VOJSA – BIMË TIPIKE SHQIPTARE nga Shenasi Aliu


VOJSA – BIMË TIPIKE SHQIPTARE

SORBUS DOMESTICA (lat.)
SPEIERLING, SPERBAUM (gjer.)
OSKORUŠA (kro.)
VADHË, VADHËZ, VODHË, VOESË (shq.)

Është bimë shumëvjeçare, e cila e ka prejardhjen nga Gadishulli Ballkanik dhe pikërisht nga Trojet Shqiptare. Pastaj, është përhapur në Azi të vogël, deri në Kaukaz, Afrikë veriore dhe deri në Europën qendrore dhe Pirineje. Bima është e njohur që nga kohërat e lashta, kurse emërtimi i parë latin vjen nga Botanisti i njohur Carl Linne, aty diku nga viti 1635.
Vodha, sistemin e rrënjëve e ka mjaft të zhvilluar e cila depërton deri në 5m. thellësi, rrënja kryesore është dukshëm më e zhvilluar nga e cila dalin edhe rrënjët anësore. Vodha rritet në një lartësi deri në 20m, ajo rritet dhe zhvillohet në kushtet me diell dhe në tokë të thatë, përbërja e tokës është shkëmbore dhe ranore, gjithashtu toka është gëlqerore dhe acidike.
Bima lulëzon në muajin maj, lulesa është me ngjyrë të bardhë dhe në tufa, pra jo me lule me numër 1 apo 2 por nga 10 deri në 20 të tilla, aroma e luleve është e pakëndshme. Gjethet janë në formë vezake dhe me maje të theksuara por edhe të dhëmbëzuara. Gjethet çdo herë janë teke të kapura në një zgjatim në formën e kërcellit numëri i tyre shkon nga 13 deri në 21. Ngjyra e gjetheve gjatë muajve të verës, nga ana e sipërme është e gjelbërt e mbyllur, kurse nga ana e poshtme e gjelbërt në të hirtë.
Fryti i kësaj bime arrinë pjekurinë në muajt e vjeshtës, në shtator dhe tetor. Fryti ka formën e rrumbullakët si të mollës por edhe të gjatë dhe me formë si të dardhës madhësia e frytit është nga 2.5 deri në 4 cm, ngjyra e frytit është nga e gjelbërt e verdhë deri në të kuqe, ngjyra e kuqe është ana e cila ka qenë e ekspozuar nga dielli. Frytet e kësaj bime janë tejet të shijshme, por edhe me vlera të mëdha ushqyese. Sidomos janë të mira dhe kanë efekt të dobishëm për organet e erenisë së tretjes. Frytet janë të ngrënshme në momentin kur e marrin ngjyrën e kafesë ose siç i themi ne në gjuhën popullore kur dugën.
Nga frytet e kësaj bime përgatiten marmeladë shumë emirë, me përzierje të barabartë me mollën, dardhën dhe ftoin, e kërkuar mjaft në tërë tregun Europian. Pastaj nxirret raki shumë kualitative, verë……. kurse në Frankfurt të Gjermanisë prodhohet një lloj uthëlle nga frytet e kësaj bime e cila është shumë e shëndetshme dhe e shtrenjtë.
Druri i kësaj bime është i ngjeshur i rëndë por me ngjyrë shumë të bukur, nga e cila punohen mobilje shumë të bukura dhe të shtrenjëta. Gjithashtu, për shkak të kualitetit dhe ngjyrës por edhe të akustikës që prodhon ky lloj druri, përpunohen edhe instrumente të ndryshme muzikore dhe sidomos piano.
Bima 20 vitet e para nuk jep prodhim, jetëgjatësia e bimës shkon deri në 400 vjet. Në shtetet e Europës perendimore është e mbrojtur me ligj dhe është në numër tejet të kufizuar p.sh. në Gjermani janë gjithsejt 1.000 deri 1.200 trupa, kurse në Zvicër vetëm 100 trupa edhe ate vetëm në dy Kantone në Basel dhe Schafhausen.
Përveç që është bimë ushqyese ajo është edhe bimë dekorative edhe ate sidomos në stinën e vjeshtës kur gjethet marrin ngjyrën e portokallit dhe të verdhë.
Dëmtuasit më të mëdhenj të kësaj bime janë lepujt të cilët e shijojnë me ëndje lëvoren e drurit, pastaj minjët, kurse tek gjethet janë morrat dhe disa lloj fundi.
Frytet janë gjithashtu të ushqyeshme edhe për disa lloje të shpendëve që njëkohësisht edhe e bëjnë përhapjen dhe shumimin e bimës.
Preferohet që të jetë në çdo kopësht edhe për nevoja ushqyese por edhe si bimë dekorative me ngjyrë karakteristike të gjetheve.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.