VETEN VRASIM PËRDITË nga Bardhyl Londo

Bardhyl Londo

VETEN VRASIM PËRDITË

Veten e vrasim përditë.
Në tavolina
te pista kafenesh.
Në rrjeshta
të ndytë gazetash.
Në qarqe
prapësish, intrigash.
Vritemi
në një vdekje të ngadaltë.
Dhe, oh, Zot,
s’arrimë ta kuptojmë vetvarsjen tonë.Vjen pastaj një çast.
Merr revolverin.
Këmbëza
nuk hiqet.
Ke vdekur prej kohësh.
I vdekuri nuk vetvritet.

LETËR POPULLIT TIM

Populli im, bukën e mëngjesit nën sqetull,
një cigare tymzezë,
sy rrathënxirë nga pagjumësia.

Ku po shkon këtë fundshekull?

Hapat e tu, simfoni e nëntë bethoviane,
mëngjesi. dilemë hamletiane,
mesdita, plak urt, fëmijë rebel,
në ç’ëndërr hyn, vallë natën,
nga ç’ëndërr në mëngjes, vallë del?

Ti, i pasigurti si një syth marsi,
Ti, i sigurti si deti,
më i urtë se vetë Buda,
Më martir se Krishti,
Më profet se Muhamedi.

Lermë të t’i puth sytë sërish
S
Ë
R
I
SH
Sytë, ah, sytë,
fole dhembjesh,
arenë tragjikomedish.

Të putha dhe putha gjithë pëllumbat,
Të qafova dhe qafova gjlthë detet.

Ku po shkon, i bukuri im, këtë fundshekull?

Kudo shkofsh më merr me vete.

Me merr ashtu thjesht,
pa karrige, pa veturë.

NA JANË MBARUAR FJALËT

Na janë mbaruar fjalët.
Buzëqeshja ka mbetur në mes të udhës.
Ç’të bëjmë?
të shkojmë a të mos shkojmë për një kafe
në pallat të Kulturës?
Tavolinë e zakonshme
tej dritares qyteti vishet në muzg.
një gotë ujë për të dy,
kafja jote mbetur përgjysmë,
imja pirë me fund.
përgjysmë, përgjysmë, përgjysmë,
fjala,
buzeqeshja,
ledhatimi,
si dy shina paralele përjetësisht të privuara nga ndarja,
përjetësisht nga takimi.
Sa herë t’i puthja sytë e bukur,
papritur binte briri i kushtrimit.
Kohë e ashpër:
Ne që ishim aq të etur për njeri-tjetrin
të ndarë na duhej të vdisnim.

REQUIEM

Pasi i hëngrën të gjitha banketet
Pasi i shijun të gjitha presidiumet,
Pasi i morën të gjitha çmimet, të gjithë titujt,
Pasi i bënë të gjitha udhëtimet jashtë shtetit,
Befas një mëngjes folën krejt ndryshe:
Atë që kemi puthur, ta pështyjmë tani.

Dhe zgjatën duart prapë drejt banketeve, çmimeve,
titujve, udhëtimeve…
Rituali i ripërtypjes filloi në remaxhor:
përtyppështy, pështypërtyp…

Zoti të ruajt, demokraci!

ATDHEU ËSHTË DHIMBJE

Atdheu s’është sa sedilja e makinës tënde,
sa karrigia e zyrës,
sa dhoma komode

A më degjon,
ti që me flamur të ri u gdhive në mëngjes,
për ta ndryshuar, ndoshta, prapë në mbrëmje?

Atdheu s’është lojë kalamajsh.
Atdheu është dhimbje.
O Zot,
Dhembje!

DEMOKRATËT POPULISTË

Fryjnë erërat. Përjet kanë fryrë kështu.
Ku mbaron vallë muzika? Ku fillon zhurma?
Në kryqëzim të kohërave, një pikëpyetje e madhe
përgjon e ngatërruar
ku mbaron populli, ku fillon turma?

Ja, dolën populistët demokratë,
dallgë ku përzihet uji dhe shkuma.
Populli rri serioz, i heshtur, i matur,
Shakara pa kripë mbllaçit turma

Dhe nisin tiradat, nisin zhargonet,
burokracia është si lopa, demokracia si vetura.
Populli ul kokën poshtë i skuqur nga turpi,
“I madh”, “i madh”, çirret turma.

Fryjnë erëra. Mirëfryfshi erëra!
Kush ka veshë e dallon muzikën nga zhurma.
Koha ime, bëju sa më parë popull,
larg, koha ime, larg nga turma.

GRATË E POETËVE

Sytë e bukur mbyllin. Po gjumi
nuk e di ku është mërguar, nuk e di.
Njëra përsërit me vete një varg. Tjetra
një figurë sjell ndër mend…
Si një lirikë dashurie
ledhaton pastaj jastëkun bosh në krahët e saj.

(…Vallë me kë u martuan burrat tanë,
me ne, apo me ty, poezi?…)

Një fjalë, një rimë,
një lumë dashurie dhe pak xhelozi,
Mesnata e krijimit çapitet si plak i ngadalshëm.

Vonë. Sytë e bukur mbyllin.
dhe në ëndrra shohin vjershat e librave
të ardhshëm.

Bardhyl Londo studioi për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”. Për disa kohë ka qënë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA). Krijmtaria e tij letrare përfshin vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.
Përgatiti dhe solli për fjalashqipe.com  Roland Lush, shtëpia botuese ADA, Tiranë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.