BORË, MOLLË DHE LOJË nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

1.
Borë, mollë dhe lojë

Mollë po m’ijell i them Evës,
Ja’ në arë të m’jellim mollë,
Është janar dhe fryn erë,
Është janar dhe bije borë.

Dy mijë rrënjë i vura kodrës
Si gërsheta ndër të ftohtë,
Dy mijë rrenjë kur të vij marsi,
Dy mijë rrënjë do marsërojnë.

Eva qesh, me mua tallët
Dhe me quan burrë babosh.
Borën bën në topa-topa
Dhe mi vesh në kokë e gjoks.

Shpejt e shpejt më bënë prej bore,
Më thëngjij bën sytë e mi,
Një karrotë për hundë e gojë,
Dhe zgjat gjirin që tija pi.

Thotë: Ti je dimri, unë vera,
Ti po pret të vij pranvera,
Ti je dora, unë bëj zemra,
Ti do mollë, unë bëj gërsheta,

Bëj ta zë ndër fiolla bore,
Bëj ta zë ta shpie në arë…
Eva qesh tund jo-në e gishtit
Bëj si bëj më çon në shtrat.

Thonë pastaj se hëngri mollën,
Thonë pastaj se çel në maj,
Thonë pastaj se është legjenda…
Bota- borë me botën- fjalë.

Kështu lindi për një javë,
Bota – borë me botën -fjalë.
Unë mbillja, Eva qeshte
Mollë dhe borë atë janarë…

2.
Vajzë dhe borë

Pse po shkon e qysh do bëhesh
Vajzë e borë, në borë të lehtë?
Ti e di çdo lumë prej guri
Që nga qielli borën pret?

Nëse shfaqesh ti nga deti,
A nga qielli, s’e di në ç’vend!?
S’është nevoja të ma thuash,
Këtë e ndiejnë tërë lumenjtë.

Nëse shfaqesh ti nga malet,
Ja, për shembull në Tomor,
Mua Dodona më desh e para,
Mua, yjet, erën, zogjtë…

Nëse shfaqesh ti prej alpesh,
Si borëbardhë, si dëborë,
Unë shqiponjë do të bëhem,
Do të ngrohë, të mbaj në dorë.

Pra, më thuaj kur do vish?
Ose thuaj që s’do vish!
Apo erdhe dhe s’të ndjeva
Se qe vajzë që re në shpirt?

3.
Bie borë
 -miqve që ikin çdo ditë-

Bie bore, miliarda flutura të bardha,
Mbulojnë mijëra milje deri te ju.
Deri tek ju, pa ju një qiell i ulët
Pa as një zog, veç gri e flu.

Kjo gri e tmerrshme më gërvisht,
Me çmend, pastaj pa gjumë më lidhë.
Kërkoj një lumë, një urë, një dritë,
Kërkoj e s’di ta gjej mjerisht.

Më çmend sa s’mund ta gëlltisë,
Këtë urë të akullt të miqësisë,
Këtë kohë shpërndarje, të pashpirt,
Me peshë kotësie pafundësisht.

Përcjellje dhe pritje tani s’ka.
S’ka as shtigje, s’ka yje kurrkund.
Me thënien “grurë, grurë, grurë…”
Fëmijë bëhesh dhe bëhesh burrë.

Kështu u ndamë, kështu u stis
Qielli që patëm. Tani mes grisë.
Me thënien “Misër, misër, misër…”
Dëgjojmë që ikin e do ikim një ditë.

Dhe trupi -shtrirë-ngricë e prishtë…
Dhe bie borë… kaq e mirë,
Dhe bie borë… kaq e bardhë,
Dhe shtigje akulli… kaq të marrë.

 

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.