VARFANJAKES SË VOGËL nga Xhelal Ademi

Xhelal Ademi

VARFANJAKES SË VOGËL

Ti marshon me hapat tua sipër bota po rënkon
Ndërsa vetes shpesh i thua, çka i duhem çka m`kërkon,
Pse më ndjek i zymti zë, pse më vret e njëjta hije
S`di vetveten ku ta lë, mbi kokë qielli le t`më bie.

Dhe nga truri nuk të shkoqet një mendim që vjen pa pritur
Teksa anësh shikon shoqet që mbi ty me lavd jan rritur,
Të shkon mendja që do rritesh, do ndërtosh dhe ti një jetë
Mjafton malit lart t’i ngjitesh e të hipish përmbi retë.

Je e vogël s’njeh ca gjëra, ndërsa sheh shitoret plot
Mbledh qindarkat që të tëra por të shkon e gjitha kot,
Sepse t`shkretat bëhen pak për të blerë fustan të ri
Ndaj kur faqet skuqen gjak mbi qytet vërshon një shi.

Kur bjen muzgu kësaj bote, ti do marrësh bukën thatë
Dhe s’kupton që nëna jote hedh trishtimin nëpër natë,
Ti s`merr vesh që babi yt, shikon vdekjen mu në sy
Shpesh litarin vë në fyt por pendohet veç për ty…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.