XIXËLLONJAT
Ti më pyete: ka ende xixëllonja tek atdheu ku rron?
Si të të përgjigjesha kur ti vetë më lyeje fytyrën
me fosforin e dritës së tyre që t’u ngjaja terrakotave të
ngjyrosura?
Të thashë: mos më bëj të të sjell këtu
fëmijërinë e largët
dhe të qaj për vrapin e çmendur mbi mëllaga,
kur ndiqnim llamburitjet e tyre nëpër sokakët
si një galaktikë farfuritëse
që mbushte me dritëza shpirtrat tanë
dhe manin e madh të oborrit.
Nuk të kujtohet kur binim të flinim të lodhur
me xixëllonjat brenda shisheve të penicilinave
nën jastëk dhe zgjoheshim
nga zhurmërima e çeljes së luleve?
Mos ndoshta luleshqerrat
ishin krevatet e tyre
të ngritura në fushimin e pranverës që vinte?
Dhe ti më thua: kaq vjet më munguan llamburikat,
në dheun e huaj, në metropolin e madh ku rrojta,
ku kondicionerët gjithë vitin u bëhen barrierë stinëve
dhe kondensojnë në tubat e shkarkimit,
hapësirat e mia të largëta në trajtë lotësh.
Kështu më telefonon e merakosur
dhe ngre zërin
të mundësh rrapëllimën e një treni elektrik
që rrëshqet pranë teje
si dragonjtë e përrallave tona.
Nëse do të vish, të betohem, e flaka moshën time,
dhe do të të çoj përdore në lëndinat e pranverave të
reja,
në çastin kur xixëllonjat lajmërojnë se ngrohet koha
ndërsa mbajnë radhën e çeljes së luleve,
të frutave të lidhura
dhe bëjnë inventarin e yjeve.