VULLNET I NDRYDHUR
O vullnete të mbytura, o vullnete të shtrydhura,
Deri kur do heshtni e nuk do të shpërtheni?
Në vargonj poshtërimi rënkoni të ndrydhura,
Nën morsetë mashtrie vetveten kot gënjeni.
Keni frikë a drojë vallë ende prej kanunit,
Prej ligjit-Maliq lidhur këmbë e duar?
A nuk hiqni dorë prej diktatit e prej unit
Që çdo tiranie në botë ia ka kaluar.
I hani mashtrimet porsi korbi i ngratë,
Kur dhelpra dinake djathin i merr gjithmonë,
Nën kalvar të vuajtjeve si refren i gjatë,
Këngë monotone që sjell veç zezonë.
Dhe heshtin ata elita e shoqërisë,
Në çanakë pushteti i rrasin turinjtë,
Dhe lavde i thurin demotiranisë
Frikacakët futen në vrima si minjtë.
Dikur ngjyrën e kuqe e kishin si simbol,
Sot ngjyrën blu e quajnë demokraci,
Sipas fytyrë-ngjyrës ndërruan dhe idol,
Dje na rroftë ujku, sot rrofsh, o ari!