ZOGJTË BIEN FLUTURIMTHI nga Pirro Loli

Pirro Loli

ZOGJTË BIEN FLUTURIMTHI…

-ese-

…E kam kërkuar zemrën e zogut por nuk e gjeta. Ai ndërton gjithnjë skelete fluturimi dhe nuk i dihet as gjethja e gjumit as pllaka e varrit…
Për ku nxiton , o njeri? Rruga është me baltë, lartësitë të thikta, deti i zi e qielli me gropa… Udhëtimi si krijim është i gjatë, i lodhshëm dhe shpesh tragjik. Ndaj mos e mbyll dritaren, zonja vdekje siç mbyllet një arkivol…Nuk do ta pres Godonë…

KRIJIMI SI UDHËTIM

Kam udhëtuar në të gjitha mjetet e mundshme, me gomar e me mushkë, pastaj me të gjitha llojet e makinave të mëdha e të vogla, dhe me avionë oqeanikë në dhjetëra shtete e qytete…(Asnjë mjet udhëtimi nuk mbaj mend, veç atë mushkën e kuqe kur u bëra dhendërr.) Por, në këtë sprovë do bëj fjalë për një lloj tjetër udhëtimi; për krijimin si të tillë, atë kilometrazhin e pamatur që realizohet pa lëvizur nga vendi; atë metaforën fodulle që, në mjete, pikënisje, stacione, teknika e qëllime është krejtësisht e ndryshme nga udhëtimi fizik. As folja “vrapoj” nuk është e saktë në procesin krijues; As “fluturimi” nuk afrohet, me “fluturimin” elementeve të subkoshiencës, imagjinatës, ëndërrimit, përfytyrimit, dëshirës, tjetërsimit, vegimit… Krijimi si udhëtim është tepër kompleks, e ndoshta dhe metafora më supelartë është e pa plotë. Poeti fluturon më shpejt se shpejtësia maksimale. Dhe e di se do të bjerë fluturimthi…Ky udhëtim i thyen të tëra busullat, gravitetet, kufinjtë dhe kanonet
***
Nëse realiteti është kozmik dhe i përplotë nga A në Zh, poeti hidhet përtej të njohurës, përtej ZH-së, drejt një stacioni të panjohur. Krahët e fantazisë krijuese nuk njohin asnjë kufizim. Atje përtej, ka realitete të tjera qiellore, valore, metafizike e shpirtërore. Pa fillim , pa fund, pa limit.
Nuk është drejtvizor, ndoshta një radar kozmik. Drejtohet edhe pas,(në të shkuarën) sidomos atje;… t’i japë gjak kujtesës, pemëve gjelbërimin dhe atë palcën që mungon nëpër eshtra të harruara; drejtohet dhe në të ardhshmen duke lënë pas kohën. Dikush tha Shekspiri rilindi njeriun…
Mitologjia, brilanti i metaforës na i ka dhënë të gjitha busullat magjike të udhëtimit, krahët e imagjinatës, pa të cilët nuk hedh dot asnjë hap. I kam parë të parët, Dedalin dhe Ikarin që me krahë dylli u ngritën fluturimthi mbi mjegullën dhe erën, drejtim diellit, at e bir. Të dehur ishin me dritë e vallëzonin lartësive në qiell. Ëndrra e fluturimit i ngrinte lart e më lart. I biri iu afrua diellit kaq shumë, sa dylli i shkriu nga drita e nxehtë dhe ra lartësive në det. Fluturimthi ra. Por metafora e guximit, shpresës, zbulimit, dijes , dritës e shpirtit i mbeti për njerëzimin. Kutia e zezë e dramës së tij është mbushur me diell. Talentet e mëdha na i kanë bërë kaq të kapshme tej pamjet e panjohura sa enigmat dhe misteret e hamendësuara, tokësore e hyjnore, i kemi marrë si të vërteta nga poetët, jo nga teologët e historianët. Qytetërimeve u ka dhënë emër e dritë poetët. Fjala ardhur nga mitologjia, metaforat e mëdha, Gilgameshi, Homeriada, Bibla, Kurani, …e Ferri, Parajsa, Orfeu, Troja, Fausti, Shpirtrat e vdekur, Karamazovët,….pra, i gjithë planeti i kulturës letrare, tashmë e ka uzurpuar historinë. Poeti ecën, ecën, vrapon, fluturon e diç kërkon atje në skaj; ndoshta një dorë të zgjatur, një buzë për ta puthur; ndoshta një tokë të butë, a një varr ku mund ta mbjellë zemrën e vet si pemë që ta gëzojnë të tjerët. Me zogj të zjarrtë, gjethe të dallandyshta, a kuaj të trëndafiltë.

ZOGJTË BIEN FLUTURIMTHI

Për ku nxiton , o njeri? Rruga është me baltë, lartësitë të thikta, deti i zi e qielli me gropa. Unë e di. Dilema është e varur: të synosh të ngjitesh, do të thotë, jo vetëm të rritesh, por dhe të rrezikosh. Lufta është e bukur. E pabarabartë. Donkishoteske. Iluzion. Frikë dhe ankth. Utopi tronditëse. Thonë se Gëtja punonte çdo ditë dhe, për të shkruar Faustin, punoi 60 vjet. Apolineri, Elioti e Stevens…, na kujtojnë të gjithëve se jemi të vonuar, shumë të vonuar. Nuk e kam fjalën te postmodernizmi teknologjik, as te përditshmëria me ndërlidhjet e pabesueshme, komplekse elektronike, që i ka shkurtuar distancat e që ka lehtësuar komunikimin dhe informacionin në kohë rekord, që me një clik,… dhe …; jo,jo për këtë sukses, gjithsesi madhështor të shkencës, por te vrapimi “superelektronik” i mendjes krijuese. I papërkufizuari, absurdi që mëton të sfidojë kohën dhe Hadin. Dhe ta mundi perëndinë e vdekjes.
Poetët janë, trumbë zogjsh në fluturim, e ka zogj që në fluturim e sipër bien, bien. Dhe zogjtë varrin e kanë në ajër… Dilemat ndizen si semaforë të kuq dhe kapërcejnë mbi paralele e meridianë. Të duhet të ikësh fluturimthi edhe në mëngjesin a mesditën e vetvetes si Rembo-ja, si Niçja, si Esenini e Majakovski, si Nervali e Verleni, Laforgue e sa e sa të tjerë…e tek ne si Migjeni e, e …(pa përmendur sa e sa të tjërë, që bashkëkohësia i vrau në fluturim e sipër). Dhe në Had ka rende aristokrate. Mund të takosh dhe klasikët e mëdhenj të lashtësisë dhe të tjerë si Dantja, Bllejku, Tagora, Stivens, Neruda, Erza…, por dhe nga lagjia jote, De Radën, Migjenin…Naim Shqipërinë…
Krijimi si udhëtim është i mundimshëm. Rruga drejt vlerave artistike ështe ecje në shkretëtirë, zhytje thellësive të detit, zvarritje fushave por dhe ngjitje drejt pjerrësive të Himalajës. Dhe valle në humnerë.
Poeti, diku, bën fjalë për një statujë metali që u miqësua me një zog. Po ky simbol i dyfishtë, e bën lexuesit të pyesë: Cili ishte poeti, statuja prej metali apo zogu? Absurdi të fut në mendime. Zogu kish një brengë që ia dogji gushën. E diku mbeti si tingull. Si një pikë diell. Që shuhet e shuhet. Më kot ia kërkova varrin në tokë… ato pesë kocka të holla pentagrami i janë hapur si partiturë cicërimash në ajër …Po, po. Dhe eshtrat e poetit rrezatojnë dritë.

FJALA

Fjala, baza e themelit, metaforë, është ajo lënda energjike që vë në lëvizje motorët e lëvizjes, përtej faktologjisë dhe arsyes. Qytetërimi zuri fill kur një person hodhi fjalën në vend të gurit (Z.Frojd). Historia e faktit shpesh mbetet në hije. Në krahët e fantazisë krijuesi ikën, arratiset, shtegton përtej asaj që njihet, përtej yjeve, përtej fluturimit oqeanik të dallëndyshes; ai guxon të çajë qiej e dete, e vjen e çlodhet në shtratin ndonjë reje apo krifën e ndonjë dallge. Guxim dhe aventurë ky; dhe akt dëshpërimi e besimi. Krijuesi sfidon, merr përgjegjësinë e ekzistencës për vete dhe për të tjerë; krijimi është udhëtim i gjatë dhe e shpëton të zotin nga kompleksi i hiçit e i asgjësë; “Për shkrimtarin, do thoshte Roland Barther “Fjala shpërthen mbi një strukturë raportesh të zbrazëta…” E vetë ai, krijuesi, në një titull libri, ndoshta mbetet si një këngë zogu në ajër, ose, një flamurkë e ngulur lartësive me emrin e tij mikroskopik në botën e madhe.
Krijimi si udhëtim ka një busull të veçantë, fjalën e zgjedhur, atë si gurin e çmuar që shkrimtari duhet ta ngrejë për ta vendosur në një ekzistencë tjetër, në themel a në qoshen e drejtimit të një qenësie të panjohur kuptimore. E, Nëse do t’i verifikosh frytet e saj, do të ndiesh kënaqësinë e të kuptuarit. Pikërisht kjo fjalë e zgjedhur synon lartësi të reja të gjuhës; kërkon një bashkëveprim harmonik e të ngjashëm me ecjen drejt vetvetes, e cila nuk është e njëjtë me njeriun biologjik; ajo është ekzistencë poetike, thelb cilësor që identifikohet me vlerat estetike. Ose me niveln lartë të gjuhës;
Vetvetja e realizuar është stacioni më i largët i inteligjencës krijuese, është ai, i padukuri pa urbanistikë e, shpesh pa mikpritës, tej pikës së lotit, tej fjalës së pashprehur, ku ti mungon, atje ku çahet zemra nga dashuria për njeriun. Frutat çudibërëse të saj janë simbolet dhe metaforat; se, dhe mali dhe ylli dhe kaprolli, janë njerëz të veçantë…Dhe vizatimi i një tigri, i ngjan gjithësisë dhe vetëm një fjalë mund të jetë universi…Krijimi është ëndërr brenda ëndrrës. Ikje përtej ikjes. Dhimbje përtej dhimbjes. Diçka si ekstaza ose si seksi që nuk mund të përkufizohen…Ajo është dikushi dhe askushi. Metafora e ka ka parë Zotin në një shpatë; ajo bisedon me vdekjen si me një vajzë të bukur; ajo ka parë lulet të digjen si flakë… (Apolineri); Rembonë që ecte me sandale prej ere…që, një puhizë, një fërfërimë mes pemëve, dhe poeti Emil Dickison bëhet trëndafil. E lehtë si zogu fjala e poetit, po jo si pupël; ajo ka një pavarësi të brendshme gati instiktive, virgjërore, një lloj si “lejleku që e ndërton çerdhen e vet pa bërë pazar me qiparizin”. Arti është udhëtim i vetëdijshëm, spontan dhe emocional, drithërimë; e njëkohësisht krijimi e një gjendje të ndezur shpirtërore, që të jep dhe një informacion të ri e të paditur më parë, ku fshihet një mendim alternativ, i beftë. Drejt njeriut. Lexo: “Shekspiri është shpikësi i njeriut, dmth, ai që ka rikrijuar njeriun” (Harold Bloom)… Atë njeriun pa maska. Atje tej. Te stacioni i largët. Te poezia. Te drama. Atje ku metafora thërret atë që nuk është më, tejpamjen, pushtetin e mendimit dhe ndjeshmërisë, atë që brenda saj, merr trajtën e një qenieje unike në thelbin e vet intim. Fjala poetike në stacionon e pretenduar shpjegohet me vetveten; ajo u jep kuptim enigmave…

KURTHET

Poetët më të shquar janë rezultat i trysnive të ndryshme dhe kanë preferuar më tepër ferrin se parajsën…Në këtë prizëm, psh., stalinizmi përbënte një kusht të domosdoshëm për fenomene të tilla si Mandelshtami, Pasternaku, Solxheisini apo dhe Cvetajeva e Ahmatova; e pse jo ai dekori aq pikëllimtar e i padurueshëm ku u vetëvriten talente të fuqishme si Esenini e Majakovski e Gorki i tregimit të madh. Bashkëkohësia populiste është njëra nga kurthet ku bien krijuesit kokëposhtë. Ajo i mashtron, ajo u ngjan sipërfaqeve të gjera të ujërave të cekëta, lehtësisht të ndjeshme e të trumbullueshme, që nuk mund të bëjnë dot dallgë. Vetëm poetët masovikë të provincave e të ekuilibrave, e ndiejnë veten komod në sipërfaqe të njohura duartrokitëse, ata jo vetëm që nuk mbyten, por simpatizohen nga katundet e tyre se kanë përqindje të lartë arsyeje, e cila duket sikur operon me shijet e turmave. (Shumica e poezisë shqipe kallaiste enët e ndryshkura, të bakërrta a të teneqejta dhe i reklamonte të florinjta, madje dhe balta e Devollit na u servir si frymëzim, pikë referimi e imitimi… Se kështu i admironte e çmonte poetët bashkëkohësia partiake e fshatarake. Ti ishe i detyruar të krijoje psikologjinë e shkumësit, shpirtin e përfaqësimit të klasës, ose të një grupimi shoqëror të lejuar. Ty të dehte mediokriteti popullor dhe ishe i lumtur. Ti nuk ke kuti të zezë fluturimi. Ti ikën mes duartrokitjeve. Ti nuk e kishe fatin e krijuesve të vetmuar. Ti nuk ishe i rrezikuar. Vetmitarët krijojnë një bashkësi problematike për rendin, ndaj ti, mbushur gjoksin me dekorata e tituj, i vetkënaqur e i shumëzuar, zbrite në masë, u kolektivizove….) Po dale, i thashë, prit!…Më thuaj, si janë krijuar kryeveprat e letërsisë botërore? Në ç’numër (gramatikor) është Dante Aligeri, Shekspiri, Servantesi, Tolstoi, Gëte, Dostojevski, Kafka, Verdi, Rembrandi, Shardeni…(?) Shumësa janë De Rada, Naimi, Çajupi, Migjeni, Lasgushi, Mjeda…

LAVDIA

Lavdia është raki ballë që të deh, pasqyrë që të tregon më të bukur, narcizizëm që të verbon, të hedh në krahët e Kalipsosë … Kjo tregon se nuk e ke merituar atë nder…Artistët e mëdhenj gjithmonë besojnë se diku, dikur në kohën që vjen, dikush do të binjakëzohet me të. (Shekspiri mbeti 100 vjet pa u njohur. Duhet të vinte Gëtja, që t’ia prezantonte botës poetin më të madh të saj. E po kështu Kafka apo Peso-a, që u ngjall pas vdekjes, e sa e sa gjenialitete të tjerë në fusha të ndryshme të artit, kanë vdekur pa u njohur, madje të shpërfillur nga bashkëkohësia. “Shpirtrat e shenjtë janë të dënuar të ecin drejt vdekjes dhe lavdisë duke lënë pas rrënojat e tyre.(Bodler) Nderi, fama e veçanërisht lavdia, gjithashtu janë kurthe dinake, sirena tërheqëse po vrastare, rrugës së gjatë të krijimit. Në rrugën e suksesit nuk shtrohen qilima. Shikoni sa të prerë janë njerëzit e lavdishëm kundër përsosmërive e lavdive. Cvetajeva thotë: “poeti, … s’është as Napoleoni, as Neroni, as Erostrati. Ata, për të glorifikuar emrin e vet e djegin tempullin, poeti për të glorifikuar tempullin, djeg vetveten.” Është drithëruese modestia e Markezit, prozatorit me famë botërore, që “u bëra shkrimtar duke lexuar Metamorfozën” e Kafkës…Dhe më tej Borgesi, që hoqi dorë nga Borgesi. Nga gjithkushi. Dhe askushi. Më të talentuarit e dinë se nuk ka asgjë të përsosur. “Nëse një ditë do pikturoj një pamje të përsosur – do thoshte S.Dali – do të vdes atë çast.” Dhe Folkneri, po kështu: “nëse një artist ngjitet në lartësinë e ëndrrës së përsosjes, s’i mbetet gjë tjetër, veçse të presë kokën…unë jam poet i dështuar”. Kjo devizë e fundit ka bërë xhiron e botës më tepër se romanet e tij të mrekullueshëm. Dhe poeti i vlonjate tha: “Dhe un’, s’di, ku jam, e s’di ku vete/Rroj për ty e vdes për vete…(A. Asllani).

UNË NUK JAM VETËM

Krijimi si udhëtim ka dhe kurthe të admirueshëm. Janë ata që kanë arritur, në kohë, në vlera e në stacione para teje. Poeti, çdo poet, ngrihet në një poet. Kështu ngrihet ngrehina e vlerave botërore. Të qenit dhe si vlerë origjinale nënkupton dhe të qenit si vlerë e ngjashme e pse jo dhe të kundërt. Nobelisti Montale e pranon Danten si model, si mësues, por edhe si rival të përjetshëm. Në art modeli është objekt frymëzimi vetëm për ta tejkaluar atë; sidoqoftë krijuesi duhet “të ruhet” nga admiruesi i tij. Niçja thotë: bëhu ai që je. Francezët thonë: Ji siç jam unë.
Sidoqoftë, modeli ekziston kur nuk jam unë. Nëse bëhemi dy, fillon rivaliteti se kush duhet të jetë para tjetrit. Por , mos harro të jesh dhe antivetvete. Të mohosh pjesë nga e tëra jote. E thashë, Borgesi hoqi dorë nga të qenit borges.

Unë nuk jam unë. Në udhëtim e sipër krijuesi rritet, transformohet, dhe brenda një vepre dhe nga një vepër në tjetrën, dhe tek ajo që po mendon të shkruajë. Ai shpall vetveten, shndërrohet, jo vetëm si personazh, hero e antihero, por dhe simbol i çfarëdoshëm ( engjëll apo djall, zot e dreq, e shpend, e kafshë, e send…; (“Metamorfozohet”, sipas Ovidit ) e kështu çdo tjetërsim majave të fjalës tjetër, pasuron kulturën, dijen, lartëson shpirtin, gjuhën por dhe qenien e vet krijuese, shpirtin, emrin, vetveten. Udhëtimi si krijim është dhe aventurë dhe magji tjetërsimi. Tek “Konferenca e zogjve” gjatë fluturimit nëpër shtatë luginat (vini re simbolet: Lugina e Kërkimit, Dashurisë, Dijes, Varfërisë, dhe Asgjësimit…e zogjtë që dorëzohen bien; ata që arrijnë nuk janë më ata; tashmë, ata s’kanë nevojë të kërkojnë mbretin e tyre, ata e secili prej tyre, janë kthyer në simorgë. Si Orfeu që fluturoi më të poshtë , në Had, për të shpëtuar dashurinë dhe iu dorëzua vdekjes, Si Odiseu, heroi simbol i letërsisë moderne që, shoqëruar me të gjithë poetët e botës, vazhdon udhëtimin drejt, përvojave, dijes, Itakës së secilit…
Të flasësh për krijimin tënd si udhëtim, do të duhej një jetë tjetër endur stacioneve ( lexo – humbur veprash, tjetërsuar deri në mosnjohje). Jam bërë dhe lumë i rrëmbyeshëm. Kam parë në ecje e sipër si ndryshojnë brigjet, si thyhen pasqyrat luginave si më shihnin vrengër zakonet e gurit, pemët e palëvizshme, muret dhe statujat…Nëna më thoshte: “Po çlodhu pak, o bir” E gruaja që më do pranë “Ku vete kështu , o lumë ?!”… Metafora ishte e mbyllur; ato nuk mund ta kuptonin udhëtimin tim drejt fjalës, drejt detit. Si çdo krijues, më është dashur të bëhem xhelat dhe viktimë, polic dhe trafikant, zog dhe milingonë. Me plot zanate e diploma, piktor, mjek, spiun, aktor, i famshëm dhe mediokër…i gjallë dhe i vdekur. Me dritë në eshtra…Dhe eci, eci. Dhe vrapoj. Dhe fluturoj. Si lumi. Si koha. Si era. Demoni i krijimit si sfinks i pangopur në çdo projekt që arrin, të shtron pyetje enigmatike gjithnjë e më të vështira. Përgjigjia është në stacionin pasardhës… Dhe ndoshta dhe në ndonjë libër që mund ta marrësh me vete. Të pa lindur. Të patretshëm.
Lolipiro1945@gmail.com
Tiranë, qershor 2018

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.