VIRGJËRESHA nga Mihal Gjergji

Mihal Gjergji

VIRGJËRESHA

Ca ngjiten lart dhe bëjnë bujë
Të tjerë zvarriten, mosmëkeq
Po deti mbledh të njëjtin ujë
Pastaj e nis ta kthejnë retë

Një virgjëreshë e bukur jeta
Na josh në gracka dhe na flak
Lirinë kërkova, por s’e gjeta
Veç skllevër paska rretheqark!

Shenjti në krah me mëkatarin
E njëjta baltë të dy i tret
Nderon i mënçuri të marrin
I ndershmi kurvën përshëndet.

 

PENGU I KOHËS
………………………..
Nga fara që mbolla do piqen dhe fruta
Por jeta këputet, s’të pret e s’të ngroh
Ndaj prushin e shpirtit në brazda e futa
Ata që do vijnë do flasin për to!


NË VENDLINDJEN TIME

Pikturë me ngjyra ylberi
E varur në qiellin gri
Si s’mundi t’a shihte Homeri
Të derdhte në vargje magji!

Me male, që flasin me zotat
Të sertë e të thinjur qyshkur
Lumenjtë që fryhen nga lloha
Korije me lisat plot nur’

Gëlltisin e s’ngopen humnerat
Dhe jetë, dhe shira pa fund
Oh, ç’tinguj violine bën era
Kur vjeshtës argjendin ja shkund!

Ca varre të strukur ndanë udhës
Më presin të çmallem me ta
Të ndjehet trishtimi i muzës
Se jeta dhe dhimbjet i ka

S’ndjej zëra fëmijësh. Çfarë ngjau?
Ç’burime zhgënjimi kanë pirë?
Jo vdekja, harresa i vrau
Dhe ende i vret pa mëshirë!

 

KARROCIERI
Përvajshëm rrëshqet mbi kadrëme
Një karro me kuajt gërdallë
E zë korrocjerin për mënge 
Një bushtër e veshur si djall

I sulet me klithma mbi krye
-Dobiç bir dobiçi, nxito
Se netët kanë mbetur pa yje 
Dhe rrugët me gropa kudo

-Të zgjodhëm, të rritëm për vete
Të hipëm mbi kuajt me shalë
Në shtrat të putanave fjete…
Po lolua ka mbetur pa fjalë

I hidhur ky qiell trishtimi
Përpara janë pritat pa fund
Dhe nata i ngjan si qefini
Fut duart dhe xhepet i shkund!

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.