me poezi.
Bëheshim lule me lule krejt me pjalm lulesh,
Krejt me pjalm lulesh krejt me marrëzi.
Nga tërë lulet e mbledhura,
Njërën vinim veç,
Kush e di se pse.
Ndofta për erën,
ndofta për pjalmin,
ndofta vetëm thjeshtë.
Veç nga tërë lulet,
veç nga terë erëzat,
veç nga terë ngjyrat
Njëra rrinte veç.
Nuk dinim se përse?
S’e dinim çfarë ndodhte?
Pse e mbanim fshehur?
Nga tërë puthjet e tyre njëra ishte ndryshe.
Veç nga tërë lulet,
veç nga terë erëzat,
Njëra ishte faqe,
njëra ishte buzë,
njëra ishte gjuhë,
Njëra ishte gji…
Edhe ajo rrinte veç si ti.
Na hidheshin në krah,
Na mbulonin me puthje
Me pjalm dhe me puthje
Na rrëzonin si dushqe.
“Hëna dashuron yjet,
Ju të na doni ne!”
U thoshim ne atyre
me ton
e me zjarr!
“Ju, duhet të na doni!”
Na urdhëronin ato,
Ngjituni në mal për ne të mblidhni
Boronica dhe çaj!
“Ne do tu duam më tepër se yjet duan hënën”!
Dhe ktheheshim nga mali
Kush e kush më shpejt!
“E ç’dashuri bëjnë yjet vetëm me një hënë?
Se jemi burra ne, kështu të na doni ju”!
Ato me zërin e butë:
“Po ne duam një”.
Mes krahëve tanë, si përmes dushqesh,
Si hënëza të lumtura,
Ato një nga një morën vend dhe heshtën,
Talleshim me yjet, kur hënën nuk e kishin,
Se ishim burra ne që i donim vajzat,
Si baballarët tanë, donin gratë që kishin.
Por në lulet e mbledhura s’kishe qene veç ti…
Njëra ishte faqe,
njëra ishte buzë,
njëra ishte gjuhë,
njëra gjishe ti…
njëra ishte gji…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.