VETMIA DO MARRË EMRIN TËND nga Enertin Dheskali

Enertin dheskali

VETMIA DO MARRË EMRIN TËND

Nëse mundesh, mbill një karajfil të kuq në shpirt,
Të qetësohesh me erën e tij sa herë të kesh nevojë.
E nëse se bën dot, të paktën mos e ujit,
Palmën e dhimbjes, me grimca inati e hakmarrjeje.
Një ditë do të rritet aq shumë, sa do prishë krejt,
Ndërtesën e vuajtur të shpirtit.
Nuk ka rëndësi si do ndihesh,
Por se do lesh pa çati ndjenjash
Fëmijët e tu,
Ëngjejt e zemrës…
Më vjen keq, se atëherë,
Unë s’do kem mundësi të të ndihmoj,
Do jem duke përkëdhelur një tjetër ëndërr,
Një tjetër lule do të mbjell.
Kilometra larg nga plaga e hapur,
Do do të nis me hënën,
Vetëm kujtime të bukura.
Atëherë do ta kuptosh,
Thirrjen e mallit
Dhe qetësinë e jastëkut të ngrohtë
Ku flinin përqafimet.
Atëherë do kuptosh,
Peshën e unazës në gisht,
Dhe të vellos së nusërisë mbi shpirt.
Atëherë vetmia do marrë emrin tënd…

MBA MEND

Flladit mbi mua fresku i natës,

Mendimet përqafohen me hënën,
Duke vallëzuar pas reve.
Nuk jam vetëm,
Në shpirt më flenë dy ëngjëj të bukur,
Teksa buzët këndojnë emrat e tyre.
Nuk jam vetëm,
Në zemër kam një mal me ndjenjë,
Vetëm je ti
Që ke humbur rrugën e jetës,
Në një bokërrimë të gënjeshtërt tingujsh.
Nuk jam vetëm,
Me mua është
Ujëvara e një dashurie të kristaltë.
Vetëm je ti,
Që ndjek nga pas,
Djallin e çalë të hakmarrjes.
Ik, drejt mallkimit tënd,
Nuk të ndal,
Je e lirë.
Veç mba mend,
kur të zgjohesh,
Vetëm hëna do i ndriçojë,
Lotët e tu të pendesës…
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.