VIZION QENI nga Ymer Nurka

Ymer Nurka

VIZION QENI
(fabul)

Mlidhen kafshët në një arë
Të zgjidhin një të vërtetë
“Shumë parti futen në garë
Pse veç dy fitojnë pushtet?!

Ne puntori, neve bujku
Ne shumica që voton
Herë Hiena, herë Ujku
Në pushtet me rotacion

Ne samari, ne kapistra
Ne punojmë për këtë vend
Ata zotërinj, ata ministra
Kryetarë e president”

Kështu nisin bisedimet,
Thanë: “Do shprehim unitet
Të ndryshojmë ndër votime
Të ndërrojmë dhe pushtet!

Boll votuam veç dy ngjyra
Boll votuam bardh e zi!
Sa kolore ka natyra
Aq ne kemi dhe parti”

Dakord ishin macja, demi
Veshua, kali bashkë me lopën
Por andej nga fundi qeni
Për çudi shfaq kundër votën:

“S’jam dakord! -tha dhe merr vrapin
Pas tund kokën -Kot e keni!”
Thanë kafshët: “Po ky ç’pati?
Ç’pati vallë pse iku qeni?!

Larot qënkan arrogantë
Ndër mitingje derdhen lumë
Ndër parti janë militantë
Dreq o punë, dreq o punë!”

Sherr bëjnë kafshët e shamatë
Dhe sakaq humbin durimin:
“Larot qënkan renegatë
Nuk e njihkan bashkëpunimin”

“Nuk prish punë -tha veshgjati
Sepse qeni na del kundra
Jemi ne, elektorati
Jemi ne, kafshët me thundra”

“S’është kështu -thotë buallica
S’jam dakord, me ty veshgjatë!
Qentë s’janë vërtet shumica
Por përbëjnë elektorat

Dhe mjafton vota e tyre
Të mbajë peng verdiktin tonë
Gjersa qeni, prej natyre
Ka “ndërgjegje” dhe voton”

Erdhi dita bëjnë votimet
Mbarojnë zgjedhjet, kaq e pat:
Hapen votat, numërimet
Prap i njëjti rezultat!

Hipën ujku në pushtet
Zbret hiena opozitë
Thonë kafshët: “Vaj medet,
Çfarë ndodhi me kutitë?!”

Thotë kali : “S’është me zor
Të ndryshojmë qeveri
Nuk po njohim dot kolor
Po shikojmë, veç bardhezi!”

Kur në çast seç brofi demi
Thotë: “Nga elektorati
Bardhezi sheh vetëm qeni
Ndaj s’ndryshoka rezultati!”

“Mos! -thanë kafshët dhe bërtitën.
Zumë belanë me ca qena
Zbret hiena, ujku hipën
Poshtë ujku, lart hiena

Kështu kurrë, s’do na vijë sëra
Të ndryshojmë qeveri!”
Ndryshuan kafshët që të tëra,
Qeni prapë sheh bardhezi

Përpiqen kafshët, që ta bindin
Që të njohë spektër qeni;
S’ke ç’i bën, ca kafshë lindin
E me bindje, s’ndryshon geni

Kështu qeni, s’do të reshtë
Bardhezi, prapë të shikojë
Qoftë ai “zgjedhës” i thjeshtë
Dhe “i zgjedhur”, të drejtojë.

Kush e di, në ç’rrugë vemi
Bindur fatit prej natyre
Nga gjithë etapat që ne kemi
Kanë dhe qentë epokën e tyre.

Nëpër kohrat ku ne rendim
Nëpër mote, nëpër vite
Qentë do na qelbin vendin
Me kufoma politike…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.