VEZHGIME LASHTESIE MBI SHQIPEN nga Sulejman Mato

Suleman Mato

VEZHGIME LASHTESIE MBI SHQIPEN

1. Indoeuropianishtja është një mit apo…? 

Rreth këtij termi ka shumë mjegull dhe pasaktësi, pasi edhe historia e krijimit të termit

indoeuropianishte u përket dy shekujve të fundit.

Gjuhëtari Franc Bopp e përdori termin “indoeuropianishte” duke kuptuar të gjithë grumbullin e gjuhëve europiane që kishin afri me sanskritishten, ndërkohë që anglezët këtë gjuhë e quanin “ariane.” Koncepti “indoeuropianishte”, i përdorur kryesisht nga gjuhëtarët gjermanë, me kohë erdhi dhe u zgjerua. Në këtë grumbull përfshihen 12 gjuhë kryesore, pa përmendur degëzimet. Dy degët që u përkasin popujve të Lindjes, janë: indishtja, një popullsi e madhe dhe e përzier qysh në lashtësi, dhe persishtja, gjuha e persëve.

Sipas albanologut Gustav Mayer, gjuha shqipe  “asht një gjuhë indogjermane në vedi, e cila  u avitet europianëve të Veriut, më tepër se greqishtes”. Si shpjegohet kjo? Kjo shpjegohet me faktin se të dyja gjuhët e vjetra kanë qenë shumë pranë, pra i lidh substrati i tyre i përbashkët. Problemi qëndron nëse ka pasur dikur një gjuhë që është folur në shumë popullsi gjinore, nga Europa në Azi? Këtë fakt nuk mund ta mohojë askush. A e ka pasur emrin “gjuha e pellazvëve”, që e trashëguan ilirët e më pas shqiptarët, apo ka ekzistuar një gjuhë me shumë degë dhe shumë nëndialekte, për të cilën, ngaqë dimë pak, vendosëm ta emërtojmë “indoeuropianishte” për të mos prishur qejf me askënd që do të pretendonte se kjo gjuhë i përket gjuhës rrënjore të lëkurëbardhëve që në kohë të errëta të njerëzimit lëvizën gjer në Azi.

Duhet ditur edhe diçka. Koha në të cilën ka nisur të belbëzohet kjo gjuhë “lëkurëbardhësh” nuk është ajo e shkrimit të sumerëve dhe as ajo e shkrimit të vedave, koha e belbëzimit të saj u përket viteve 10 000 gjer në 30 000 p.Krishtit e ndoshta edhe më larg, në kohën kur njerëzimi jetonte shpellave për shkak të kushteve atmosferike dhe egërsirave. Flitet për një kohë shumë të largët, kur sa ishte shpikur zjarri, ndërkohë që gjurmët e shkrimeve të gjuhëve, më të lashtat nuk mund të jenë më shumë se 5000 vjet nga koha jonë. Duke e shtrirë problemin e ngjizjes së gjuhëve dhe të vendit të saj të lindjes, nga 10 000 gjer në 30 000 vjet, do të kërkojmë gjuhën e autoktonëve që kanë folur dhe kanë shkruar gjuhën e tyre në Mesdhe, si dhe të eksploratorëve lëkurëbardhë që u dyndën drejt Lindjes. Ç’gjuhë është folur në Athinë 10 000 vjet më parë? Sigurisht, nuk ka qenë gjuha greke, pasi teza më e saktë është ajo që fiset dorike zbritën në këto troje 18 shekuj më parë nga Veriu. Atëherë këtë gjuhë , meqë nuk kemi gjetur emërtim tjetër, le ta quajmë “ pellazge”ose “ariane”. Nuk duhet harruar edhe fakti që në Ballkan dikur jetonte një popullsi e madhe, siç ishin trakët. Tukididi thotë që trakët dhe indianët kanë qenë popullsitë më të mëdha të kohës.

Unë mendoj se shpikjes “gjuhë indoeuropiane” i ka ardhur fundi. Me zbulimin e gjuhëve të lashta, lëvizjeve, gërshetimeve dhe përzierjeve të tyre do të shohim se ka pasur jo 12 gjuhë rrënjore, por vetëm një gjuhë rrënjore, me gjithë dialektet dhe birësimet e saj. Ajo ishte gjuhë e një popullsie të bardhë e cila quhej “ariane”. Shumë gjuhëtarë të mençur, sigurisht, e kanë ditur se kjo gjuhë rrënjore trashëgohet nga një popullsi që është në afri me grekët dhe latinët, që jeton në Mesdhe dhe që u pushtua nga të ardhurit. Kjo koordinatë të çon vetiu te të parët tanë pellazgë, gjuhën e të cilëve e trashëgojmë sot veç ne, shqiptarët.

2: Çfarë gjuhe flisnin pellazgët?

Dëshmitë e para për një gjuhë, le ta quajmë “pellazge”, i gjejmë te historianët e lashtësisë, si: Herodoti, Straboni, Polibi etj. Për pellazgët pohojnë të gjithë njëzëri se ata “flisnin një gjuhë barbare”, pra flisnin një gjuhë që flitej në të gjithë Mesdheun, në kohën kur dorët pushtuan tokat e tyre dhe i përzunë me dhunë. Përzunë pellazgët, por harruan të zhduknin mbishkrimet mbi stelat e varreve, harruan të zhduknin nga faqja e dheut mbishkrimin në stelën e Lemnosit, këtë monument historik të gjuhës foshnjore të njerëzimit.

Pellazgët banonin këtu përpara mbërritjes së helenëve.” Tukididi e konkretizon vendin e pellazgëve me qendër në zemër të asaj. ”Ishin pellazgët ata që ndërtuan murin e parë rrethues të Akropolit”. Nëse gjuhën e vdekur të pellazgëve duhet ta kërkojmë në varret e shpërndara anembanë Mesdheut, për sa i përket popullit që e ka trashëguar atë gjuhë, sigurisht kanë qenë popullsitë epirote dhe ilire të cilat sot përbëjnë dy etnitë shqiptare me dy dialekte të ndryshme, si rezultat i ruajtjes së disa tipareve themelore.

Disa nga gjuhëtarët që janë marrë me gjuhët krahasuese, kanë shprehur çudi. Përse greqishtja e lashtë është më pranë dialektit gegë se atij toskë, duke qenë që duhet të kishte ndodhur e kundërta? Këtë dukuri e kanë vënë re disa gjuhëtarë seriozë. Popujt në kufi marrin dhe japin nga njëri-tjetri. Mathieu Aref dyshon te kjo greqishte e lashtë, e pretenduar se mund jetë një pellazgjishte e pastër… meqë kjo gjuhë trajtohej si gjuhë barbare (jogreke). Mathieu mendon se “gjuha moderne ka mbetur në qorrsokak” për shkak se ajo “nuk po i përtërin tezat (dogmat) e përpunuara dhe nuk denjon të vërë vlerat në vend… që nuk e njohin apo nuk marrin mundimin ta njohin historinë dhe zanafillën e popujve”.

Mirëpo, në metodën e tyre krahasuese, gjuhëtarët e sotëm gabojnë kur i vënë në një rrafsh gjuhët e vjetra dhe atë më të vjetrën, kur barabitin gjuhën e trashëguar të popujve pellazgë me gjuhët më të reja që njihen historikisht. Sa i përket greqishtes së shkruar, e cila dokumentohet vetëm në shekullin VII para Krishtite dhe latinishtes së shkruar e cila nuk e kalon shek. III p.Krishtit. Meje (në “Skicën e historisë së gjuhës latine.”)  thotë: “Nëse konkludohet nga shkrimet në monumentet e para që i japin pak të dhëna gjuhëtarit, latinishtja arrin të dëshmohet vetëm nga fillimi i shekullit III para Krishtit”.

A janë fakte domethënëse këto që themi? Kur kemi dëshmi të gjuhëve shumë më të lashta, si mbishkrimet në pllaka varresh, 2500 vjet më pare, shkrimet sanskrite që datojnë rreth shek VI p.Krishtit, apo shkrimet sumeriane që datohen rreth 3200 vjet më parë.

Në këtë drejtim shumë gjuhëtarë kanë folur kuturu kur i kanë trajtuar disa fjalë të fondit themelor të shqipes si huazime greke apo latine. Në këtë mënyrë ata kanë prerë lidhjet gjinore të saj me gjuhën më të lashtë që flitej në trevat e Mesdheut dy-tre mijëvjeçarë më parë se fiset helene të mbërrinin në këto troje. Kur këto ide hidhen nga gjuhëtarë të huaj, edhe mund t’u falet, por, kur në gjurmët e tyre ecin edhe shkencëtarët shqiptarë, do të thotë të shesësh vlerat e tua kombëtare lehtësisht dhe pa t’u skuqur faqja, të shesësh qindra dëshmi të mbjella qysh nga ishujt e Mesdheut e gjer në malet e Altamirës…

Vetë babai i letërsisë botërore, Homeri, i quante pellazgët “hyjnorë”, pasi, kur fiset helene mbërritën në Mesdhe, gjetën atje perëndi, kulte dhe një gjuhë me të cilën vendësit komunikonin me hyjnitë.

Kohën e zbritjeve të fiseve dorike në trojet që gjenden sot, Tukididi e daton “80 vjet pas pushtimit të Trojës.” Për sa i përket fisit të Akejve, ka shumë diskutime për gjuhën që flisnin, për kulturën dhe përkatësinë etnike. Gjithsesi, interesi ynë konsiston në ndriçimin me fakte të gjuhës së parë, të asaj gjuhe që flisnin dikur të parët tanë. Të jetë e vërtetë ajo që shumë gjuhëtarë e fshehin ose nuk guxojnë ta shfaqin hapur, se pellazgët nuk janë një popull mitik dhe as nuk janë një popull i zhdukur pa nam e nishan?

Kjo popullsi e madhe, “më e madhja pas indianëve”, e shpërndarë në mbarë Mesdheun, nuk u zhduk, veçse ndryshoi emrat e etnive, duke i quajtur: në Veri- ilirë, në Jug-epirotë, në Lindje-trakë dhe në Perëndim- etruskë? Për sa u përket gjuhëve të sllavëve të Jugut, dihet saktësisht koha e mbërritjes së tyre në Ballkan (shek VI-VIII) dhe kur është shkruar gjuha e tyre me alfabetin cirilik (rreth shek XI), falë përkushtimit të dy priftërinjve me zanafillë greke, Cirilit dhe Metodit.

Pellazgjishtja e lashtë nuk është gjuhë e një populli mitik dhe as të pakulturuar. Ajo na ka lënë dëshmi të shumta në pllakat e varreve, në emra perëndish, në toponime të vendeve, të lumenjve, të maleve, në antroponime (mitologji), në blegtori dhe bujqësi dhe jo vetëm në pellgun e Mesdheut, por në të gjithë Europën Qendrore. Këto emërtime, toponomi, mitologji etj., janë quajtur relike të “indoeuropianishtes”, ndonëse nuk jemi të bindur se mund të ketë pasur një gjuhë indoeuropianishte.

Ka pasur një popullsi prehistorike, të shpërdarë nga Europa në Azi, një popullsi që fliste të njëjtën gjuhë, me dialekte të ndryshme. Ka pasur një shpërthim “bigbang” të një popullsie e të një gjuhe e cila u shpërbë duke krijuar qindra popuj dhe qindra gjuhë të tjera, por, nëse na duhet të kërkojmë zanafillën e saj, si zanafillën e krijimit të yjeve dhe të planeteve, duhet të nisemi nga ky “bigbang” gjuhësor, duke deshifruar legjendat, mitologjitë, trillimet dhe shtrembërimet që ndryjnë brenda të vërteta historike dhe do të shohin se e vërteta qenka më e thjeshtë nga ç’duket.

 Sëmundja e madhe e grekëve, – thotë Diodori, – është ideja se gjithçka e ndërtuar në këtë botë në lashtësi është vepër e tyre”.

Në librin “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”, Spiro Konda sjell në vëmendje se shumë emra ishujsh shpjegohen me anë të gjuhës shqipe. Vetë Herodoti, babai i historisë së Greqisë së lashtë, thotë: “Nisiotët… (banorët e ishujve) janë komb pellazgjik”. Kjo do të thotë se banorët e parë të ishujve kanë qenë pellazgë. Emrat e 12 ishujve, si: Delos, Renaia, Syrie, Syros, Nisyros, Skopelos, Karpathos, Astypale, Hydra, Kythmos, Kypros, Paros, Konda i quan emërtime paragreke

 Delos quhej ishulli i Diellit, thotë ai. Pantazidi, në fjalorin e tij homerik, ka vënë re afrimin që fjala “delos” ka me fjalën shqipe “diell “ e cila rrjedh nga një fjalë edhe më e vjetër. “Ilios” ose “Dio il” i është dhënë, pasi kur lundron drejt tij, ai rrezaton si diell.

Sipas Pindarit, quhej “Delos”, pasi lundërtarëve u dukej sikur lëvizte nga dallga dhe nga erërat.

Renaia është një ishull tjetër i vogël dhe i shkretë, veç katër stade nga Delosi. Atje gjenden varret e banorëve të vjetër të Delosit (Straboni). Konda këtë emër e lidh me fjalën shqipen ”rana” (rërë).

Syrie– emër që përmendet së pari te “Odiseja”. Bariu i derrave, Eumeu, thotë Homeri, ishte nga ky ishull, Syries. Rrënja e kësaj fjale është “syr”, shqip ka kaluar në “shur”, që do të thotë “zall”. Zallit në fshatrat e Labërisë i thonë “shur”, si për shembul “te shuri i Kuçe” ose “bjeri shurit e shurit…”

Anastas Polizoidhi, në librin e vet “Historia e përgjithshme”, thotë: “Pellazgë banojnë kudo në gadishullin grek, që nga kohët më të vjetra”. “Grekët, -shkruan historiani anglez, Thirruali, – ishin degë e racës pellazge që përmbante gjakun më të mirë dhe më të pastër të saj”.

Hidra, sipas Kondës, nuk duhet kuptuar si fjalë greke që lidhet me ujin, por si një fjalë që ka lidhje me hudhrën. Siç dihet, Hidra është një vend malor dhe i zhveshur, pa ujë e pa drurë.

Kythmos. Banorët e parë të këtij ishulli kanë qenë dryopët ( “dryopis” rrjedh nga rrënja “dru”). Sipas Enciklopedisë së madhe greke, dryopët ishin një popull i vjetër që banonte në dy pllajat e Oites dhe, në jug, nga Pernasi, por më vonë, prej malësorëve dhe dorianëve, ata u detyruan të emigrojnë në Peloponez.

Skopelos. Skopelos është një nga Sporadet në Veri të Eubesë. Etimologjia e këtij toponimi lidhet me fjalë shqipe “shkop”.

Toka greke është mbushur me toponime limanesh, qytetesh, fshatrash, malesh, pyjesh, burimesh, stanesh, kodrinash etj., të cilat kanë mbetur aty si mbeturina gjuhësore të një popullsie paragreke e cila, me vërshimin e fiseve dorike, ose u asimilua, ose u shpërbë.

Ç’gjuhë flisnin pellazgët? Për këtë problem Herodoti nuk prononcohet, por thotë: “Në rast se duhet të flasim duke konkluduar…, pellazgët flisnin një gjuhë barbare”. Ndërsa Pausania thotë: “Akropolin e quajnë Larisa nga bija e pellzagut”. Historiani tjetër H.R.Hall (The civilisation of Greece in the bronze age”, 1928) supozon se vërshimet greke kanë ndodhur në Mesdhe në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të dytë p.Krishtit dhe se para grekëve aty bononte një popullsi që nuk fliste greqisht. Sot e pranojnë të gjithë (K.Romeo) se në Atikë dhe në Athinë, para grekëve dhe pas tyre ka qenë një popull allogos (me gjuhë tjetër).” Te Homeri pellazgët janë fqinjë të trojanëve, por nuk duhet harruar se Zeusin që banonte në Dodonë, ai e quan Zeus pellazgjik. Sipas Homerit, pellazgët gjendeshin të shpërndarë në Kretë, në ishuj, në Thesali, në Epir, në Maqedoni, në Trakë, në Sicili, në Palestinë e gjithandej.

Përfundimi: Pellazgët janë një popullsi autoktone .Kultura dhe qytetërimi i tyre ka dëshmi që nisin qysh pesë mijë vjet p. Krishtit. Qendra e këtij qytetërimi ka qenë fillimisht në ishuj: në Kretë, Qipro e më vonë kaloi në Thesali. Përfundimisht, cila ka qenë gjuha pellazge në mos qoftë gjuha që trashëgojmë sot ne shqiptarët?  “Historia ka një ligj, -ka thënë një historian latin,- të mos thotë asgjë të rreme, të mos heshtë për asgjë të vërtetë”.

 -vijon-

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.